E Diel, 1 Nëntor 2026

Bordello në Rrogozhinë, kapen 3 persona

Çdo veprim ishte organizuar me kujdes për biznesin e seksit që kishin hapur në një zonë të Kavajës. Tutori, sekserja dhe prostituta banonin në të njëjtin ambient dhe porositë e klientëve bëheshin me telefon. Kështu është vepruar edhe nga shërbimet e antitrafikut të Tiranës, për të vënë në pranga shfrytëzuesit e një 18-vjeçareje, e cila bënte prostitutën në një hotel në Rrogozhinë. Në pranga ka përfunduar vajza e re, bashkë me pronarin dhe kamerieren e hotelit, ku ajo ushtronte aktivitetin e prostitucionit. Pavarësisht se Bujar Gjuzi, kreu i këtij aktiviteti, ishte dënuar më parë për këtë aktivitet, atë nuk e ka ndaluar asgjë për të vazhduar edhe më tej.

Drejtoria e Policisë së Tiranës tha se seksioni i luftës kundër trafiqeve, në bashkëpunim me Komisariatin e Kavajës, finalizuan operacionin e koduar "Bishti i Zhurit 2", ku u mundësua arrestimi në flagrancë i tre personave për shfrytëzim femrash dhe mbajtje të lokalit për prostitucion. "Gjatë këtij operacioni, uniformat blu arrestuan 48-vjeçarin Bujar Zenel Gjuzin, lindur dhe banues në Rrogozhinë, i dënuar edhe më parë për të njëjtat akuza. Gjithashtu, në pranga përfunduan edhe Kaje Gani Rustemi, 29 vjeçe, dhe A. H., 18 vjeçe, të dyja lindur dhe banuese në Tiranë", detajoi zyrtarisht policia. Sipas grupit hetimor, arrestimi i tyre u bë, pasi rreth orës 13.30 të së premtes, të tre u kapën në ambientet e hotelit "Pishat" në Rrogozhinë, ku 18-vjeçarja A. H., u kap duke ushtruar prostitucion kundrejt shumës së parave 5 mijë lekë. Pas hetimeve u konkludua se klientët i siguronte pronari i lokalit, Bujar Gjuzi, dhe kamerierja Kaje Rustemi.

Porositë u vinin atyre nëpërmjet telefonit dhe më pas klientët vinin në hotelin "Pishat". Aty, kamerierja i drejtonte te dhoma, ku i priste prostituta 18-vjeçare. I gjithë ky mekanizëm është zbuluar nga agjentët e antitrafikut, të cilët kishin disa ditë që ishin vënë në hetim të këtij aktiviteti ilegal. Pas urdhrit të prokurorit, të premten është vendosur ndërhyrja përfundimtare, duke i arrestuar në flagrancë të tre protagonistët e ngjarjes. Gjatë marrjes në pyetje, asnjëri nga të akuzuarit nuk e ka pranuar akuzën e ngritur ndaj tyre, megjithëse policia kishte prova të mjaftueshme për të kryer arrestimin. Madje, prostituta ka deklaruar se personi me të cilin ajo po kryente marrëdhënie seksuale ishte i dashuri i saj. Por, e njëjta gjë nuk është pranuar nga partneri, që ka pranuar të lëshojë një deklaratë për policinë. Ndërkohë, në cilësinë e provës materiale u sekuestrua shuma e parave prej 44700 lekë, 300 euro, dy telefona celularë, një armë gjahu me fishekë, një komplet thikash dhe një sëpatë, që Gjuzi i mbante pa leje. Materialet e kësaj dosjeje i kaluan prokurorisë, ku secili i arrestuar do të përballet me akuzat e ngritura nga grupi hetimor.

Hetimi

Prostitucioni, aksion

edhe në zona të tjera

Aksione për zbulimin e qendrave të prostitucionit do të zhvillohen edhe në ditët e tjera. Ky informacion bëhet i ditur nga seksioni i antitrafikut në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, por pa dhënë shumë detaje se ku do të jepen këto goditje. Burimet policore bënë të ditur se prej kohësh, struktura të veçanta po hetojnë aktivitetet e prostitucionit në të gjithë Shqipërinë. Gjatë kësaj pune, uniformat blu kanë bërë të mundur të identifikojnë disa vende të dyshuara, por ende po punohet për dokumentimin e plotë të këtij aktiviteti kriminal dhe dërgimin e përgjegjësve përpara drejtësisë. Policia tha se pa kaluar shumë kohë do të ketë edhe goditje të tjera të këtij aktiviteti në disa rrethe të vendit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›