E Diel, 1 Nëntor 2026

Borxhi, 400 milionë euro çdo vit

Shqipëria do të marrë mesatarisht 200 deri në 400 milionë euro kredi tregtare në tregun ndërkombëtar. Lajmin e ka bërë të ditur zëvendësministri i Financave, Sherefedin Shehu, i cili deklaroi se për momentin, borxhi në valutë mbetet alternativa më pak e kushtueshme për qeverinë. Shqipëria nuk mund të përfitojë më borxh me interesa të buta nga donatorët, për shkak se vendi ynë klasifikohet tashmë si një ekonomi në zhvillim dhe jo më si një vend i varfër. Për këtë, e vetmja rrugë e financimit të investimeve publike, përveç burimeve të brendshme kanë mbetur kreditë e huaja në tregun ndërkombëtar me interesa tregtare. Në maj, qeveria ka parashikuar të emetojë rreth 200 milionë euro obligacione në valutë me afat dhjetëvjeçar.

Kreditë në valutë, më lirë

Por, kreditë e huaja në valutë mbeten alternativa më e mirë dhe shumë më pak e kushtueshme nga borxhi që qeveria merr te bankat tregtare në vendin tonë. "Normat e interesit për kreditë në euro janë dy herë më të ulëta se ato që ne marrim në lekë", thotë zëvendësministri i Financave, Sherefedin Shehu. Por, krahas kësaj, borxhi publik në lekë vazhdon të bëhet më i kushtueshëm nga dita në ditë. Rritja e normës bazë të interesit për lekun nga Banka Qendrore ka rënduar llogarinë e qeverisë, e cila duhet që për vitin 2008 të paguajë rreth 2.5 milionë euro më shumë për interesat e borxhit. Në dy vite, kostoja e borxhit të brendshëm është rritur me 2.25 pikë përqindjeje, çka bën që efekti i saj për qeverinë të jetë më shumë se 10 milionë euro.

Borxhi i jashtëm

Deri në vitin 2006, borxhi i jashtëm në Shqipëri arriti në 1.8 miliardë dollarë, ndërsa në vitin 2008 ai pritet të arrijë në gati 2.7 miliardë dollarë, ose e thënë ndryshe çdo shqiptari do t‘i duhet të paguajë gati 900 dollarë për shlyerjen e tij. Nëse e krahasojmë me eksportin e mallrave, borxhi i jashtëm afatgjatë i vendit është sa për 3 vjet eksporte. Rritja e borxhit vjen për shkak se qeveria ka vendosur që të investojë më shumë seç janë mundësitë e vendit për të kursyer. Borxhi publik ka rikthyer sërish debatin mes qeverisë shqiptare dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar. Shkak këtë radhë kanë qenë përpjekjet e qeverisë shqiptare për të tregtuar borxhin e brendshëm në valutë. Kjo duket se nuk i ka pëlqyer Fondit Monetar, i cili ka vendosur kusht se nëse qeveria do të përpiqet të emetojë borxhin e brendshëm në valutë, atëherë ky borxh do të klasifikohet si i jashtëm.

Totali

Sipas të dhënave zyrtare për vitin 2007, borxhi publik në Shqipëri e kaloi shifrën e 540 miliardë lekëve. Ndërsa më borxhin e parashikuar për t‘u marrë gjatë këtij viti, borxhi publik në Shqipëri pritet të arrijë në 620 miliardë, ose e konvertuar gati në 7.5 miliardë dollarë. Kjo do të thotë se vetëm për principalin e tij çdo shqiptar duhet të paguajë gati 2300 dollarë. Borxhi publik është rritur me gati 130 miliardë lekë nga viti 2006 deri në vitin 2008, ndonëse në raport me Produktin e Brendshëm Bruto ai ka ardhur duke u ulur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›