"Në emër të lirisë (së lëvizjes)"
Emisioni i sotëm në ciklin "Exclusive" trajton temën e lëvizjes së lirë të shqiptarëve. Është ndërtuar duke pasur si ngacmim dhe precedentin më të fundit, ku autoritetet maqedonase njoftuan për ndryshimin e regjimit të vizave për shtetasit shqiptarë.
Lëvizja e lirë përbën një kapitull më vete në gjithë historinë tonë të trazuar. Ajo kulmoi me dyndjen nëpër ambasada në korrik të ‘90-ës, e më pas me dy eksode të tjerë të quajtura biblike, si ai i marsit ‘91 në disa porte të vendit, ku mijëra njerëz rrëmbyen anijet duke udhëtuar drejt Italisë, si dhe një vit më vonë, por vetëm nga Porti i Durrësit, kur 20 mijë vetë rrëmbyen anijen "Vlora" dhe po ashtu u nisën drejt Italisë. Ndërkohë, në vitet që pasuan, ky kapitull historik vijoji të pasurohej me forma nga më të ndryshme eksodi, si ai drejt Greqisë, duke kapluar male, e si ai i gomoneve e skafeve nga deti, të cilat janë pasuar nga tragjedi të ndryshme njerëzore. Në Evropë, ne mbetemi i vetmi vend i privuar nga lëvizja e lirë me pothuajse të gjitha shtetet, ku përjashtim bën vetëm Mali i Zi dhe Maqedonia (kjo e fundit ende nuk e ka nisur zbatimin e regjimit të ri të vizave), si dhe Turqisë, por që nuk i përket hapësirës evropiane. Pikërisht, emisioni i mbrëmjes në ciklin "Exclusive" , i titulluar "Në emër të lirisë", trajton temën e mprehtë si një plagë kombëtare të izolacionit fizik që ende na mundon; ende na mban në gjendje getoje apo karantine në mes të Evropës. Emisioni është pasuruar dhe me një rezyme të së kaluarës në vitet e fundit para shtetformimit e vitet e para pas tij, ku publicisti Artan Lame rrëfen shembuj të mënyrës se si është trajtuar figura e shqiptarit apo pasaporta jonë nga të huajt atë botë. Duke nisur që me Ismail Qemalin, i cili ngaqë ishte shtetas turk në momentin që shpalli pavarësinë e Shqipërisë, ishte pajisur me vizë nga të gjitha kancelaritë evropiane, për të hyrë… në atdheun e tij.