Fermerët, 10 milionë dollarë subvencionimi për këtë vit
Rreth 10 milionë dollarë është parashikuar që të jetë niveli i subvencionimit nga ana e buxhetit të shtetit për fermerët që do të punojnë sipas një regjimi të disiplinuar produktesh, i sugjeruar ky nga ana e Ministrisë së Bujqësisë.
"Pas një përdorimi të pagesave direkte për fermerët, për herë të parë pas 17 vitesh, gjatë vitit 2007, fondi buxhetor i vitit 2008 është dyfishuar në rreth 10 milionë dollarë", u shpreh dje gjatë një daljeje publike ministri i Bujqësisë, Jemin Gjana. Sipas tij, vendimi i Këshillit të Ministrave për kriteret e përdorimit të këtij fondi është miratuar në mbledhjen e datës 4 janar 2008. Gama e zbatimit të mbështetjes financiare premtohet se do të jetë shumë më e gjerë se ajo e vitit të kaluar. Përveç mbështetjes për frutikulturën, ullirin dhe vreshtarinë, që u bë faktike një vit më parë përmes një fondi prej 4.5 milionë dollarësh, këtë vit subvencionimi do të shtrihet më tej. Kreu i Bujqësisë ka deklaruar se "do të fillojë mbështetja me pagesa direkte edhe për blegtorinë, vajin ekstra virgjinë, certifikimin për produktet bio, pajisjet ftohëse, bashkëfinancimi për investime për shoqatat dhe kooperativat e reja". Ministri Gjana saktësoi se të gjitha detajet dhe kriteret e përdorimit do të bëhen publike sapo në zbatim të vendimit të Këshillit të Ministrave të bëhet gati udhëzimi i përbashkët me Ministrinë e Financave. Kjo do të thotë që shuma e parave për investimet që do të bëjnë fermerët në tokat e tyre, do të përcaktohet me detaje lidhur me sipërfaqen e tokës së mbjellë me njërën nga kulturat e cilësuara, apo për projektet lidhur me ngritjen e fabrikave të përpunimit, stalla të reja blegtorale etj. Ministri i Bujqësisë ka shpjeguar dje edhe punën që është bërë pas dy vitesh kontrolle, analizash dhe evidencimi të problematikës në ndarjen e tokës bujqësore. "Janë kaluar për miratim dy projektligje të rëndësishme. Ato synojnë që përgjatë vitit 2008 të rrisin sigurinë e titujve të pronësisë të fituar në mënyrë të ligjshme", tha Gjana. Sipas tij, një Task-Forcë në nivel qendror e lokal, nën drejtimin e Komisionit Qeveritar të Tokës, i cili do të marrë kompetenca dhe përgjegjësi të reja ligjore, do të kontrollojë, penalizojë dhe disiplinojë të gjitha shkeljet ligjore të konstatuara në ndarjen e tokës bujqësore. "Kjo do të konsolidojë pronësinë mbi tokën, si dhe do të përmirësojë tregun e shitjes dhe tregun rental të saj", ka premtuar Gjana. Po kështu, u pohua fakti se ka përfunduar hedhja e të dhënave për regjistrin e fermave dhe menjëherë do të fillojë përgatitja e shpërndarja e kodeve për çdo fermer. "Përmes kësaj do të lehtësohet zbatimi i ligjit për TVSH-në në bujqësi. Fermerët për herë të parë do të marrin 6 për qind rimbursim për produktin e shitur kundrejt faturave tatimore dhe kodit përkatës", u shpreh drejtuesi i Ministrisë së Bujqësisë.