Rruga e Elbasanit, dekor me gështenja
Rreth 90 pemë gështenjash kanë filluar të mbillen dje përgjatë Rrugës së Elbasanit, duke shërbyer jo vetëm si dekor i saj, por edhe për të shtuar përmasën e kurorës së gjelbër të kryeqytetit. Bashkia e Tiranës, përmes Ndërmarrjes së Punëtorëve Nr. 1 të saj, ka vijuar aksionin për mbjelljen e pemëve pas atyre në zonën e Unazës nga aksi i Zogut të Zi deri te Stacioni i Trenit, si dhe në zonën pranë Farmacisë 10. Kryebashkiaku Edi Rama, gjatë këtij aksioni theksoi se "janë 1500, pemët që iu shtuan këtë vit kryeqytetit dhe që rritën përmasën e gjelbër të tij, gjë që sigurisht nuk është fundi, por vijimi i një përpjekjeje për të shtuar kapacitetin e mushkërive të qytetit tonë, për të shtuar përmasën e tij të gjelbër". Premtimi për gjelbërimin në kryeqytet, sipas Ramës, do të vazhdojë jo vetëm në rrugët kryesore, por edhe në blloqet e banimit dhe njëkohësisht për të rritur edhe vetëdijen qytetare e kombëtare, se një Tiranë dhe një Shqipëri e re kërkon me patjetër një vëmendje përditë e më të madhe ndaj mjedisit dhe sigurisht edhe për të shtuar numrin e pemëve të larta apo të ulëta kudo në territorin tonë.