Jeta brenda kishës
"Frat keni njohur ndonjë vajzë para se t‘i hynit besimit?" Fytyra e frat Viktorios humb për një çast, pastaj thotë "po". "E keni dashur Viktorio?" Tashmë ai heq duart nga revista "Hylli i Dritës", ku po më linte një autograf, fjala e fundit e të cilit ishte "dashuri", dhe më thotë se nuk do ta komentojë këtë. Pastaj teksa hedh vështrimin në bibliotekën e madhe që ka zënë këtë kthinë të Kuvendit françeskan, thotë se "është si të zgjedhësh mes dy të mirave". "Problemi qëndron se kjo është një zgjedhje mes dy të mirave. Nuk është se zgjedh diçka dhe refuzon diçka tjetër. Atëherë personi bën një zgjedhje, e cila është personale. Ai lë diçka të mirë për të marrë diçka tjetër, që mund të jetë më e mirë", thotë ai. Si jeta në martesë dhe jeta e këtij frati para kishës janë në të njëjtin nivel. Të dy kanë një rëndësi shumë të madhe, si personi që krijon familje, ashtu dhe një frat që i përkushtohet përkujdesjes për të tjerët, ose "bashkësisë", siç thotë ai.
Është e mërkurë dhe përtej derës së madhe të drunjtë të bibliotekës françeskane dëgjohen pikat e shiut. Shkodra merr një tjetër pamje këto ditë janari. Ashtu si në rrëfimet e të huajve, që pasi kaluan rastësisht në këtë qytet, u ndalën për të ndenjur gjatë, shiu i jep një pamje melankolike qytetit. Makinat kalojnë rrallë në rrugën e ngushtë të Gjuhadolit, në zonën lindore të qytetit, ku tre murgesha çapiten për diku. Vitet ‘90 i kthyen kësaj lagjeje me shtëpi tipike orientale, takimet e ligjshme me Zotin. Kisha e madhe që ndodhet pak më tej kishës së fretërve ku ndodhemi, gjatë komunizmit ka qenë e kthyer në pallat sporti, ndërsa kjo hapësirë e fretërve françeskanë, që ngjan si një tablo tipike dimri nga jashtë, ka qenë kinema punëtori. Në këto rrugica të ngushta, të dielave besimtarët bëjnë takimet rituale me priftin. Në këto 17 vjet gjithçka ka ardhur në formën që ka ekzistuar gati një shekull më parë dhe historitë e lutjeve fshehurazi, apo kur dhe "Zot më ndihmo" pëshpëritej me frikë në banesat e vogla të këtij qyteti, tashmë i përkasin së shkuarës. Çdo kush mund të "pastrojë shpirtin" në një kënd të kësaj kishe, përballë një frati…
Në bibliotekën e madhe françeskane tashmë ka hyrë dhe frat Frani. Ka veshur rrobën e gjatë të kishës, ndërsa në fytyrë ca sy i qeshin. "Është një jetë si gjithë të tjerat", thotë ai, ndërsa kërkoj të dijë nga Viktorio se si ndodhi që ai u bë frat? Dhe në u mungon këtyre djemve, jeta që mund të bëhet përtej hapësirave të këtij Kuvendi. Apo cila është ajo forcë që i bën ata të lënë një jetë të zakonshme plot me "mëkate" të bukura dhe të kalojnë ditët e netët në këtë kthinë…
"Kam veshur këtë rrobë me dëshirën time maksimale. Nuk mund ta shpjegoj se si ndodhi, por është si të biesh në dashni", thotë Frani. Ai e quan një raport dashurie marrëdhënien e tyre me Zotin dhe detyrimet kanë kuptim vetëm në këtë raport. Frani ka studiuar Inxhinieri Miniere dhe pas studimeve do të vihej në kontakt me teologjinë, do të lexonte literaturë nga fe të ndryshme, deri sa ndjeu se i përkiste pikërisht këtij besimi. "Lexova Kuranin, Biblën, kam shkuar tek ishtarët dhe te hoxha për të filluar mësimin e fesë. Jam pagëzuar në kishën ‘Zemra e Krishtit‘ në Tiranë në vitin 1995", thotë Frani. Prej vitesh ai është një njeri krejtësisht i qetë në raport me të brendshmen e tij. Disi e çuditshme kjo të dëgjohet nga një njeri që vjen nga jeta që bëhet jashtë këtyre mureve, ku çdo ditë do të duhet të përballesh me vuajtje, luftë, apo sakrificë. Por Frani është i qetë. Ai e di se çfarë është e mirë për zemrën e tij dhe cila është ajo që duhet të bëjë në jetë. Ndoshta kjo gjë për të do të thotë më shumë se të ishte një bashkëshort, apo një i ri si dhjetëra të tillë që pamë në lokalet e zakonshme të qytetit që qëndronin me orë të tëra me një kafe. "Të gjitha këto dhurata që njeriu ka në jetën përtej këtyre dyerve, si të qenit baba, bashkëshort, spostohet në shërbim të të tjerëve. Sigurisht që kjo nuk kompensohet, por plotëson atë kërkesë si me qenë babë ndaj një bashkësie. Dhe kjo gjë ka kuptim vetëm në fushën e fesë", thotë ai. Frani është nga rrethi i Mirditës, ku ka shumë shembuj njerëzish që kanë kontribuar në këtë fushë, si dom Nikollë Kimza, dom Preng Suli, etj. Frani është i bindur se ka bërë zgjedhjen e duhur dhe se do të jetë përjetësisht një misionar i betuar i kishës.
Po Viktorio? Ky djalë që nuk duhet t‘i ketë kaluar të 30-at, që ka lidhur një shall të zi në qafë, që dallon në rrobën e gjatë që mban mbi trup është një ishtar, frat françeskan, i cili prej katër vitesh merret me sistemimin e bibliotekës françeskane, të njohur për shumëllojshmërinë e botimeve që datojnë vite më parë që ruhen aty. Viktorio, si ndodhi që u veshët frat?
I mësuar që pyetjet që i bëhen shpesh nga shtypi janë për bibliotekën, Viktorio nuk heziton të rrëfehet, megjithëse ashtu si Frani për të është diçka tepër e vështirë për të shpjeguar "thirrjen". "Është vërtet diçka tepër e vështirë për t‘u treguar. Pasi më duhet t‘ju flas për thirrjen, për përkushtimin që ti ke ndaj Zotit, është diçka që nuk mund të shpjegohet në një intervistë", thotë ai.
Për të gjithë ata që e kanë rrekur këtë fat në jetët e tyre, thirrja mbetet diçka misterioze, diçka që orvatet gjatë tek ata në mënyra të ndryshme, deri sa ti e kupton se jeta jote duhet të jetë ndryshe. "Të flasësh për ‘thirrjen e Zotit‘ nuk është si të zhvillosh disa ushtrime matematikore, as si të shkruash një roman, ose disa poezi: është më shumë. Është diçka jetësore që pushton krejt personin, duke bërë që ai që e ndien këtë thirrje të ndryshojë plotësisht: mund të themi bëhet tjetër njeri. Por, gjithçka që mund të them për thirrjen nuk është se e ezauroj plotësisht. Është një lidhje ekzistenciale me Zotin, që është Dashuri. Kjo dashuri është bërë Njeri: Jezu Krishti. Ja pra origjina e thirrjes. Edhe pse vjen ‘thirrja e Zotit‘ duhet patjetër një bashkëpunim me këtë thirrje: sepse ajo duhet ruajtur, zhvilluar dhe kultivuar, sikurse dashuria mes një djali dhe një vajze. Për të qenë një dashuri që zgjat duhet patjetër që këta të dy të rriten në dashurinë e tyre, duhet të kenë një dashuri që e tejkalon atë tërheqjen thjesht fizike edhe kjo duhet në dashuri, por duhet të mbartë në vetvete shumë vlera shpirtërore", thotë Viktorio. Viktorio ka studiuar Filozofi dhe Teologji, por e quan një universitet të dytë qëndrimin në bibliotekë këto katër vite. Por a ishin dakord prindërit e tij me këtë zgjedhje? "Babai ishte dakord, sepse ai mendonte se tashmë isha i rritur dhe se i kisha të gjitha aftësitë për të bërë një zgjedhje timen. Por, edhe ai ishte shumë i mërzitur për zgjedhjen time. Ndërsa nëna, për shumë kohë, më thoshte që të kthehesha në shtëpi. Por kjo sjellje është normale, sidomos për kohën që ka kaluar Shqipëria nën komunizëm, duke zëvendësuar kulturën fetare me atë materialiste", thotë ai. Por si është një ditë e zakonshme e këtij frati, që i adhuron librat? Viktorio jeton në Kuvend. Zgjimin e ka herët, në 06.30. Merr pjesë në Meshën e Shenjtë. Ai është ishtar dhe e kremton këtë meshë. Ky është mëngjesi i tij, për të vijuar më pas punën në bibliotekë deri në orën 12.30 të drekës, pasi kjo është një bibliotekë publike dhe shumë njerëz shkojnë për të kërkuar libra. "Sidomos profesorët", thotë Viktorio. Pastaj është mesdita. Në orën 15.00, apo 18.00 ai kthehet sërish në bibliotekë duke u marrë me libra dhe studime. "Nga ana tjetër merrem dhe me botimet françeskane, me botimin e veprave të autorëve françeskanë. Ndodh të qëndroj dhe në mbrëmje vonë këtu. Tani që po merrem me një dorëshkrim të vitit 1720, që më duhet ta transkriptoj mund të rri dhe pas mesnatës. Brenda ditës merrem dhe me njerëzit që vijnë për këshilla, për nevojat e tyre shpirtërore", thotë Viktorio.
E pyes se si një frat i ri si ai mund të japë këshilla për gjëra që ndoshta nuk i ka jetuar? "Nuk është e thënë që gjithmonë duhet të kesh një eksperiencë, pastaj të japësh një përgjigje. Ne thjesht këshillojmë në bazë të eksperiencës sonë nga pikëpamja hyjnore, nga raporti ynë me Zotin, me shkrimet e shenjta, por edhe nga pikëpamja njerëzore. Mendoj se shumë probleme janë psikologjike. Shoqëria shqiptare ka shumë nevojë për komunikim, për dialog. Njerëzit kanë nevojë që dikush t‘u qëndrojë pranë. Këta persona te ne gjejnë mbështetje. Ne i bëjmë t‘i pranojnë problemet. Dhe duke i pranuar problemet në një mënyrë apo tjetrën gjendet një rrugë për të dalë nga problemi", thotë Viktorio.
"Për diçka tepër banale nuk mund të ketë një krizë brenda familjes. Ndoshta dy personat që kanë atë krizë nuk munden me pa përtej asaj mjegullës që është krijuar mes atyre të dyve. Dhe një person i tretë gjithnjë e largon mjegullën, duke e çuar problemin drejt zgjedhjes", thotë Viktorio.
Por rrëfimi është diçka tepër sekrete, që një besimtar mund ta thoshte me gjuhën e tij të thjeshtë, "një rrëfim Zotit".
"Nuk është se vjen një person dhe thotë se unë kam këtë problem me burrin. Dhe kur vjen pikërisht ky burrë unë i them se ti ke këtë problem me gruan tënde. Absolutisht jo. Rrëfimi është gjithmonë sekret", thotë ai.
Në kohën e komunizmit, frat Karl Serreqi ka dhënë jetën për rrëfimin, ashtu siç mund ta jepte dhe Frani apo Viktorio dhe kurrë nuk do ta nxirrte atë që dikush mund ta kishte zbrazur nga zemra dhe ia kishte besuar atij. Një besimtar kishte shkuar dhe ishte rrëfyer dhe komunistët i kishin kërkuar frat Serreqit të tregonte se çfarë i kishte thënë, për të kuptuar më pas lëvizjet e tyre. Dhe frat Serreqi pranoi të sakrifikohet për të mos treguar sakrementin e rrëfimit. "Ky është një sakrement sekret. Unë nesër jap jetën dhe nuk e rrëfej këtë gjë. Kjo, pasi njerëzit që vijnë për t‘u rrëfyer nuk shohin te ne thjesht një prift. Por te ne ata shohin fuqinë e Zotit dhe besojnë se vetëm ne mund t‘i zgjidhim problemet", thotë Viktorio.
Rrëfimi është diçka normale për besimtarët, apo ashtu si këta fretër e quajnë një sakrament shumë i rëndësishëm në jetën e çdo personi. "Është shumë interesante, pasi krijon dy gjëra në jetën e personit. Fiton dhe njëherë atë besimin e humbur te Zoti. Rrëfimi bëhet kur personi mendon se e ka fyer Zotin. Ai shkon drejt rrëfimit me ndjenjën që ky gabim i tij do të falet. Nga ana tjetër, rrëfimi ndihmon për një ecje njerëzore", thotë Viktorio.
Ai e krahason këtë sakrament me institutet e ndryshme psikologjike që janë sot. Personi duke u rrëfyer jo vetëm se rifiton dhe njëherë raportin me Zotin, por bën dhe një ecje personale. Bën një rishikim të jetës së tij të mëparshme ose të kohës së fundit që ka bërë rrëfimin dhe sheh mundësitë që të mos i bëjë më ato gabime. Sheh gjatë rrëfimit neglizhencat e jetës dhe mundohet që ato probleme që ka pasur të mos i përsërisë më.
Po Viktorio dhe Frani a rrëfehen? "Ashtu si te çdo besimtar dhe te ne është i këshillueshëm një at shpirtëror. Një at, i cili na ndihmon për t‘i zgjedhur problemet, apo nevojat për të bërë një ecje më të gjatë", thotë Viktorio.
Por çfarë mendojnë këta fretër të rinj, kur dikush vjen dhe rrëfehet për dashurinë, apo për ta bërë pyetjen më të thjeshtë, ashtu siç u shpreh një burrë shkodran që na shoqëroi në takimin me ta "a ju qan zemra në atë moment"?
"Jo, absolutisht jo. Përkundrazi, kur dy persona janë të lumtur dhe unë jam i lumtur", thotë Viktorio, ndërsa Frani thotë se "dashnia ka shpëtuar botën".
"Dashnia është diçka e bukur. Unë nuk ndihem keq gjatë një rrëfimi të tillë. Përkundrazi kur dy persona qëndrojnë së bashku dhe mendojnë për të krijuar një jetë së bashku ne ndihemi mirë. Ne këshillojmë që personat të mos kenë një lidhje thjesht për aventurë. Por një lidhje për të krijuar familje dhe që të dy të bëjnë një jetë të bukur së bashku. Sekramenti i martesës ka dy gjëra kryesore që janë: dashnia mes njëri-tjetrit dhe lindja e fëmijëve", thotë Viktorio.
Jashtë shiu vazhdon të çapitet, ndërsa këta fretër mundohen të thonë se gjithçka është tepër e thjeshtë. Viktorio nuk e di se çdo të ndodhte me të, nëse ajo vajza që mund të ketë pëlqyer dikur mund të mbërrijë një ditë me shi si ajo e mërkurë për ta zbrazur zemrën. Por di se jeta e tij tashmë i takon Zotit.
Të nesërmen do të ngrihet sërish në mëngjes në 06.30, do të veshë rrobën e gjatë për të kremtuar Meshën e Shenjtë. Më pas do të vijë në bibliotekë… Kjo e fundit prej katër vitesh është kthyer në një pasion për të. Ndoshta ne do të flasim në një shkrim tjetër për bibliotekën, apo revistën "Hylli i dritës", pasi kjo hapësirë e mbushur me libra, ku shihet një portret i madh i at Gjergj Fishtës e at Zef Pllumit dhe ku diku mund të lexosh se "këtu të vdekurit ngjallen dhe shfaqin orakullit", ia vlen të ndalesh gjatë. Pasi ashtu si Viktorio beson, kjo bibliotekë është një tjetër histori….