E Diel, 1 Nëntor 2026

I "marri" i shëruar nga shahu

Kështu, mbreti vdiq, loja përfundoi. Bobi Fisher - ndoshta shahisti më i madh në historinë e këtij sporti, gjithsesi, më karizmatiku e më i përfoluri - vdiq në atdheun e adoptuar, Islandë.

Por gjenialiteti i tij shahistik kishte vdekur që para 30 vjetësh. Nuk kishte luajtur në nivele të larta që nga çasti kur mundi me shumë bujë Boris Spaskin, në ndeshjen finale të kampionatit botëror të vitit 1971, i cili u luajt në Reikjavik. Ky eveniment ishte jo vetëm më i rëndësishmi i zhvilluar ndonjëherë në rang botëror, por edhe i pari që zuri ekranet e televizorëve. Fisheri zinte gjithnjë titujt kryesorë të shtypit.

Tragjikisht, pas vitit 1972, Fisheri u kthye në njeri të izoluar, të pakënaqur nga asgjë, duke u shfaqur me raste nëpër emisione radiofonike (sidomos në Filipine) për të hedhur vrer mbi Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe hebrenjtë, duke arritur deri në atë pikë - për çudinë e gjithë opinionit amerikan - sa të mbështeste sulmet e 11 shtatorit. "Ky është një lajm i mrekullueshëm", deklaroi në një radio filipinase. Amerika mori atë që deshi, nënvizoi, në aksentin e Bruklinit, të cilin nuk e humbi kurrë pavarësisht tri dekadave të kaluara nëpër botë, jashtë kufijve të vendit të vet.

Ish-kampioni britanik i shahut, Bill Hartston, njëherë tha: "Shahu nuk i marros njerëzit, shëron të marrosurit". Fisheri është mishërimi i këtyre fjalëve më se të vërteta. Qëkur linte me gojëhapur të gjithë banorët e Bruklinit teksa mundte të rriturit në moshë fare të vogël, e deri në moshën njëzetvjeçare kur iu desh të ndeshej me gjigantët e Bashkimit Sovjetik kuptoi se 64 katrorët e shahut qenë jeta e tij; rregullat e lojës qenë të qarta e të kuptueshme, po kështu edhe qëllimi përfundimtar i kësaj loje mendore. "Shahu është më mirë se seksi", ka thënë dikur.

Kur Fisherit iu ofrua leja e qëndrimit në Islandë, në vitin 2005 - deri pak më parë kishte qenë i burgosur në Japoni në pritje të ekstradimit drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës - unë shkova në Reikjavik për t‘u bërë pjesë e komitetit që do t‘i ofronte mirëseardhjen. Islandezët e admironin thellësisht; në fund të fundit, pikërisht ai njeri i kishte vënë në hartën e botës.

Jeta e Fisherit u ndikua fort nga naiviteti, pafuqia për të gjetur shpjegime dhe paaftësia për t‘u paqtuar me botën. Për aq kohë sa kishte shahun dhe konsiderohej si shpresa e madhe e perëndimit për të ulur nga froni mbretërues shahistët sovjetikë, gjithçka shkonte për mrekulli - një i ri i veshur me kostum pas trupit, shkëlqimi i të cilit shkaktonte veç druajtje dhe mpakje te kundërshtarët në anën tjetër të tavolinës. Pa shahun, në vitin 1975 hoqi vullnetarisht dorë nga statusi i kampionit të botës, nuk kishte më një ankorë që ta mbante të palëvizshëm dhe iu hakërrye gjithë botës, në çaste të caktuar duke iu afruar frikshëm kufijve të marrëzisë.

Paranoja

Së pari qeshë dëshmitar i paranojës së Fisherit pikërisht gjatë atij udhëtimi në Islandë. Pranoi të jepte një konferencë shtypi përpara një grupi të vogël gazetarësh. Më së shumti qenë islandezë të sjellshëm, të cilët e pyesnin mjeshtrin e madh në i pëlqente apo jo peshkimi. Por kanali sportiv amerikan, ESPN kishte dërguar për të pasqyruar ngjarjen gazetarin e ri të quajtur Xheremi Shap, babai i të cilit kishte qenë shok fëmijërie i Fisherit në kohët e hershme kur ky banonte në Bruklin, gjatë viteve ‘50. Kur Shap i drejtoi një pyetje dhe i përmendi babanë e vet, Fisheri, një burrë trupmadh e me zë buçitës, iu përgjigj me nervozizëm: "Mua nuk më pëlqen të jem brutal me njerëzit, por shumë vite më parë babanë tënd e kisha shok, më ftoi të shihnim bashkë një ndeshje bejsbolli, u soll me shumë ngrohtësi, dhe më pas, si të gjithë gjarpërinjtë hebrenj, tha gjërat më të liga të mundshme për mua".

Salla ku mbahej konferenca ngriu, ndërkohë që Fisheri nuk kishte ndërmend të mbaronte me aq, përkundrazi, tërbimi i tij po shtohej. Menjëherë gjithçka dëgjonim qe paranojë e pastër dhe fjalë për konspiracion të drejtuar nga hebrenjtë. "E keni gjithçka në internet", vazhdoi. "Përse nuk uleni t‘i lexoni vetë"? Obsesioni që e bënte shahist gjenial e bënte njëherësh edhe qenie njerëzore të pashoqërueshme.

Fisheri lindi në Çikago në vitin 1943 - sa e goditur është që mjeshtri i madh i 64 kutizave të vdiste në moshën 64-vjeçare - nga një familje me baba gjerman e nënë me prejardhje hebraike. Prindërit iu ndanë kur qe në moshë shumë të vogël dhe e ëma, grua me vullnet të hekurt, njëherësh njeriu që i bleu kutinë e parë të shahut, u zhvendos bashkë me të në Bruklin. Djaloshi Bobi u zhyt i tëri në lojën e shahut, të cilën e mësoi kur qe gjashtë vjeç. Në moshën 13-vjeçare do të qe shahisti më i ri që kishte arritur të fitonte kampionatin e të rinjve në Shtetet e bashkuara të Amerikës. Një vit më pas qe kampioni i vendit dhe në moshën 15-vjeçare qe shahisti më i ri në botë, të cilit i qe dhënë titulli i mjeshtrit të madh.

I ngjiti me siguri shkallët drejt rangjeve më të larta të shahut botëror në vitet ‘60. Në vitin 1967 la përgjysmë një turne të rëndësishëm për shkak të mosmarrëveshjeve me organizatorët dhe për dy vitet që pasuan luajti shumë pak ndeshje zyrtare. Që në atë kohë kishte nisur të shfaqte shenja të paranojës dhe shkëputjes nga realiteti që do ta ndiqnin përgjatë gjithë jetës.

U kthye në vitin 1970, duke zënë vendin e parë në klasifikimin e parë zyrtar të Federatës Ndërkombëtare të Shahut. Këtë e arriti duke fituar 20 ndeshje kundër mjeshtërve më të mëdhenj të botës. Sot do të ishte diçka e paimagjinueshme duke parë se tre të katërtat e ndeshjeve mes mjeshtërve të mëdhenj përfundojnë në barazim. Tregon fare qartë supremacinë e plotë që kishte vendosur Fisheri në botën shahistike, si edhe dëshirën e fortë për të fituar. Nuk pranonte asnjë lloj barazimi të lehtë, kundërshtarët përfundonin nën këmbët e tij. Për të mundur makinën sovjetike të shahut, qe kthyer edhe vetë në një makinë.

Fisheri luajti përpara epokës së kompjuterit. Mjeshtrit e mëdhenj të ditëve tona përdorin kompjuterin për të studiuar teoritë dhe për të analizuar ndeshjet. Fisherit iu desh ta mësonte gjithçka vetë, duke u mbështetur vetëm te gjenialiteti i tij. Gjithsesi, ndeshjet e tij shfaqnin një qartësi thuajse kompjuterike: përdorte lëvizje me përmbajtje të fortë logjike për fillestarët, por që dërrmonin mjeshtrit e mëdhenj kundër të cilëve ndeshej. Shahu i tij përmbante një qartësi të pazakontë, të cilin nuk arriti ta gjente kurrë në jetë.

Ishte ndeshja e vitit 1972 në Reikjavik ajo që vulosi një herë e mirë madhështinë e Fisherit. Fillimisht nuk kishte dëshirë të luante, qahej për gjithçka e për këdo - salla ku zhvilloheshin ndeshjet, tavolinat, karriget, gurët e shahut, publikun, kamerat, zhurmën që nuk e linte të përqendrohej. Ndeshja qe aq e rëndësishme për Shtetet e Bashkuara të Amerikës sa Henri Kisinger, sekretari i Shtetit, i telefonoi personalisht Fisherit për ta lutur që të pranonte të ndeshej. Qe në lojë nderi amerikan përballë komunistëve, të cilin mbanin kurorën e kampionit të botës që pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Më në fund Fisheri pranoi të ndeshej.

Humbi ndeshjen e parë ndaj Spaskit të qetë, i cili, sipas asaj që mendonin të gjithë do të vinte përfund Fisherin ekscentrik e të paqëndrueshëm, për t‘u tërhequr nga e dyta përpara përfundimit. Sidomos pas kësaj të gjithë mendonin se gjithçka qe e humbur. Pranoi të luante ndeshjen e tretë vetëm nën kushtin që në sallë të mos kishte publik. U luajt pas një perdeje në një dhomë të vogël, në krah të sallës së madhe ku qenë zhvilluar gjithë ndeshjet e evenimentit.

Fisheri triumfoi me madhështi, dhe qe ndeshja e parë që kishte fituar kundër Spaskit. Dominoi në ndeshjet që pasuan duke vendosur një avantazh të konsiderueshëm, por ngriu kur Spaski e mori veten dhe u kthye përsëri në lojë. Gjithsesi arriti ta ruante avantazhin dhe të fitonte 12.5 me 8.5.

Duhej të qe fillimi i një mbretërimi madhështor. Në fakt, rezultoi fundi. Fisheri nuk mori pjesë në asnjë prej turneve të mëdhenj pas vitit 1972; promovuesit i kërkonin të luante nëpër evenimente të ndryshme të organizuara posaçërisht për, por kërkonte pagesa të kripura dhe kurrë nuk u zhvilluan; madje refuzonte edhe reklama mjaft fitimprurëse nën justifikimin se ato produkte nuk i përdorte vetë.

Kërkesat

Më pas, në vitin 1975, kur i duhej të mbronte titullin kundër heroit të ri të Bashkimit Sovjetik, Anatoli Karpov, kërkesat e tij u bënë edhe më të vështira për t‘u plotësuar. Pretendoi një duel ku fituesi duhej të fitonte dhjetë ndeshje, ku barazimet nuk duheshin marrë parasysh - duel që mund të zgjaste muaj të tërë, madje edhe vite. Federata Ndërkombëtare e Shahut u përpoq të gjente mënyrën për t‘ia plotësuar kërkesat, por negociatat morën fund kur Fisheri hoqi dorë nga kurora e kampionit.

Gudmundur Torarinson, organizatori i ndeshjes së vitit 1972 ka një teori lidhur me refuzimet dhe justifikimet e pafundme të Fisherit për të mbrojtur titullin. "Fisheri druhej se mos humbiste", më ka thënë. "Shahu dhe titulli botëror qenë aq të rëndësishëm për të, saqë as guxonte ta shpinte ndër mend se mund t‘i humbiste". I qe afruar shumë pranë përsosmërisë, gjetjes së baraspeshës dhe i trembej dështimit që do të thoshte edhe humbja e asaj qëndrueshmërie. Zor se shahistët të përmirësohen më tej pas të njëzetave; ndoshta e kishte kuptuar se e kishte arritur kulmin.

Pas vitit 1972, paqëndrueshmëria e Fisherit u bë edhe më problematike. U zhvendos në Bregun Perëndimor të SHBA ku u përball me një proces gjyqësor. Autoritetet e akuzuan për evazion fiskal dhe i konfiskuan disa prona.

Iu kthye shahut në vitin 1992 për një betejë me ish-kundërshtarin e tij të madh, Spaskin, në Jugosllavi. Ndeshja u bë në çastin kur Jugosllavia gjendej në mes të konflikteve civile. Ndërkaq, Shtetet e Bashkuara i shtuan sanksionet kundrejt tij duke i rënduar akuzën në mospagim taksash. Ndeshja e parë e betejës së vitit 1992 qe e shkëlqyer dhe e paharrueshme - edhe pse pas njëzetë vjetësh mungesë vërehej qartë se Fisheri ishte ende në gjendje të luante. Por pas kësaj, ai dhe Spaski luajtën ndeshje mediokre (sigurisht, duke iu referuar standardeve të mjeshtërve të mëdhenj): sikur të ndesheshin dy ish-boksierë të mëdhenj që bënin sikur jepnin goditje. Ishte e qartë që beteja bëhej veç për para: në lojë ishin pesë milionë dollarë.

Pas kësaj ndeshjeje u konsiderua person non grata në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku nuk u kthye kurrë më. Pjesën më të madhe të jetës, gjatë viteve ‘90, e kaloi në Budapest, një burrë me mjekër të çrregullt që ndonjëherë vërehej te banjat publike. Thuhet se u dashurua marrëzisht pas një shahisteje 17-vjeçare, e cila gjithsesi tani është e martuar me dikë tjetër.

Më pas mbërriti viti 2001, kur Fisheri u vendos publikisht përkrah Al-Kaedës, duke bërë që dosja e tij të plotësohej përfundimisht. Mospagimi i taksave mund të ketë qenë arsyeja zyrtare me të cilën Shtetet e Bashkuara kërkonin birin plangprishës, por motivi i vërtetë qe hakmarrja. Përbindëshi duhej futur në kafaz. U burgos në Japoni nën justifikimin se pasaporta e tij qe e pavlefshme, dhe ishte shumë pranë rrezikut që të kthehej në Amerikë ku do përballej menjëherë më gjyqin. Por ndërhyri Islanda me ofertën për t‘i dhënë menjëherë shtetësinë, duke bërë që t‘i shpëtonte burgut në vitin 2005, ku iu ofruan pak a shumë nderimet që i rezervohen zakonisht kreut të një shteti tjetër.

Fundin e jetës e kaloi mes miqsh, mes adhuruesish, por qëndroi me këmbëngulje larg tavolinave të shahut. Kishte shpikur edhe formën e vet të shahut, Fischerandom, në të cilën, në fillim gurët vendosen në mënyrë të rastësishme. Shahu konvencional thoshte nuk ekziston më, i vrarë nga kompjuterët dhe analizat e pafundme. Psikologjikisht, ndoshta ka besuar se shahu kishte vdekur bashkë me të, i fundmit ndër kampionët e pamposhtur. Dhe në një farë mënyrë ndoshta kjo ka qenë e vërtetë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›