E Diel, 1 Nëntor 2026

Sofja, qyteti i harruar

Nga e kaluara sovjetike tani nuk ka
ngelur më asnjë shenjë në Sofje.
Asnjë simbol, përveç ikonave të
vjetra të kohës bizantine. Mauzoleumi i
shokut Georgi Dimitrov, themeluesi i Bullgarisë
socialiste, i ndërtuar brenda gjashtë
ditëve e gjashtë netëve, tani nuk është
më. Edhe pallati i dikurshëm mbretëror
sot është bërë selia e muzeut etnografik,
ndërsa shtëpia e partisë, ish-tempulli i
dikurshëm socialist, është shndërruar në
kinema dhe diskotekë madhështore.
Dikur, për perëndimorët shteti i vogël socialist
që shtrihej në juglindje të Evropës
dhe në veriperëndim të gadishullit ballkanik
ishte krejtësisht i panjohur, ishte
thjesht një zonë e verbër në hartën
gjeografike. Në qendër, rrugët e pastra,
gjelbërimi pa fund, butikët dhe supermarketet
madhështore anembanë vendit
i japin një tjetër pamje dhe njëkohësisht
varrosin kohët e ashpra të komunizmit.
Në të njëjtën rrugicë mund të ndeshesh
me sinagogat hebraike, xhamitë myslimane
dhe kishat ortodokse në stilin neobizantin,
të shohësh koleksionet arkeologjike
apo ikonat e mrekullueshme të
mbledhura nga gjithë vendet evropiane
të Lindjes, të vendosura bukur në katedralen
Aleksandër Nevski, e trashëguar
nga bullgarët që në vitin 1912, për të
falënderuar rusët që i çliruan nga sundimi
shumëshekullor otoman. Në të gjithë
vendin punohet me euro, edhe pse hyrja
e monedhës së përbashkët evropiane
duket se do të vonojë të paktën edhe disa
vjet. Në kryeqytet janë hapur restorante
italiane dhe kafe franceze. Të rinjtë flasin
një anglishte të kuptueshme dhe shumë
prej tyre një italishte që të mahnit. Të zhgënjyer
nga 18 vjet kapitalizëm postkomunist
dhe pesimistë mbi nivelin e korrupsionit
të vendit, janë të shumtë ata që
mendojnë se roli kryesor i institucioneve
evropiane pas hyrjes nw BE do të jetë ai që
të vëzhgojë me kujdes sjelljen e klasës
drejtuese dhe të kufizojë në maksimum
shkeljet e të drejtave të njeriut e padrejtësitë.
Që nga rënia e komunizmit, ata
që kanë lënë vendin kanë qenë fshatarët
që shohin në kantieret ose në familjet e
Spanjës dhe Italisë mundësitë e vetme
për të fituar, si dhe me mijëra të diplomuar
që kanë gjetur një punë shumë herë më
të paguar se në vendin e tyre në Francë
apo në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në qytet thuajse nuk ekziston asnjë familje
që nuk ka të paktën një të afërm në
Perëndim. Problemi nuk qëndron vetëm
te varfëria, por mbi të gjitha te pasiguria e
një vendi, që në fillim ka parë elitat e saj të
shkatërruara nga komunizmi dhe pastaj
fuqinë të përfundojë në duart e ish-komunistëve.
Lufta kundër korrupsionit tani
është një prioritet absolut. Shpresa e një
të ardhmeje më të mirë u është besuar të
rinjve krenarë, që nuk mendojnë për t‘u
larguar nga vendi i tyre. Sot, Sofja, pas asaj
të kaluare të trishtueshme, është pa dyshim
qendra kryesore administrative, industriale,
universitare i të gjithë vendit. Me
një popullsi prej 1.3 milionë banorësh,
është njëkohësisht edhe qyteti më i madh
dhe me dendësinë më të madhe të popullsisë
në republikën bullgare. E vendosur
në pjesën perëndimore të vendit, nën
hijen e malit Vitosa, në vend numërohen
rreth 16 institute universitare, mes të
cilave edhe Universiteti i Sofjes i themeluar
në vitin 1889.
Ekonomia
Gjithçka nga ndërmarrjet e kaluara
është fshirë dhe në Sofje gjenden rreth 800
shoqëri të mëdha private. Si rrjedhojë e
ekonomisë së planifikuar, rreth 50 për
qind e GDP-së prodhohet në kryeqytet.
Janë përqendruar selitë qendrore të institucioneve
financiare. Rroga mujore në
Sofje është më e lartë në gjithë vendin,
rreth 530 leva, ndërsa në sektorë më të
vështirë mund të arrijë deri në 680 leva.
Shpresa
Në 1 janar të 2008 u mbush plot një vit
që nga hyrja e vendit në BE. Megjithatë,
studimet e ndryshme e kanë klasifikuar
Bullgarinë në vend të fundit mes vendeve
anëtare të BE-së. Standardi i jetesës është
rreth 60% nën mesataren e 27 shteteve
të Bashkimit Evropian. Por shpresa vdes
e fundit. Bullgarët e Sofjes mendojnë se
2008 do të jetë një vit ndryshe, që do të
forcojë akoma më shumë pozitën e tyre në
Evropë.
Vajzat, kirurgjia plastike
dhe patatet e skuqura
Nëse keni vendosur të kaloni mbrëmje
të këndshme në kryeqytetin bullgar, është
më mirë nëse vendosni të mos lini pas
dore edhe jetën e natës, kazinotë dhe
lokalet e vogla. Vërtet që në këtë pikë Sofja
të mahnit. E pret nga Budapesti, Sllovakia,
Rumani madje edhe nga Hungaria,
por sigurisht jo nga kryeqyteti bullgar.
"Happy grill" është një pab plot me ekrane
gjigande, sipas stilit të MTV, ku të rinjtë
hanë hamburger dhe ushqime të shpejta
të "McDonald‘s". Vajzat kërcejnë mbi tavolina
nën ritmin e shfrenuar të muzikës,
ndërsa në fund të banakut një burrë në
moshë të mesme thërret me zë të lartë: "Si
ta kaloni natën shkëlqyeshëm. Mund ta
mbash gjashtë orë. 16 apo 17 apo 18 vjeç...
Si e doni? Vajza fantastike. Në disko, në
hotel, në shtëpi, ku të duash! Dyqind euro
për gjithë natën. Ku gjen më mirë? Ai që i
bën reklamë "mallit" të tij, është një bullgar
me një palë syze të mëdha të vëna në
sy, që tregon se klientët më të shpeshtë
janë italianët. Pasi e përsërit disa herë "ofertën",
bullgari lë në tavolinë ngjitur me
pjatën e mbushur me patate të skuqura,
një kartëvizitë. Me sa duket, turizmi seksual
është fati i pashmangshëm në marrëdhëniet
mes vendeve të pasura dhe atyre
në zhvillim. Një tjetër bum në Sofje gjatë
vitit që sapo u mbyll pati edhe biznesi i
lidhur me kirurgjinë plastike.
Ajo filloi të hynte në jetën e njerëzve të
arsimuar dhe me një pozitë të mirë zyrtare
dhe shoqërore, sidomos pas shfaqjes së një
programi në televizionet vendase që tregonte
se si mund të shndërroheshe në një
tjetër njeri falë bisturisë. Në të gjitha klinikat
në qytetet kryesore të vendit punojnë
rreth 30 kirurgë plastikë, të cilët së bashku
bëjnë mes 2500 dhe 3000 operacione në vit
me çmim shumë herë më të ulët se në
Evropën Perëndimore apo në SHBA.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›