Pedagogjia origjinale e Mësuesit të Popullit
Çuditërisht, sa herë shkruajmë për Mark Vujin, na duket se nuk kemi shkruar asgjë. Thjesht, sado të shkruash, të mundon vazhdimisht mendimi se ke lënë shumë gjëra pa thënë e shkruar për këtë njeri, që arsimit në Lezhë si zor t‘i përafrohet kush. Së paku edhe për shumë dekada. Historia përsëritet rrallë. Aq e madhërishme, aq e dashur dhe e respektuar është për banorët e Lezhës dhe më gjerë figura dhe personaliteti i këtij njeriu, sa që ne, ish-nxënësit e tij, tashmë të thinjur, qytetarët e të gjitha kategorive, pushtetarët dhe intelektualët e të gjitha niveleve e mbajnë atë si ikonë të qytetërimit, të arsimit dhe edukimit, të humanizmit e të ndjenjës së përgjegjësisë për detyrat e ngarkuara, të njeriut simbol në komunitet dhe në jetën familjare, të ... Ai i ka mbushur të 78-at, por merret intensivisht me punë intelektuale, shkencore e pedagogjike, është gjithnjë mes nxënësve dhe mësuesve, drejtuesve të shkollave dhe studiuesve të rinj. Atë e gjen ose në shkollë, duke u marrë me trajnimin e mësuesve pas një ftese që i bën sektori i kualifikimit në DAR, në "studion" e tij, në dhomën e shtëpisë, duke skeduar, shkruar ose duke lexuar e studiuar, ose në bibliotekën publike të qytetit, ose në ndonjë aktivitet social-kulturor, historiko-shkencor, pedagogjik e letrar.
Mark Vuji është malësor tipik i Malësisë së Madhe, nga Hoti, ku edhe lindi e kaloi vitet e para të fëmijërisë së hershme. Fëmijëria e tij ishte e vështirë. Aq më tepër që u rrit jetim. Që në moshë të re ai punoi për pak vite si mësues në fshatrat e Shkodrës dhe të Matit. Ndërsa në vitin 1957, në moshën 27 vjeç emërohet drejtor i shkollës së mesme të përgjithshme "Hydajet Lezha" në Lezhë, e cila i hapi dyert e saj në këtë vit. Ndjesia për të dhe kolegët e tij të atyre viteve ishte e veçantë, pasi gjimnazi ishte e vetmja shkollë e mesme e një rrethi edhe për shumë e shumë vite të tjera. Ndoshta është rast unikal që një drejtues punon për 30 vjet rresht pa u shkëputur në të njëjtën shkollë, siç është rasti i drejtorit Mark Vuji. Me vullnetin e tij prej Prometeu, ai përfundoi studimet e larta dhe studionte, qëmtonte e kërkonte çdo element të ri didaktik dhe çdo teknikë të re të mësimdhënies. Veprimtaria shkencore e prof. Mark Vujit është e gjerë, e larmishme dhe tepër dinamike. Ai vazhdon të shkruajë e të botojë monografi e studime me tematikë sociale e psikologjike, didaktike e pedagogjike, historike e metodike. Ka aq shumë botime ndër vite sa ai radhitet ndër studiuesit më seriozë e nivel në shkallë kombëtare. Studimi i këtyre ditëve me titull: " Filozofia arsimore e At Gjergj Fishtës", që është vënë në qarkullim, është studimi më i plotë dhe më i vlerësuar i këtij lloji dhe që provon se Mark Vuji është studiuesi që formohet një herë në një shekull, se ai është mësuesi madhështor i një qyteti, që të tillë s‘ka pasur historikisht. Ai, siç shkruante një studiuese, ish-nxënëse e tij, pati gjithë jetën Lezhën për familje, na pati ne nxënësve për fëmijë. Dhe te ky parim universal pedagogjik gjendet respekti për veprën dhe fjalën e tij. Lezha, siç thotë shpesh ai, ia ka shpërblyer tek i ka dhënë titullin e lartë "Nderi i Qytetit", ndërsa titullin "Mësues i Popullit" dhe gradat e titujt e tjerë shkencorë i ka fituar vetëm me punë.