Prostitucioni, drejtësia italiane kërkon në Fier 12 të dënuar
Shfrytëzimi i prostitucionit dhe krime të tjera të rënda të kryera në Itali, pritet të shënojnë një valë arrestimesh në qytetin e Fierit. Burimet zyrtare të Prokurorisë së Fierit kanë deklaruar për gazetën "Shqip", një ditë pas arrestimit të dy fierakëve për llogari të shtetit italian, se drejtësia italiane ka kërkuar arrestimin e 12 personave të tjerë. Po këto burime pohojnë se këta persona janë të kërkuar në Itali, pasi rezultojnë të kenë kryer vepra të ndryshme penale në qytetet italiane, ku kanë shkuar si emigrantë. Pas kryerjes së veprave penale dhe pas njoftimit se kishin probleme me drejtësinë e shtetit fqinj, fierakët janë riatdhesuar dhe nuk i janë drejtuar më emigrimit në atë shtet.
Aktualisht, prokuroria është duke survejuar personat që kanë probleme me drejtësinë italiane, ndërsa ka nxjerrë të premten dy urdhrat e parë për arrestime, që u ekzekutuan nga policia e Fierit brenda asaj dite. Në pranga kanë përfunduar Albert Kurti dhe Gëzim Komini, të dënuar nga Gjykata e Milanos me nga 7 vjet burg, si dhe me nga 25400 euro gjobë.
Sipas drejtorit të Policisë së Qarkut Fier, Arjan Bozhaj, mësohet se për arrestimin e shtetasve Albert Kurti dhe Gëzim Komini kishte mbërritur letër porosi nga drejtësia italiane. Policia organizoi operacionin e koduar "Adriatiku 2008", ku ndaloi shtetasit Albert Kurti, 34 vjeç, banor i lagjes "Afrim i ri" dhe Gëzim Komini, 35 vjeç, banor i lagjes "Fermë Çlirim".
Sipas burimeve zyrtare policore të Fierit, mësohet se në fund të vitit 2007 kishte dalë vendimi penal nr. 18/04, datë 21. 04.2004 nga Gjykata e Krimeve të Rënda në Milano, Itali, për shtetasin Albert Kurti, i cili ishte dënuar me 7 vjet burg dhe me shumën e 25 mijë e 400 eurove gjobë. Edhe për shtetasin Gëzim Komini ishte dhënë i njëjti dënim, me 7 vjet burg dhe shumën e 25400 eurove gjobë po nga drejtësia italiane. Akuzat mbi këta dy shtetas janë për "pjesëmarrje në organizatë kriminale" dhe "shfrytëzim prostitucioni".
Ndërkohë, në orët e para të mëngjesit të djeshëm, policia e Fierit prangosi të tretin e operacionit "Adriatik 2008". Leonard Avdia, 29 vjeç, nga Fieri, i cili ishte shpallur në kërkim për veprën penale të "trafikimit të femrave për qëllime prostitucioni", është arrestuar nga policia e Fierit pas një operacioni blic të koduar "Adriatik 2008". Ndalimi i 29-vjeçarit Avdia u realizua nga forcat e policisë së Fierit, në bashkëpunim me prokurorinë e këtij rrethi, në orët e vona të natës, duke gdhirë e shtuna. Burimet policore sqaruan se Gjykata e Apelit Vlorë, me vendimin nr. 15. datë 31.10.2007 e ka dënuar shtetasin Leonard Avdia me 10 vjet burg për veprën e mësipërme penale. Avdia mësohet se ka trafikuar një 20-vjeçare nga fshati Lalar i Fierit. Mësohet se ai është denoncuar nga 20-vjeçarja, e cila ishte mbajtur për disa ditë e mbyllur në një shtëpi, por kishte arritur të shpëtonte, para se të trafikohej për në Itali.