Një jetë mes hidrocentraleve dhe laboratorëve shkencorë
Dikush e kalon jetën i mbyllur në një zyrë, duke shfletuar shkresa apo duke i bërë qejfin drejtorit. Të tjerë nuk lënë asnjë gjurmë në atë "dërrasën e bardhë", ku të numërohet gjithçka që nga lindja. Por, ka edhe njerëz me të cilët mund të ulesh e të bisedosh me orë të tëra pa e kuptuar se si koha kalon. Aty dëgjon dhe kupton se si jeta mbushet me punë aktive e të dobishme. Dhe në fund, ajo që mbetet nuk është gjë e vogël. Bëhet fjalë për hidrocentrale, laboratorë, studime të thelluara studentësh, numri i të cilëve rritet mot pas moti. Një jetë mes skicash, projektesh, eksperimentesh, lumenjsh dhe fuqish natyrore të egra, që nënshtrohen nga mendja dhe dija e njerëzve të tillë.
Njëri prej këtyre të fundit është edhe inxhinieri Pandi Stratobërdha. Në korrikun e këtij viti ai do të mbushë plot 80 vjeç. Por vitet kanë rrjedhur mbi të, pa krijuar vragat e pleqërisë. Profesori i njohur i inxhinierisë vazhdon ende të punojë dhe të ofrojë nga dijet e tij, edhe pse për 52 vjet me radhë ai ka nxjerrë nga vetja çdo ditë mund dhe eksperiencë për studentët e politeknikut dhe veprat më të mëdha hidroenergjetike në vend. E përveç studentëve apo kolegëve të tij inxhinierë projektues, zbatues apo modelues, atë e njohin mirë edhe të gjithë lumenjtë e Shqipërisë, të cilët i ka shëtitur më këmbë për vite të tëra gjatë punës së gjatë që ende vazhdon.
Dashuria e madhe
Profesor Pandi, sikundër e thërrasin të gjithë, kujton me ëndje periudhën e ndërtimit të hidrocentraleve, gjigandëve që qëndrojnë mbi Drin. Por, dashuria e tij më e madhe duket se mbetet Fierza. Ai tregon se skema e sovjetikëve për ndërtimin e veprave elektroenergjetike mbi Drin përfshinte 13 shkallë. Kjo ide për specialistët shqiptarë të fushës nuk ishte e leverdisshme, por dikush duhej që këtë mesazh ta përcillte shumë lart, te drejtuesi i shtetit. "Dhe urdhri u dha që ta përshkonim në këmbë të gjithë rrugën nga ura e Topojanit e deri te Vau i Dejës, për të dhënë një ide të saktë për këtë çështje", tregon profesori i vjetër. "Kështu bëmë", shton ai, duke treguar se 11 inxhinierë dhe 3 teknikë për 22 ditë me radhë përshkuan këtë rrugë dhe në fund triumfoi varianti shqiptar. U vendos që mbi Drin të ngriheshin 5 hidrocentrale. Prej tyre, vetëm 3 vepra të tilla mundën të ndërtoheshin: Fierza, Komani dhe Vau i Dejës. Ndërsa, Skavica tek Ura e Dodës dhe Bushati poshtë Vaut të Dejës mbetën vetëm projekte.
Dilemat
Mes dilemave në eksperiencën e gjatë si inxhinier, profesor Pandi kujton ankthin e ditëve, teksa në laborator, në qendrën e kërkimeve hidrike, ku ka punuar për 25 vjet me radhë, kryente eksperimentet për hidrocentralin e Fierzës. "Mbi këtë vepër ndodhet një masiv shkëmbor, ai i Poravës. Janë 35 milionë metra kub shkëmb", shpjegon ai. Nëse ky masiv do të rrëshqiste dhe të binte mbi digë, atëherë shkatërrimi do të ishte i pashmangshëm. Për këtë, specialistët shqiptarë vendosën që të ndryshojnë projektin e jugosllavëve, që diga të ishte 300 metra e lartë. Ata ranë dakord që ajo të ndërtohej në lartësinë 312 metrave, pra i shtohej edhe përmasa e dyfishtë e valës që krijohej. Po kështu, "vulën" e Stratobërdhës dhe kolegëve të tij mban edhe vlerësimi i situatës së mundshme të çarjes së digës së Fierzës. "Nëse kjo do të ndodhte, do të shkaktonte zhdukjen e të paktën 100 mijë personave më shumë se dy luftëra botërore bashkë. Uji do të mbërrinte deri në Shkodër, ku te kafja///// e madhe niveli mund të arrinte deri në një metër. Po kështu, nën ujë do të zhytej edhe e gjithë zona e Lezhës", shprehet profesor Pandi. Ai mban mend akoma me shumë saktësi edhe kostot e jashtëzakonshme të ndërtimit të Fierzës. Dhe rendit me shpejtësi, si ujërat e lumenjve shqiptarë, edhe miliardat e shpenzuara për këta gjigandë të energjetikës. "Për Fierzën në atë kohë u shpenzuan 20 miliardë lekë. 8 miliardë vetëm për pajisjet hidro-elektromekanike dhe plot 12 miliardë të tjera për montimin e tyre. Vetëm diga ka kushtuar 4 miliardë lekë", shton inxhinieri i vjetër.
Edukimi rus
I diplomuar në Bashkimin Sovjetik për ndërtim hidrocentralesh, korçari Stratobërdha, energjik dhe pasionant, nuk mund të mos linte gjurmët e tij edhe në Universitetin e Novoçerkaskut, që i pëlqen ta quajë si rusët e vjetër, "kryeqytetin e kozakëve të Donit". Në aleatin e dikurshëm ai ka kryer eksperimentin mjaft të rëndësishëm të forcave centrifugale, që edhe pse ishte student dhe pa tituj shkencorë, u vlerësua nga Këshilli i Lartë Shkencor në këtë vend. Përpara kthimit në atdhe u rekomandua nga autoritetet e universitetit për punë shkencore mbi hidrocentralet. Dhe ky emërtim nuk ju nda më pas për gjithë jetën. Ai ka modeluar projekte pas projektesh të veprave të ndryshme hidrike në të gjithë Shqipërinë. Pas kthimit u emërua shef i ndërtimeve hidroteknike të të gjithë vendit. Hidraulika dhe Statika kanë qenë dy lëndët që u ka shpjeguar për vite me radhë studentëve. Si shef i katedrës hidraulike-termoteknike të Politeknikut u bë njëri ndër themeluesit e degës hidroteknike që vazhdon edhe sot. Emri i Pandi Stratobërdhës nuk mund të mos ishte mes njerëzve që projektuan ndërtimin e Universitetit të Tiranës dhe laboratorëve të tij. Në katet e nëndheshme të godinës qendrore të politeknikut në korpusin "Nënë Tereza", studentët vazhdojnë të kryejnë orët e laboratorëve në qendrën eksperimentale të ideuar prej tij. Po në këtë laborator, kujton profesor Pandi, kemi realizuar me disa kolegë të tjerë problemet hidroteknike të hidrocentralit të Shkopetit dhe të Bistricës. Po kështu arritëm të përfundonim edhe studimin e pasurimit hidraulik të fosforiteve, që importoheshin me çmime të larta jashtë vendit. Ishin pikërisht këto kërkime shkencore, që i anëtarësuan ata në Shoqatën Ndërkombëtare të Hidraulikës me qendër në Francë.
Pengjet
Dy janë gjërat që i kanë mbetur peng inxhinierit 79-vjeçar. Mbyllja e degës së hidrocentraleve në Fakultetin e Inxhinierisë së ndërtimit ka qenë krejt e padobishme për të. "Këto vepra kanë nevojë të mirëmbahen nga specialistë dhe njohës të fushës", thotë ai dhe lëviz me nervozizëm duart si të protestojë për këtë padrejtësi. Po kështu e ka vrarë edhe mungesa e mbështetjes nga autoritetet shtetërore të një projekti që do të garantonte një herë e mirë kurorën e gjelbër shqiptare. Pas një studimi të hollësishëm të shtretërve të lumenjve, rezultoi se janë në total 30 mijë hektarë në të gjithë Shqipërinë, duke ju shtuar edhe 20 mijë hektarë në bregdet, propozuam që e gjithë kjo sipërfaqe të pyllëzohej me pisha të buta. Madje, edhe kostoja e saj ishte ekonomike, shton profesori, për një hektar duheshin 500 dollarë. Por, Këshilli Kombëtar i Ujërave nuk e përkrahu këtë projekt të iniciuar nga Instituti i Tokave, duke i lënë shtretërit e lumenjve në grackën e ngritur nga firmat e inerteve.
Profesori i moshuar, Pandi Stratobërdha, me pamjen e tij fisnike, vazhdon ende të punojë, duke besuar se vetëm dëshira, përkushtimi dhe puna shkencore-studimore do ta ndryshojnë të ardhmen.