Gjinushi: Problemet e opozitës
Skënder Gjinushi mendon se opozita vazhdon të vuajë nga plagët e ndarjes. Kreu socialdemokrat analizoi dje zhvillimet më të fundit politike dhe gjasat për të realizuar reformat madhore. Sipas tij, kemi të bëjmë me një moment të rëndësishëm politik, ku dalëngadalë po shkojmë në mbyllje të këtij mandati të dështuar qeverisës dhe afrohen përgatitjet serioze për zgjedhjet e radhës. "Ne shqyrtojmë në vazhdimësi marrëdhënien me aleatët tanë, e veçanërisht me Partinë Socialiste, ku vlerësojmë që forcimi i bashkëpunimit është një domosdoshmëri", tha Gjinushi. Ai insistoi se e majta vazhdon të vuajë ende plagët e ndarjes, apo probleme të diversionit të caktuar dhe sa më e bashkuar, sa më e rindërtuar, sa më e rifreskuar të paraqitet para elektoratit, aq më e thellë do të jetë fitorja e radhës. PSD konstaton se kjo qeveri ka dështuar, dështim i cili ka gjetur vlerësimin negativ të mbarë opinionit, i shfaqur ky edhe në mitingun e Tiranës. "Kemi një qeveri, e cila ka futur vendin në një krizë të plotë institucionale. Sot nuk ka asnjë institucion që të ketë një bazë të pastër kushtetuese. Kushtetuta është kthyer në një dokument fakultativ, të cilin Kryeministri e shkel sa herë që i duhet të uzurpojë një institucion", vijoi Gjinushi. Ndërsa reformat, tha ai, janë zëvendësuar prej kohësh me antireforma, dhe veçanërisht, absolutisht, janë prishur dhe mundësitë e afruara nga opozita dhe kërkesa që ka bërë komuniteti për dy reformat themelore, zgjedhore dhe atë të drejtësisë. "Ne vlerësojmë që nuk mund të ecin reformat përpara në rast se ka një rinisje serioze pa korrigjuar gabimet që kanë të bëjnë me kushtetutshmërinë e institucioneve dhe konsensuset e prishura deri më tani", u shpreh Gjinushi. Ai dëshmoi se të gjithë jemi dëshmitarë që nuk ka ende produkt për një reformë zgjedhore, ndërkohë që ajo duhej të kishte përfunduar që para zgjedhjeve lokale. "Kjo taktikë e gabuar e PD dhe e qëllimshme, vazhdon të ndiqet edhe sot, megjithëse ne si parti insistojmë në domosdoshmërinë e kryerjes së kësaj reforme, që ajo është e pashmangshme, sepse vendi nuk mund të hyjë në zgjedhje pa reformë", insistoi Gjinushi. Sipas tij, rotacioni i pushtetit do të bëhet në bazë të zgjedhjeve të standardeve këtë radhë dhe jo thjesht të jenë një hap para, e ca më keq, një shans i humbur. PSD rikonfirmoi se i qëndron asaj që kanë shprehur shumica e partive, për një sistem afër atij gjerman, pra proporcional i individualizuar, i cili pretendohet të ketë të gjithë elementët pozitivë që kërkojnë partitë nga një sistem zgjedhor. "Përpjekjet e vazhdueshme që ka bërë opozita për të kthyer normalitetin në vend, për të kthyer kushtetutshmërinë, të gjitha këto janë keqpërdorur nga kjo shumicë", sqaroi Gjinushi. Duke cituar ofertën për presidentin konsensual, heqjen dorë nga zgjedhjet e parakohshme, keqpërdorimin e ofertës për pakt për reformën; ai dëshmoi se sot në Shqipëri nuk ka asnjë ligj të rëndësishëm që të jetë produkt konsensusi dhe janë prishur të gjitha konsensuset që ishin ngritur për 8 vjet me radhë, duke filluar nga Ligji për Mediat, e duke përfunduar te Ligji për Akademinë e Shkencave. "Kjo është e vërteta dhe ne vlerësojmë që të kalohet në reformë reale. Nuk mund të bëhet pa një reflektim real mbi ato çka janë shkatërruar, pra këto duhet të jenë një kusht ndaj shumicës - për të kthyer normalitetin dhe për ta vendosur vendin drejt reformave vërtet integruese", theksoi Gjinushi.