E Diel, 1 Nëntor 2026

"Jam mace, nga ato që zbusin burra"

Karla Bruni, ish-topmodelja italiane që provoi veten me mjaft sukses edhe në botën e muzikës, duket se ka rënë kokë e këmbë në dashuri me Presidentin e Francës. "Ajo shkëlqen kur ai hyn në dhomë", thotë një mikeshë e afërt e saj. Kur nuk është pranë tij e përpara fotografëve dhe kameramanëve - duke lundruar në barkë përgjatë Nilit, apo duke shijuar bukuritë e Sharm El Sheik - nuk bën tjetër veç e admiron nga larg. "Është shumë e lumtur", thotë Kolomb Pringle, e cila njihet me Karla Brunin që në kohën kur punonte për "Vogue" të Francës në vitet 1990. "Kur Sarkozi deklaroi publikisht për një martesë të mundshme gjatë konferencës së shtypit pas Vitit të Ri, i telefonova për ta uruar ndërsa ai vazhdonte t‘u përgjigjej pyetjeve të gazetarëve. Më tha: ‘Jam ulur në shtëpi dhe po shoh Presidentin në televizor. Është i mrekullueshëm‘".

Sarkozi, Presidenti tepër energjik e aktiv i Francës, zbulon edhe një nofkë që do t‘i përshtatej për mrekulli, "I rrufeshmi". Kështu që askush nuk habitet kur as që i shkon ndër mend të përjetojë romanca të ngadalta. Në tetor u divorcua nga Sesilia, dashuria e trazuar e jetës së tij. Në nëntor ishte ende i mposhtur nga tronditja, madje nuk i shkonte ndër mend as të hiqte nga gishti unazën e martesës. Në dhjetor, vetëm një javë pasi e kishte njohur, ra në dashuri kokë e këmbë me Karla Brunin, që për shumë njerëz është versioni më i ri i Sesilias. Për Krishtlindje këmbyen unaza e varëse me vlerë 100 mijë euro dhe e shihnin veten si dy adoleshentë të dashuruar. Në fund të janarit, vetëm dy muaj pasi qenë takuar për herë të parë, pritet që Bruni të bëhet bashkëshortja e tij e tretë. Ish-modelja me pak komplekse dhe me prirje të majta, e cila beson te dashuria e lirë, gjë që e ka çuar në krahët e njerëzve si Mik Xheker, Erik Kleton apo Donald Tramp, shpejt do të jetë Zonja e Parë e Francës.

Menjëherë romanca e konsumuar në sytë e publikut mes ish-modeles dhe Presidentit u vërejt si vulgare, pa pikën e dinjitetit dhe aspak e natyrës franceze. Martesa e shpejtë shihet si zgjidhja e vetme e sikletit kolektiv të Francës. Por cila është Bruni dhe sa do t‘u përshtatet petkave të Zonjës së Parë? Kur Sesilia, ish-bashkëshortja e Presidentit kërkoi divorcin dhe u largua nga///////////////////// gjatë vitit të shkuar, u fol menjëherë për ndryshime të forta në traditë: që tani e tutje Zonja e Parë duhej të ishte moderne, jo më bashkëshortja tipike e nënshtruar. Gjithsesi, rol/////////////////// mbetet i lidhur fort pas traditës dhe gjendjet e humorit mund të ndryshojnë me shpejtësi. Të gjitha zonjat e para të Francës në një pikë krahasohen me viktimën e trishtuar të joshjes, Maria Antuanetën. Me veset e shtrenjta të Brunit dhe Sarkozisë, si dhe me rrënjët jo franceze të ish-modeles, ky krahasim tashmë është më i dëmshëm se më parë.

Sarkozi po shikohet tani si të qe një monark moskokëçarës që ofron aventurat dashurore për t‘u hequr mendjen njerëzve dhe shtypit nga rrogat e mjera dhe problemet e panumërta ekonomike. Brunit i pëlqen së tepërmi të organizojë festa bashkë me të në pallatin e Marsejës. Teksa përgatitjet për martesën vazhdojnë, duket se ajo po bëhet gjithnjë e më shumë përgjegjëse për një revolucion të vërtetë.

39-vjeçarja italiane, Karla Bruni Tedeski, është trashëgimtare e një familjeje milionere, rrënjët borgjeze të së cilës janë ku e ku me ato modestet të Presidentit Sarkozi. U rrit duke besuar se qe bija e pasanikut dhe kompozitorit italian, Alberto Bruni- Tedeski dhe e pianistes Mariza Borini. Vite më pas prindërit i treguan se ishte fryt i një dashurie jashtëmartesore të së ëmës me një violinist 13 vjet më të ri se ajo, por që gjithsesi, megjithëse e dinte mirë këtë, Alberto Bruni e kishte rritur si ta kishte bijën e vet. Kur Karla ishte vetëm pesë vjeç, familja e saj u shpërngul nga Torino në Francë për t‘i shpëtuar një dallge pengmarrjesh dhe atentatesh kundër politikanëve të djathtë italianë nga ana e ekstremistëve të majtë të Brigadave të Kuqe.

Kur qe fëmijë shoqërohej nga truproja dhe qe mësuar me pallatet e me miqtë e famshëm. Familja e ndante kohën mes Parisit dhe një prone gjigante në bregdet. Mamaja e Karlës, gjithë e kujdesshme që bijat të shoqëroheshin me njerëzit e duhur, kërkonte që të afroheshin me fëmijët e familjes Grimaldi, Albertin, Karolinën dhe Stefaninë e Montekarlos. Kur Karla ishte adoleshente, familja udhëtonte shpesh në kështjellën e saj në Torino, ku gjendet edhe koleksioni i tyre i veprave të artit.

Bruni, e cila u dërgua në një shkollë zvicerane, studioi art përpara se të hiqte dorë, nuk kishte nevojë për para nga familja pas hyrjes në botën e modës duke u kthyer në një prej modeleve më të paguara në botë gjatë viteve ‘90. Arrti të fitonte edhe 7.5 milionë dollarë në vit falë famës së saj në këtë industri. "Nuk ishte brilante, qe si të gjitha modelet e tjera", thotë një dizajnues i një shtëpie të njohur franceze të modës. Ndërkaq, Karla nisi të ushtronte një pushtet aq të fortë mbi meshkujt sa u zhvendos nga faqet e para të//////////////////// devizave të modës në ato të thashethemeve VIP. Në moshën 22-vjeçare u lidh me këngëtarin Mik Xheker, atëherë 48-vjeçar. Në atë kohë lexohej se Xheker nxitoi të udhëtonte për disa ditë pushime të zjarrta me Karlën vetëm 24 orë pasi e shoqja kishte sjellë në dritë fëmijën e tyre të tretë. Aventura do të ndizte një polemikë të fortë nëpër faqet e shtypit me Karlës e bashkëshortes së këngëtarit, që u shoqërua me divorcin e këtij të fundit.

Të tjerë burra të famshëm që nuk i rezistuan dot joshjes së Karlës qenë Erik Klepton, Donald Tramp, ish-kryeministri francez, Laurent Fabius, si edhe Arno Klarsfeld, një avokat i famshëm parisien, mik i ngushtë i Nikolas Sarkozi. La publicistin dhe novelistin Zhan Pol Entoheven për të birin, filozofin 26-vjeçar Rafaelin, me të cilin pati edhe një fëmijë, i cili është tani gjashtë vjeç. Pas kësaj u portretizua si një grua e ftohtë, kalkuluese e ngrënëse burrash nga ish-bashkëshortja e Rafaelit, shkrimtarja Zhustinë Levi (bija e filozofit Bernard Henri Levi).

"Në raport me meshkujt nuk shtyhet nga dashuria - është diçka tjetër, por me siguri nuk është dashuri", thotë një personazh i njohur francez, i cili i njeh mirë aventurat e saj. Bruni ka qenë gjithnjë e hapur në mbështetjen e idesë së dashurisë së lirë. "Jam zbutëse burrash, mace italiane", tha në një intervistë të dhënë vitin që shkoi për "Le Figaro". "Monogamia më mërzit së tepërmi... tek-tuk i kthehem monogamisë, por parapëlqej poligaminë dhe poliandrinë (ekuivalenti për femrat)".

Mund të kthehet në Zonjën e Parë të Francës që është e hapur me oreksin seksual, në vend që të shfaqet, siç e do tradita, në rolin e gruas së përkushtuar ndaj bashkëshortit.

Në dimrin e vitit 2007 po jetonte jetën e rehatshme të mamasë pa burrë, në zonën më të pasur të Parisit. Në vitin 2002 kishte arritur një sukses të konsiderueshëm në Francë falë albumit me këngë "Quelqu‘un m‘a dit" (Dikush më tha), por albumi që pasoi vitin që shkoi, qe dështim i plotë. Bruni njihej për prirjet e majta dhe për mbështetjen e Segolen Rojal në betejën presidenciale kundër kandidatit të djathtë, Nikolas Sarkozi. Po kështu, ajo mori pjesë aktivisht në një fushatë kundër planeve të Sarkozisë për testimin e ADN-së së familjeve të emigrantëve, duke qenë se edhe vetë ajo ndihet e tillë.

Më pas, në fund të nëntorit gjërat ndryshuan kryekëput. 52-vjeçari Sarkozi gjendej i vetëm në pallatin "Elize". Ashtu sikur edhe më parë, kur Desilia e kishte braktisur në vitin 2005, atij nuk i pëlqen shumë vetmia. Kundër zakoneve të përhershme - Sarkozi është njeri që mesnata e gjen në gjumë - nisi të dilte përnatë me miq të famshëm deri në katër të mëngjesit. Dhe siç bënte edhe më parë, u kërkonte miqve të shtronin darka për nder të tij. Një syresh është Zhak Seguela, një magjistar i publicitetit, i bërë i famshëm për organizimin e fushatës presidenciale të viteve ‘80 të Miteranit. Seguela shpjegoi: "më tha: ‘Më fto në ndonjë darkë bashkë me miqtë e tu. Nuk mund të rri më i vetëm në Elize‘. E kishte moralin përtokë".

Karla, e cila nuk e kishte takuar kurrë më parë Presidentin, ishte një prej të ftuarve. Presidenti e shoqëroi për në shtëpi në fund të darkës dhe i kori numrin e telefonit. Pak javë pas kësaj, deklaroi përpara gjithë kombit se kish rënë kokë e këmbë në dashuri. Nuk arrinte t‘i fshihte emocionet.

Ndërkaq, për francezët te Karla nuk mund të shihet tjetër veç hija e ish-bashkëshortes. Karla konsiderohet një version më i ri i Sesilias. Si edhe ish-bashkëshortja, Karla është më e gjatë se Presidenti, e detyruar të veshë këpucë të sheshta. Presidenti i dhuroi të njëjtën lloj unaze që shihej në gishtin e Sesilias gjatë vitit të shkuar, e shpinte në të njëjtat vende dhe bashkë me të shkoi në Jordani, vendi ku Sesilia u shfaq për herë të parë në vitin 2005 përkrah të dashurit Rishard Atia, burri me të cilin e tradhtoi.

"Mendoj se është krejt e pabesueshme që ky njeri, i cili bëri të pamundurën për të shmangur divorcin, i cili e dashuronte dëshpërimisht Sesilian, rastësisht të bjerë në dashuri me një grua që duket tamam si ajo - me emër që i fillon me C e i mbaron me A, të cilën e shpie edhe në Disneyland, ku shkonte vazhdimisht me Sesilian e me fëmijët", thotë Katerinë Nei, biografe e Nikolas Sarkozi, e cila njeh mirë edhe familjen e tij.

Franca është në pritje të martesës tashmë të shpallur - e treta për Sarkozinë dhe e para për Karlën - si edhe të protokollit për mënyrën e jetesës që do të përshtatin. Roli i Zonjës së Parë franceze nuk është aq zyrtar sa i "first lady" në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por pritet që Karla të dijë t‘i vesh me elegancë e me dinjitet darkat zyrtare dhe vizitat shtetërore. I duhet gjithashtu të përfshihet në veprimtaritë bamirëse, siç kanë vepruar edhe paraardhëset e saj. Të gjitha zonjat e para të Francës marrin thasë me letra në shtetet e varfra - madje edhe Sesilia e ftohtë u përgjigjej letrave nga bari i hotelit "Bristol" pranë "Elizesë". Por udhëtimi i Sesilias në Libi vitin që shkoi në rolin e së dërguarës së posaçme të Sarkozisë, me detyrë ndërmjetësimin me kolonel Gedafin, për lirimin e infermiereve bullgare u vu nën shënjestrën e opozitës franceze. A do të ketë ndonjë rol diplomatik Karla, apo thjesht do jetë e bukur? Sarkozi është i bindur se kombi kërkon që ai të ketë një grua përkrah.

"Besoj se do kemi një fazë të parë të martesës gjatë së cilës fabula e mrekullueshme do të vazhdojë dhe francezët do ta admirojnë për mënyrën si do përmbushë rolin zyrtar. Do të shfaqet në publik e veshur me gjithë elegancën e mundshme. Diçka e tillë mund të shkojë shumë mirë në rast se çifti u qëndron larg teprimeve", thotë Kristof Barbier, botues i së përjavshmes "L‘Express", dhe mik i afërt e Karlës prej shtatë vjetësh. "Faza e dytë do të nisë kur ajo të marrë përsipër përmbushjen e plotë të rolit. A do të mbështesë çështjet humanitare? Do mbështesë çështjet kulturore, si këngëtare që është? Punët e jashtme? Suksesi i saj do të varet nga aftësia për të folur mirë - në thelb të jetës politikane. Sesilia Sarkozi kishte pas supeve vite përvojë. Ndërsa në rastin e Karlës as që mund të flitet për përvojë. Pjesa më e madhe e suksesit do të varet nga këshilltarët. Ndoshta mund të zgjedhë edhe të mbetet thjesht këngëtare e të mos i hyjë seriozisht rolit të Zonjës së Parë, por për këtë nuk jam i sigurt".

Botuesi e përshkruan Karlën, e cila tani po punon për hedhjen në treg të një albumi tjetër "si tejet e thjeshtë, normale dhe modeste - jo star, as divë. Më shumë i ngjan një adoleshenteje në kulmin e entuziazmit. Është shumë kureshtare dhe i pëlqen të përfshihet në debate që i tërheqin interesin. Është italiano-veriore, jo mesdhetare, por mbetet gjithnjë italiane; ka shumë zjarr në atë vend".

Ai shton se Karla nuk e sheh veten pjesë e një partie të caktuar politike, por debati politik ku është shprehur me pasion të vërtetë ka qenë ai gjatë të cilit fliste kundër Silvio Berluskonit. Ndoshta është ironike që tani Nikolas Sarkozi i ngjet gjithnjë e më shumë Berluskonit. Pyetja është ç‘rol do të luajë Karla në stilin presidencial të Sarkozisë. Dhe kjo mbetet ende për t‘u parë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›