E Diel, 1 Nëntor 2026

Shajnmajer-Jeremiç, përplasje për Kosovën

Ministrat e jashtëm të Gjermanisë dhe Serbisë nuk arritën të merreshin vesh për të ardhmen e Kosovës gjatë takimit që zhvilluan në Berlin. Ministri i Jashtëm gjerman, Shtajnmajer, tha se bisedimet për zgjidhjen e statusit dështuan dhe se kurrfarë negociatash të mëtejshme për Kosovën nuk do të ishin të dobishme, kurse homologu i tij serb, Jeremiç, theksoi se bisedimet shënuan sukses, po ka nevojë për më shumë kohë për gjetjen e një zgjidhjeje të ndërmjetësuar. Jeremiç përsëriti se "Këshilli i Sigurimit duhet të vendosë" për Kosovën. Lidhur me të ardhmen e Serbisë, dy ministrat e jashtëm thanë se skenari më i mirë do të ishte nënshkrimi i Marrëveshjes së Asocim-Stabilizimit mes Serbisë dhe Bashkimit Evropian më 28 janar. Sa i përket misionit të BE-së në Kosovë, që gjithashtu do të jetë në rendin e ditës së ministrave të jashtëm më 28 janar, mes dy ministrave kishte mosmarrëveshje: "Beogradi e mirëpret misionin evropian në Kosovë, por ne mendojmë se për të duhet të ketë një kornizë ligjore të përcaktuar me një rezolutë të re të Këshillit të Sigurimit", tha Jeremiç, duke përcjellë kështu qëndrimin zyrtar të qeverisë së tij. Por ai nuk pranoi ta kushtëzonte çështjen e nënshkrimit të marrëveshjes me atë të misionit: Ruajtja e integritetit territorial të Serbisë dhe e ardhmja evropiane e saj janë dy prioritete strategjike me rëndësi të barabartë për qeverinë, tha ai. Bashkimi Evropian e ka përshëndetur konstituimin e institucioneve të reja të Kosovës dhe ka thënë se mbështetet në pjekurinë e udhëheqjes së re kosovare në raport me statusin e Kosovës. Kristina Galak, zëdhënëse e përfaqësuesit të lartë të BE-së, Havier Solana, i ka thënë BBC-së se udhëheqësit politikë të Kosovës e kuptojnë se atyre u duhet një mbështetje e pranisë së rëndësishme të BE-së, dhe ka shtuar se çështja e statusit duhet të zgjidhet shpejt meqë situata aktuale e sigurisë nuk çon drejt qëndrueshmërisë në rajon. Sipas saj, ky vit është themelor në zgjidhjen e statusit të Kosovës. Galak ka thënë se për BE-në bisedimet për Kosovën kanë përfunduar dhe se ajo po punon që të përgatitet për një prani të shtuar në Kosovë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›