E Diel, 1 Nëntor 2026

PS, një grup ekspertësh përgatisin programin qeverisës

Një grup ekspertësh dhe intelektualësh të organizuar brenda Partisë Socialiste kanë nisur prej kohësh përgatitjen e platformave ekonomike, që do të jenë baza e programit ekonomik të opozitës në zgjedhjet e ardhshme. Kreu i grupimit "Lëvizja Progresiste", Saimir Dashi, deklaroi se ky grupim është "laboratori" ku do të përgatitet platforma e së majtës shqiptare për zgjedhjet e ardhshme...

Pse lindi nevoja për këtë lëvizje politike?

Lëvizja Progresiste është një grupim brenda PS dhe synimi kryesor i saj është përgatitja e platformave ekonomike, sociale dhe shoqërore, për të dhënë një impakt të ri brenda dimensioneve të reja që po zhvillohen me ritme të shpejta në të majtën moderne. Kjo lëvizje ka lindur si nevojë e brendshme e organizatorëve për një vizion të ri në këtë politikë disfatistësh dhe zhgënjimesh pafund për 17 vjet me radhë.

Kush bën pjesë në këtë lëvizje dhe a ka grupimi juaj një synim të caktuar siç ndodhi me KOP-in e PD-së, i cili u shndërrua në qeverisje sapo PD-ja erdhi në pushtet?

Pjesë e qenësishme e këtij grupimi politik janë drejtorë dhe menaxherë bankash apo kompanish private. Janë persona që punojnë në institucione të njohura brenda dhe jashtë vendit. Janë individë të formësuar dhe brumosur me ide e vlera reale, që i kanë shfaqur në vendet ku ata punojnë. Janë pedagogë të universiteteve të ndryshme, individë që kanë arritur sukses në karrierën e tyre vetëm falë aftësive profesionale. Këto fakte na japin një besim akoma më të madh se idetë tona do ta kenë më të lehtë për t‘u implementuar brenda së majtës që po reformohet çdo ditë. Ajo që ndodhi me KOP-in ishte se shërbeu si një fasadë e bukur dhe e nevojshme për politikën populiste që z. Berisha aplikon. I gjithë opinioni publik u bind dhe vërtetoi se pse u krijua dhe u mbështet KOP-i. Ajo që ne synojmë është të qenit vetvetja dhe jo një fasadë e përkohshme për të mbuluar interesat e cilitdo. Ne synojmë krijimin e një politike të re, ku individi me vlera të jetë në qendër të aksioneve politike, ku përgjegjësia dhe angazhimi në politikë të mos jenë për interesa personale afatshkurtra, por të jenë një kontribut për ndryshime afatgjata. Ne synojmë të ndryshojmë mentalitetin e vjetër. Më në fund ka ardhur momenti për një brez të ri politikanësh e profesionistësh dhe mendoj se duhet të jemi ne pararendës të ndryshimeve të nevojshme në politikën shqiptare.

Ju jeni një lëvizje e pavarur, që do të thotë se lindi vetvetiu apo ka një dijeni ose një marrëveshje le të themi me udhëheqësinë aktuale të PS-së?

Çdo individ është i pavarur, pra është i lirë në koncept dhe në mendime. Në shoqërinë ku ne jetojmë, asgjë nuk mund të jetojë pa një bashkëpunim forcash, idesh dhe qëllimesh. Është më se e domosdoshme dhe e nevojshme që ne të bashkëveprojmë me strukturat ku jemi të angazhuar. Marrëveshja me liderin e PS-së është morale dhe bazohet mbi ide të përbashkëta. Për sa kohë kemi qëllime të njëjta, mendoj se do të ishte e tepërt një marrëveshje e shkruar mes nesh dhe liderit të PS-së, z.Rama. Ne na bashkojnë vizionet dhe dëshirat e përbashkëta dhe aty ku ka një vullnet të njëjtë, s‘ka njeri që mund ta ndalojë këtë zhvillim. Ne po përgatisim një platformë ekonomike që ka lidhje me strategji të reja në zhvillimin e biznesit vendas, promovimin e produkteve shqiptare në bazë të përparësive krahasuese, rritjen e investimeve të huaja në tregun shqiptar etj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›