Bota ku besonte Lewis
Gjithçka nisi nga një rrëfim. Sinclair Lewis ishte vetëm një fëmijë 10 vjeç, kur i ati, psikolog i njohur, i dhuroi një ditar. "Këtu do të shkruash gjithçka çfarë mendon. Për vizitat te gjyshja në fshat, por edhe për mua dhe mamanë, apo shokët". Dhe Sinclair, një fëmijë me trup të imët, një mbrëmje hapi bllokun kur fytyra e së ëmës nuk iu përkul më mbi shtrat për t‘i uruar "natën e mirë". Ai nisi të shkruante për mëngjesin kur ajo ndodhej si një kukull, në një "arkë me ngjyrë", lotët e tezeve të tij, dhe fytyrën e babait. Njerëzit e veshur me të zeza që kishin mbetur ende në shtëpi, dhe si mund të ishte jeta e tij pa atë. Për ditë me radhë në atë dhomë të vogël të familjes Lewis, djaloshi do të lutej në atë ditar të vogël mes rreshtave Zotit për t‘ia kthyer të ëmën. Asgjë nuk do të donte më shumë, sesa ta shihte edhe njëherë me atë fustanin e saj nën gju, të buzëqeshte në derë. Një rrëfim që nisi me vdekjen, do të kthehej në vendin ku Sinclair gjente ngushëllimin e vetëm në atë adoleshencë të vështirë në fshatin Sauk Center Minnesota. Martesa e mëvonshme e të atit me një grua krejtësisht ndryshe nga e ëma, Isabel Warner, do ta bënte atë një vëzhgues të kujdesshëm të situatave familjare për të ndjerë ndryshimin mes "dy dashurive të të atit".
"E shkruara qe shpëtimi im", do të shprehej më vonë një nga personazhet më të njohur të letërsisë amerikane, shkrimtari i parë që çoi çmimin "Nobel" në SHBA.
Më 1902, Sinclair do të hynte në Universitet, studime që mundi t‘i mbaronte pas peripecive të ndryshme për shkak të kohës.
Fillimisht ai shkruan poezi romantike, për të vijuar me prozën e shkurtër ku do të ndalej më pas gjatë. Pas një periudhe në shtyp, Leëis nis të kërkojë konceptin e lirisë, duke e kthyer jetën e tij në një eksperiment të kësaj ndjenje. Çdo të thotë të jesh një burrë i lirë dhe ku është limiti i lirisë për një person, janë në qendër të novelave të para të Lewis. Si një burrë gjithnjë në kërkim, nga koha e rinisë së tij kujtohet një novelë kushtuar grave, ku Lewis tregon se sa i kushton një burri një histori dashurie.
Por një "burrë i guximshëm", kështu e quajnë kritikët amerikanë edhe në ditët e sotme, karakterin e Lewis. Një njeri që u mundua që situatat e tij personale, konfliktet dhe jetën plot ngjyra në një vend ku mund të gjejë të gjitha qytetërimet, t‘i kthente në shërbim të asaj çfarë donte më shumë, të shkruarit. Kohë më pas mund të gjesh edhe kritika mbi mënyrën sesi Lewis e konceptonte jetën në një vend me kombësi të ndryshme si Amerika. Por ajo çfarë në thelb është e rëndësishme është fakti se ai mundi të depërtonte brenda një ishulli të madh dhe të zhurmshëm dhe të gjente ata personazhe që në të vërtetë do të tregonin më pas të shkuarën. Letërsia e tij është e madhe pasi nëpërmjet saj mund të shohësh dhe mënyrën sesi kanë evoluar konceptet, idetë në vendin që sot mbahet si kulmi i qytetërimit.
"Një burrë i dashuruar me qytetin", gjejmë të shkruar sot në revistat e ndryshme amerikane. Dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe, një dashnor i alkoolit siç ishte Lewis. Çmimi "Nobel" do të ndryshonte shumë gjëra në jetën e Leëis. Nëse deri në atë periudhë ishte thjesht një shkrimtar i njohur amerikan, librat e tij nisën të përkthehen në të gjithë botën. Është interesante mënyra sesi shkrimtarët konfortohen me famën. Lewis është një nga ata shkrimtarë që nuk mund ta suportonte dot fuqinë e të qenurit në qendër të vëmendjes, aq sa diku do të shkruante se "e shihte jetën si shkiste çdo ditë para syve". Mik i emrave më të njohur të letërsisë së kohës, ai nisi një periudhë udhëtimesh nga një shtet në tjetrin. Por asnjë qytet, as ai më i ngjashmi me ato që Lewis i kishin provokuar të shkruarin, nuk mund ta qetësonin dot këtë burrë. Shkrimtari që e quante Amerikën "më kontradiktoren, më depresiven dhe më të pastrën të së gjithë botën" tashmë ishte aq i ngjashëm vetë me këtë shprehje. Pena e tij do të prehej më shumë këtë kohë, gjë e cila shihet te novela "Çfarë po ndodh këtu" me një frymë antifashiste. Vitet e fundit të jetës ai i kaloi në Romë, një qytet ku kishte mbërritur për t‘i dhënë fund romanit "Bota sa pafundme", i cili do të botohej pas vdekjes. Lewis vdiq më 10 janar të vitit 1951 kur ishte vetëm 65 vjeç i alkoolizuar, ndërsa kritika e quajti si një nga humbjet e mëdha të artit.
Por nëse sot kritika vijon të analizojë shpesh letërsinë e shkrimtarëve duke u nisur dhe nga jeta e tyre private, Lewis ka lënë shumë pak gjurmë për të hulumtuar. Historitë e tij nisnin dhe mbaronin si një libër, dhe askush nuk mund të ndalet sot për të thënë se cila prej tyre ka dhembur më shumë në shpirtin e shkrimtarit.