CIA: Shqipëria mbetet informale
Agjencia Qendrore e Inteligjencës Amerikane, ose CIA siç njihet ndryshe, vlerëson se informaliteti në Shqipëri vazhdon të jetë në përmasa të mëdha dhe nuk ka ndryshuar pothuajse fare gjatë viteve të fundit. Sipas një vlerësimi të bërë për vitin 2007, CIA vlerëson në librin e saj "CIA World Fact Book", se ekonomia shqiptare është sa 50 për qind e Produktit të Brendshëm Bruto. Masat e marra nga qeveria në kuadër kundër luftës së informalitetit dhe trafiqeve të ndryshme duket se nuk kanë dhënë efektin e pritur. Produkti i Brendshëm Bruto në Shqipëri ka arritur në 11.2 miliardë dollarë. Por, sipas CIA-s, gati 5.6 miliardë dollarë të tjera janë para, që nuk kalojnë përmes kanaleve të ligjshme dhe që gjenerohen nga evazioni, kontrabanda, trafiqet dhe aktivitetet e tjera të paligjshme.
Rritja ekonomike
Agjencia e Shërbimeve Sekrete Amerikane hedh poshtë edhe pretendimet e qeverisë për një rritje ekonomike prej 6 përqindësh. Në bazë të vlerësimeve paraprake, CIA mendon se në vitin 2007 ekonomia shqiptare u rrit vetëm me 5 për qind. Në fakt, dyshimet e para për nivelin e rritjes ekonomike gjatë vitit të kaluar kishin ardhur nga Banka Botërore, e cila me anë të vlerësimeve të saj ka dhënë një tregues që duket se është në përputhje me zhvillimet në ekonominë shqiptare. Ndryshe nga vlerësimi në fillim të vitit 2007, nga 6% rritja ekonomike është vlerësuar nga BB se ka qenë vetëm 5.5 për qind. Ndonëse Ministria e Financave, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore kishin bërë fillimisht vlerësime shumë pozitive në vitin 2007, duket se sërish ekonomia shqiptare nuk ka mundur të arrijë objektivat. Për vitin e kaluar, ekonomia shqiptare ka ruajtur të njëjtat ritme rritjeje si në 2005-ën, duke mos mundur që të dalë nga kriza e energjisë që e kishte përfshirë që në vitin 2006. Treguesit e shumtë të botuar gjatë këtij viti që lamë pas, nga shumë institucione, treguan se vendi u përball me një rritje të çmimeve të konsumit, si edhe të kostove të biznesit. Banka Qendrore, duke parë pritjet në rritje inflacioniste, rriti 3 herë normën bazë të interesit për lekun, duke i bërë investimet më të shtrenjta për biznesin, si pasojë e rritjes së kostos së parasë në ekonomi.
Shqipëria
CIA vlerëson se Shqipëria po kalon një tranzicion të vështirë nga regjimi komunist drejt ekonomisë së hapur të tregut të lirë. "Qeveria ka marrë masa për të luftuar krimin dhe së fundmi adaptoi një paketë fiskale, që ka për qëllim të reduktojë ekonominë e madhe gri dhe të tërheqë investimet e huaja", vlerëson CIA. Sipas saj, sektori i bujqësisë, që jep më shumë se 20 për qind të PBB-së, është i prapambetur për shkak të teknologjisë së vjetruar, problemeve me pronat dhe copëzimit të tokës. "Kriza energjetike dhe infrastruktura e dobët janë një pengesë për investimet e huaja dhe e bëjnë klimën e biznesit në vend jo shumë tërheqëse", vlerëson CIA. Po kështu, edhe prodhimi industrial në vend vazhdon të rritet me ritme shumë të ulëta. Gjatë vitit që lamë pas, prodhimi i industrive u rrit vetëm me 2 për qind, ritëm ky gati 2.5 herë më i ulët se sa rritja ekonomike. Industria përbën 20.3 për qind të GDP-së në Shqipëri, nivel ky pak më i ulët se ai i bujqësisë. Pjesën më të madhe të Prodhimit të Brendshëm Bruto e japin shërbimet me gati 58 për qind.