E Diel, 1 Nëntor 2026

Bora izolon fshatrat e Skraparit, mijëra banorë, pa energji elektrike

Banorët e shumë fshatrave të Rrethit të Skraparit janë izoluar krejtësisht nga bora ditët e fundit. Sipas kryetarëve të komunave banorët gjatë natës, në banesat e tyre nuk kanë energji elektrike. Situata më e vështirë paraqitet në Komunat Potom, Cepë, Konak, etj.

Ulja e temperaturave ka bërë që bora e rënë gjatë ditëve të fundit të ngrijë, duke bllokuar rrugët lidhëse të shumë fshatrave. Nga informacionet e mbërritura pranë institucioneve vendore, rezulton se fshatrat e Komunave Zhepë, Potom e Konak janë izoluar nga bora. Banorët kanë nisur përdorimin e rezervave ushqimore dhe mënyra e vetme për ngrohje në këto zona ngelet druri për zjarr.

E bllokuar vazhdon të mbetet që prej ditës së djeshme rruga e Qafë Devrisë, e cila bën të pamundur lidhjen me Çorovodën të Komunës Potom, fshatrat e së cilës nuk mund të lidhen as me njëri-tjetrin si pasojë e rrugëve të bllokuara.

Ndërkohë, kryetari i Komunës Gjerbës, Dilaver Zyko, ka bërë të ditur se vërshimi i lumit në vendin e quajtur Kapinovë e Egër ka bërë që gjashtë fshatra të mbeten të izoluar. Mungesa e urave në këto fshatra ka bërë që banorët të vihen në vështirësi komunikimi, pasi vërshimi i këtij lumi pa prurje gjatë stinës së verës, por mjaft i rrezikshëm gjatë verës, ka bërë që banorët të ngelen të izoluar.

Kreu i komunës thotë se një sërë fshatrash janë krejtësisht të izoluar nga bora, ndërkohë që me të mësuar me këtë situatë gjatë stinës së dimrit, banorët qëndrojnë në banesat e tyre. Por shqetësim kryesor vazhdon të jetë mungesa e gjatë e energjisë elektrike gjatë ditës dhe natës.

Temperaturat e ulëta të dy ditëve të fundit, të shoqëruara dhe me reshje bore, kanë mbërritur deri në qytetin e Beratit. Qafa e Sqepurit, pjesë e aksit rrugor Berat-Fier ka vënë në vështirësi dje qarkullimin e mjeteve. Reshjet e shiut shoqëruar me borë gjatë natës së djeshme kanë bërë që rruga të jetë e ngrirë në një pjesë të aksit të saj. Pesë mjete mësohet të kenë dalë nga rruga, pasi kanë shkarë, por fatmirësisht pa shkaktuar dëme.

Ndërkohë që nga Jugu raportohet për fshatra të bllokuar nga dëbora dhe për rrugë ku nuk kalohet pa zinxhirë, Veriu, që vuan çdo vit nga dëbora dhe ngricat, paraqitet pa probleme të mëdha këto ditë.

Raportimet nga Kukësi, Shkodra dhe Peshkopia flasin për temperatura shumë të ulëta, por që nuk janë shoqëruar me reshje dëbore.

Kështu, temperaturat në zonat e sipërpërmendura kanë arritur gjatë dy ditëve të fundit deri në 12 gradë nën zero. Kjo ulje temperaturash ka shkaktuar ngrica në akset rrugore, duke e bërë të domosdoshëm përdorimin e zinxhirëve të gomave, në pjesë të rrezikshme, si Qafa e Malit në Kukës.

Temperaturat e ulëta kanë shkaktuar gjithashtu probleme në furnizimin me ujë të qyteteve të Kukësit dhe Peshkopisë, për shkak të ngrirjes së ujit në tubacione si dhe në disa raste, të çarjes së tyre. Megjithatë, situata në këto zona konsiderohet normale për stinën dhe situata e emergjencës është zhvendosur tashmë në Jug, ku dëbora ka mbyllur rrugët dhe autoritetet janë gjendur krejtësisht të papërgatitura.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›