KRRTRSH: OK, dy fabrikave të çimentos
Në zonën e Lezhës dhe të Krujës do të ndërtohen edhe dy fabrika të tjera çimentoje. Këshilli i Rregullimit të Territorit të Republikës në drejtimin e Kryeministrit Berisha, miratoi dje dy studimet urbanistike pjesore për shesh dhe leje ndërtimi për fabrikën e çimentos në Balldren, Lezhë, nga kompania "Fassa & Berberi sh.a" dhe të fabrikës në Borizanë, Krujë, nga kompania "Antea Cement", pjesë e grupit TITAN. Investimi i dy kompanive të njohura evropiane kap vlerën mbi 400 milionë euro. Kryeministri Berisha theksoi se këto dy projekte janë investime të mëdha në këto zona, ndërsa theksoi se industria e çimentos ka marrë një zhvillim shumë të madh në Shqipëri. "Minerali gëlqeror i varg-kodrave, nga Fushë-Kruja deri në urën e Mesit, është i një cilësie të shkëlqyer për prodhimin e çimentos. Ky mineral qëndron në krye të vlerësimit të mineraleve tona, por interes i madh po dëshmohet gjithashtu edhe për depozitat e tjera të mëdha të vendit, si kromit, hekurit, nikelit etj", u shpreh Kryeministri, duke bërë të ditur se janë në fazë studimi edhe ndërtimi i një seri fabrikash të tjera. Kryeministri Berisha theksoi se investimi për ndërtimin e fabrikës së çimentos në Balldren kap vlerën mbi 200 euro dhe po kaq shkon edhe investimi për fabrikën e çimentos në Borizanë, duke i çuar këto investime të dy kompanive të njohura evropiane në mbi 400 milionë euro. Duke dhënë detaje për studimin, përfaqësuesit e kompanive investuese thanë se fabrikat do të kenë në përdorim teknologjinë më moderne, të aplikuar në vendet e Bashkimit Evropian. KRRTRSH miratoi edhe sheshin e ndërtimit për një spital privat nga shoqëria IGEA në hyrje të Tiranës, pranë kthesës së Kamzës, si edhe lejen e ndërtimit të një kompleksi turistik në Gjirin e Lalzit.