Braçe: Basha të japë dorëheqjen nga ministër
Socialistët kërkuan dje sërish dorëheqjen e ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha. Nënkryetari i grupit parlamentar, Erion Braçe, ngriti edhe një herë me forcë shqetësimin lidhur me procedurat dhe prokurimet publike në rrugën Kalimash-Morinë. Ai denoncoi alibitë e Kryeministrit Berisha për të shkarkuar prokurorin e Përgjithshëm. Njëherazi nënvizoi faktin se Berisha nuk lejon që prokurorisë t‘i jepet materiali i mbledhjes së hapur të Këshillit të Ministrave, "ku është diskutuar dhe problemi i kësaj rruge, duke shkelur kështu nenin 23 të Kushtetutës dhe ligjin përkatës për transparencën, për informimin e publikut", sqaroi Braçe. Numri dy i deputetëve socialistë kërkoi gjithashtu që Lulzim Basha të japë dorëheqjen nga funksioni i ministrit të Jashtëm për t‘i hapur rrugë hetimit, sepse Kryeministri Berisha nuk e
shpëton dot me mbrojtje folklorike. Të majtët argumentojnë këtë kërkesë me faktin se tanimë Basha është pa imunitet dhe person nën hetim prej organit të akuzës. Braçe gjithashtu shtroi problemin që Kryetarja e Parlamentit me administratën e saj po vazhdon të pengojë veprimtarinë e komisioneve hetimore parlamentare të ngritura me vendim të Kuvendit të Shqipërisë. "Kështu për Telekomin, kështu për prokurimet publike, kështu
dhe për përgjimet etj.", kujtoi Braçe. Ky qëndrim, shtoi ai, do të detyrojë Kuvendin që të shtyjë afatet, se kanë kaluar 2 muaj e më shumë dhe ende administrata e Kuvendit nuk ka plotësuar pothuajse asnjë kërkesë të komisioneve hetimore parlamentare.