Moti i keq, kaos në rrugë e aksidente
Emergjenca zhvendoset në Jug. Flokët e dëborës kanë prekur për herë të parë pas 20 vjetësh tokat e buta të Myzeqesë dhe kanë veshur me tis të bardhë të gjitha zonat kodrinore të kësaj krahine. Në Fier e Lushnjë, bora nuk ka zënë vend, ndërsa Patosi dhe rrethinat e tij, janë gdhirë të mbuluara nga një shtresë prej 10 deri në 25 centimetrash dëborë. Akoma më në Jug, në Mallakastër, trashësia e dëborës së rënë ka qenë më e madhe, duke shkaktuar edhe probleme të mëdha në qarkullimin rrugor, madje edhe duke izoluar përkohësisht disa fshatra të thellë.
Aksi nacional Ballsh-Tepelenë është bërë totalisht i pakalueshëm. Ai është bllokuar mbrëmjen e së shtunës dhe është hapur vetëm për disa orë mëngjesin e djeshëm për automjetet e vogla, por më vonë është bllokuar sërish.
Sipas kryetares së Komunës Fratar në Mallakastër, Sabrije Hoxha, të paktën në katër pika dëbora ka bllokuar rrugët rurale, duke izoluar banorët e disa fshatrave. Trashësia e dëborës në fshatrat e Komunës Fratar arrin deri në 35 centimetra. "Gryka e Povlës, Qendra e Fratarit, Qafa e Kashit, Kthesat e Greshicës janë të pakalueshme. Popullata është e bllokuar, ndërkohë që një varg i gjatë automjetesh shihen të qëndrojnë për orë të tëra në rrugën nacionale",- thotë Hoxhaj.
Institucionet qendrore dhe vendore të Qarkut të Fierit ka qenë totalisht të papërgatitura për një situatë të tillë emergjence. Pas sinjalizimeve të para për vështirësi nga dëbora në disa akse të rrugës nacionale, menjëherë është ngritur Shtabi i Emergjencës në Prefekturën e Fierit. Kreu i këtij shtabi, prefekti Shahin Bejdaj, në një prononcim për mediat ka pranuar dje se situata e emergjencës i ka gjetur institucionet të papërgatitura.
"Nuk kemi qenë të përgatitur për një situatë të tillë dhe e kemi ndjerë veten në vështirësi. Nuk kemi asnjë material si kripë dhe mjete për të ndërhyrë në zonat e bllokuara",- ka thënë Shahin Bejdaj. Ai akuzon Drejtorinë Rajonale të Rrugëve Fier si dhe kreun e saj për mosangazhim në zgjidhjen e situatës së krijuar në aksin Ballsh-Tepelenë. "Drejtoria Rajonale e Rrugëve në Fier, nuk ka qenë e pranishme gjatë gjithë natës në akset e vështira. Ishte e pamundur të komunikoje me kreun e kësaj drejtorie edhe në telefon. Vetëm të dielën u njoftova që janë nisur dy mjete pranë pikës së bllokuar"- tregon prefekti Bejdaj.
Nga burimet zyrtare të Shtabit të Emergjencës së ngritur pranë Prefekturës së Fierit konfirmohet se pikërisht Drejtoria Rajonale e Rrugëve Fier nuk ka asnjë rezervë kripe, e cila mund të lehtësojë kalimin e mjeteve në vendet e bllokuara, në Rrethin e Mallakastrës, ndërsa vonë është ndërhyrë vetëm me një sasi të vogël stabilizanti, i cili nuk ka ndikuar aspak në normalizimin e trafikut.
Kreu i Shtabit të Emergjencës, Shahin Bejdaj, është shprehur se gjatë gjithë mbrëmjes së kaluar ka qenë në zonat e bllokuara dhe ka dashur të njoftojë të gjithë drejtuesit e automjeteve se duhet të qarkullojnë patjetër me zinxhirë.
Përveç bllokimit nga dëbora, Fieri rrezikon edhe përmbytjen disa ditë më pas, kur shtresa e dëborës do të nisë të shkrijë.
Një i vdekur dhe katër të plagosur rëndë, gjatë 48 orëve
Ngricat dhe dëbora shtojnë numrin
e aksidenteve automobilistike
Dëbora në rrugë ka bërë që gjatë natës të së shtunës të shënohen disa aksidente, kryesisht në territorin e Mallakastrës. Dy mjete janë rrëzuar nga lartësi të mëdha për shkak të terrenit të rrëshqitshëm. Një automjet me targa të huaja, që drejtohej nga një shtetas nga qyteti i Elbasanit, është rrëzuar në humnerë. Në automjetin e tij ndodheshin vjehrri i Pajës, Mynever Jahaj dhe dy nipërit, të cilët kanë marrë ndihmën mjekësore në Qendrën Shëndetësore të Fratarit. Mjeku i kësaj qendre, Shyqëri Zylalaj, ka thënë për "Shqip" se: "Gjatë gjithë natës kemi qenë në gatishmëri. Fatmirësisht nga automjetet e rrëzuara nuk pati viktima. Vetëm katër të plagosur, të cilët tashmë janë jashtë rrezikut për jetën. Katër persona të tjerë, që udhëtonin me mjetet e mbetura në mes të udhës, kanë pasur komplikacione për shkak të të ftohtit. Ata janë shtruar në qendrën tonë shëndetësore dhe po trajtohen", - tha mjeku Zylalaj.
Në një situatë të tillë emergjente, policia e qarkullimit rrugor ka përqendruar forcat në akset problematike. Burimet zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Fier thanë se gjatë dy ditëve të fundit është rritur ndjeshëm numri i aksidenteve në rrugë. Në fundjavë, në Rrethet Fier, Mallakastër e Lushnjë u regjistruan 3 aksidente të rënda që u shoqëruan me një të vdekur dhe 4 të plagosur. Konkretisht, në orën 07:45 të së shtunës, humbi jetën në vendin e quajtur Qafa e Stefanit një 54-vjeçar nga qyteti i Beratit. Më pas, një tjetër aksident në segmentin rrugor Fier- Ballsh. Një furgon pasagjerësh dhe një furgon mallrash u përplasën, por fatmirësisht pa shkaktuar viktima, por vetëm tre të plagosur. Një tjetër aksident përgjaku segmentin rrugor Durrës-Lushnjë të shtunën. Në afërsi të fshatit Plyg, një 40-vjeçar që udhëtonte me makinë u përplas me një shtyllë dhe përfundoi në spital në gjendje të rëndë. Në orët e para të mëngjesit të djeshëm është shënuar një tjetër aksident i rëndë. Ka qenë ora rreth 02:30 kur një mjet tip "Nissan" me targa greke, ka dalë nga rruga dhe ka rënë nga një lartësi 15 m. Ngjarja ka ndodhur në aksin rrugor Ballsh-Tepelenë dhe fatmirësisht ka përfunduar pa viktima, por vetëm me plagosje të lehtë të drejtuesit të mjetit dhe tre pasagjerëve. Policia bën të ditur se mjeti me targa të huaja YZX 6189 drejtohej nga Shpëtim Paja, banor i qytetit të Elbasanit. Përballë kësaj situate, shkaktuar nga ngricat dhe dëbora, policia ka marrë një sërë masash shtesë për të minimizuar numrin e aksidenteve . Është shtuar numri i patrullave, të cilat qarkullojnë vazhdimisht gjatë gjithë segmenteve rrugore, e veçanërisht në pikat problematike. Janë vendosur tabela dhe tregues në vendet më të rrezikshme. Është kërkuar prej drejtuesve të mjeteve të pajisen me zinxhirë, të ulin shpejtësinë dhe të rrisin shkallën e përqendrimit dhe sigurisë.