E Diel, 1 Nëntor 2026

Kreditë, Japonia zëvendëson BB-në

Dalja e Shqipërisë nga harta e vendeve me të ardhura të ulëta dhe klasifikimi i saj si një ekonomi në zhvillim ka shuar përfundimisht mundësitë e vendit tonë për të përfituar kredi me terma të buta nga donatorët. Në këtë pikë, qeveria shqiptare po detyrohet të gjejë rrugë të tjera financimi për investimet publike. Alternativa kryesore dhe më e mundshme mbeten kreditë në tregun e lirë ndërkombëtar, ku normat e interesit padyshim që janë më të larta se kreditë që vendi ynë ka marrë deri më tani nga Banka Botërore, BERZH-i apo dhe ndonjë institucion tjetër i huaj. Por, së fundmi, qeveria shqiptare duket se ka gjetur një tjetër partner, që me sa duket do të zëvendësojë Bankën Botërore. Japonia ka pranuar të japë 73 milionë euro borxh me terma të buta për Shqipërinë, ndërkohë që zyrtarë të Ministrisë së Financave deklarojnë se financimet nga ky vend pritet të jenë më të mëdha. Madje, kjo është konfirmuar edhe nga vetë Kryeministri japonez Fukuda, i cili siguroi se ndihma e qeverisë japoneze për Shqipërinë do të jetë e vazhdueshme, për të kontribuar në suksesin e reformave në vend. Në këtë kuadër, Kryeministri Fukuda i bëri të ditur Kryeministrit Berisha se qeveria japoneze do të japë një kredi të butë prej 12 miliardë jenësh për projektin e sistemit të kanalizimeve dhe përpunimit të ujërave të zeza në Tiranë, si dhe do të shqyrtojë mbështetjen e projekteve të tjera në energjetikë, arsim, në fushë e minierave, të mjedisit etj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›