Çeku: Nuk bëhem socialdemokrat
Agim Çeku ka mohuar zërat se do t`i bashkëngjitet ndonjë partie politike në Kosovë. Çeku përgënjeshtroi kryetaren e PSDK-së, Kaqusha Jashari, se ai është pajtuar në parim për të marrë udhëheqjen e kësaj partie. Ai tha se nuk ka arritur asnjë marrëveshje me Jasharin, e cila deklaroi se kjo marrëveshje është çështje e kryer dhe se pritet të konkretizohet brenda dy ditësh.
Për gjenerali që braktisi ushtrinë për hir të politikës, duket se nuk ka krizë. Në fakt, atë po e lusin që të drejtojë politikën. Agim Çekut, që sapo i dorëzoi detyrën e vështirë të Kryeministrit të Kosovës kolegut të tij të UÇK-së, Hashim Thaçit, nuk po i mungojnë ofertat për të marrë në dorë timonin e partive. Së paku dy i kanë kërkuar të bëjë një gjë të tillë. Partia Ora e Veton Surroit, e cila u cilësua si humbësja e zgjedhjeve të 17 nëntorit, ka ditë që "po i sillet" Çekut e po kështu edhe Partia Social-Demokrate e drejtuar nga Kaçusha Jashari. Kjo e fundit madje zhvilloi një konferencë për shtyp "me lejen e Çekut", ku bëri publik se tashmë oferta e partisë së saj ishte pranuar nga ana e ish-kryeministrit. Por vetë Çeku tha nëpërmjet telefonit se përgjigjen përfundimtare nuk e ka dhënë, por që synimi i tij është t‘i bashkojë të dyja këto parti në një të vetme. "Kemi parë se ai ka ide të socialdemokracisë" dhe ndaj ne i bëmë ofertën të vijë si kryetar, tha zonja Jashari. Në fakt, partia e saj me një moshë 18-vjeçare ishte prej katër vitesh në kërkim të një kryetari që të rriste dinamikën dhe elektoratin. Por kushti i tyre i vetëm është mosndryshimi i programit të një partie të qendrës së majtë. "I kemi ndjekur më vëmendje deklaratat e Çekut se do të formojë parti të re dhe do të ketë një program që do të ishte i një orientimi socialdemokrat, dhe menduam se nuk ka nevojë të krijohet një parti e re kur ajo është. Duke qenë se orientimi i tij është të vazhdojë jetën politike, ne i bëmë ofertën me shkrim që ja kemi dorëzuar të martën. "Jashari shpreson që Çeku do t‘i japë fuqi partisë. Jashtë syve të publikut ata shpresojnë se Çeku do sjellë me vete njerëz të rinj, të tërheqë pas vetes elektoratin e UÇK-së, duke qenë se ai ka qenë një nga figurat më të besueshme dhe më me ndikim tek ata. Por për sa i përket ORA-s, oferta që i është bërë Çekut nuk ka dalë nga goja e Veton Surroit. Ai ka angazhuar njerëz të tjerë të partisë për këtë, por kjo gjë nuk është pritur mirë nga gjenerali. PSDK-ja para zgjedhjeve të 17 nëntorit bëri një koalicion me partinë e Hashim Thaçit.