Ndoka: MSH e vendosur kundër monopoleve në tregun farmaceutik
Në shtypin e sotëm është botuar një letër e hapur e Urdhrit të Farmacive, në të cilën hidhen akuza dhe atakohen ministri e Ministria e Shëndetësisë. Në respekt të opinionit publik dhe të politikës së pandryshuar të Ministrisë së Shëndetësisë, për të bërë transparente të gjitha vendimet dhe qëndrimet e saj, jemi të detyruar të sqarojmë se të gjitha akuzat që bëhen janë spekulative e të pavërteta. Thelbi i marrëdhënieve të muajve të fundit midis ministrisë dhe Urdhrit të Farmacistëve nuk janë moskorrektesa administrative, por qëndrimet diametralikisht të kundërta në raport me politikat spekulative dhe monopolet në tregun farmaceutik.
Urdhri i Farmacive, siç thekson edhe vetë, ka nisur shkresa e kërkesa të shumta në formë ultimative gjatë muajit të fundit. Ata janë pritur në takim nga ministri, por pretendimi i tyre për të miratuar çdo kërkesë e sugjerim të tyre, edhe kur ai vjen në kundërshtim me ligjet në fuqi, është sa i papranueshëm aq edhe i rrezikshëm. Ne vlerësojmë sugjerimet pozitive, ashtu siç do të vlerësonim një rol konkret dhe aktiv të këtij Urdhri kundër asaj pjese të sektorit farmaceutik që abuzon me ligjin dhe profesionin.
Lidhur me çështjet e reformës ligjore, Ministria e Shëndetësisë sqaron se ajo vepron si pjesë e qeverisë shqiptare dhe ka përgjegjësitë e saj në detyrimet e qeverisë shqiptare për përmbushjen e standardeve të integrimit në Bashkimit Evropian. Një prej këtyre detyrimeve është edhe lehtësimi i barrierave për tregun farmaceutik, si një masë efektive dhe e domosdoshme antimonopol dhe antikorrupsion. Programi dhe procedurat për rishikimin e bazës ligjore në këtë drejtim janë pjesë e paketës rregullatore, e cila koordinohet dhe drejtohet nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës.
Në planin politik, Ministria e Shëndetësisë është tërësisht e vendosur dhe e angazhuar të ndërmarrë çdo nismë ligjore dhe administrative, që mundëson heqjen e monopoleve në tregun farmaceutik, për t‘u siguruar qytetarëve shqiptarë në nevojë barna cilësore dhe alternative, sipas praktikave të mira të njohura dhe të zbatuara në të gjitha vendet e Bashkimit Evropian. Në këtë angazhim, ministria mirëpret dhe kërkon kontributin pozitiv dhe konstruktiv të të gjithë faktorëve dhe institucioneve shëndetësore, që veprojnë në kuadër qeveritar e joqeveritar, si edhe të medias, si një aktor i rëndësishëm në promovimin dhe mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve e të shoqërisë.