E Diel, 1 Nëntor 2026

Bora e parë vështirëson kalimin në Qafën e Muzinës

E vështirë, por e kalueshme ka qenë Qafa e Muzinës edhe gjatë ditës së djeshme. Pas bllokimit mbrëmjen e së shtunës me 4-5 orë të kalimit në këtë nyje të vështirë për stinën e dimrit, edhe të dielën ajo ka qenë e përshkueshme vetëm në gjysmën e gjerësisë së saj, për shkak të përsëritjes së reshjeve të dëborës. Në mbrëmjen e së shtunës ka qenë i gjatë vargu i automjeteve të grumbulluara nga të dyja krahët e lëvizjes, ku kanë mbetur të bllokuar autobusët e transportit të udhëtarëve dhe automjetet e transportit të mallrave e mjaft autovetura private.

Tafil Kola, drejtor i Ndërmarrjes së Mirëmbajtjes së Rrugëve në Jug të vendit tha për "Shqip" se në këtë segment janë instaluar mjete dhe forca që bëjnë pastrimin e borës dhe hedhjen e shtresave të kripës dhe skorieve. Megjithëkëtë, edhe autobusi i linjës Sarandë-Tiranë, që ka nisur udhëtimin në orën 22:00, ka mbërritur në Qafën e Muzinës në minutat e para të së dielës dhe për shkak të pengesave rrugore, ka mbërritur në Tiranë 12 orë pas nisjes.

Qafa e Muzinës ka qenë në vëmendjen e parë të shërbimit të qarkullimit rrugor të Komisariatit të Delvinës. Policët me jelekët fosforeshentë në ngjyrë mente vazhdojnë të jenë në çdo orë të ditës dhe natës në kontroll të lëvizjes së automjeteve në këtë nyje, duke qenë rigorozë në kërkesën e tyre që asnjë automjet të mos lejohet të kalojë pa qenë i pajisur me zinxhirë.

Mësohet se dëbora ka zbardhur edhe majën e Malit të Milesë, deri në qytetin e Konispolit. Po kështu, flokë të dëborës së parë i janë shtuar edhe peizazhit të kodrave të Bregdetit, deri në fshatin Shënvasil.

Rruga e Bregdetit ka qenë lehtësisht e kalueshme në territorin e Sarandës e më tej, deri në Qafën e Llogorasë, ku bllokimi i qarkullimit të automjeteve ka zgjatur për pak kohë deri sa është normalizuar kalimi deri edhe për autobusët me udhëtarë të linjës Vlorë-Sarandë e anasjelltas.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›