Bush-Merkel, pakti i ri për Kosovën
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhorxh Bush, dhe kancelarja gjermane, Anxhela Merkel, kanë rënë dakord që SHBA dhe BE do ta njohin së shpejti pavarësinë e Kosovës. Telefonatën e kreut të Shtëpisë së Bardhë me kreun e Berlinit e bëri të ditur dje e përditshmja prestigjioze amerikane, "New York Times", e cila shkruan se Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania janë pajtuar që ta njohin Kosovën pasi ajo të shpallë pavarësinë, dhe t‘i bëjnë thirrje pjesës tjetër të Evropës që ta ndjekë shembullin e tyre.
Zyrtarë të lartë evropianë kanë thënë se në një bisedë që Presidenti Xhorxh Bush dhe kancelarja Anxhela Merkel së fundmi kanë zhvilluar rreth Kosovës, ata janë pajtuar se njohja e Kosovës është jetësore për të stabilizuar Ballkanin perëndimor. "New York Times" i transmeton zyrtarët evropianë të kenë thënë se SHBA-të në mënyrë agresive po i bëjnë trysni BE-së që të sigurohen që njohja e pavarësisë së Kosovës të mos vonohet as për një javë. "Buka është pjekur, sepse amerikanët i kanë premtuar Kosovës pavarësinë", transmeton gazeta një diplomat të lartë të Bashkimit Evropian. "Nëse Uashingtoni do ta njihte Kosovën ndërsa vendet evropiane nuk do ta ndiqnin, atëherë kjo do të ishte katastrofë", ka thënë diplomati i lartë i BE-së.
Përshëndetja
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shprehur mbështetjen e plotë për zgjidhjen sa më shpejtë të statusit përfundimtar të Kosovës, duke shfaqur bindjen e tyre se rekomandimet e Ahtisarit për një pavarësi të mbikëqyrur nxisin një stabilitet rajonal. Në një deklaratë të tij, nënsekretari amerikan i Shtetit, Nikolas Bërns, u ka bërë thirrje udhëheqësve të posazgjedhur të Kosovës që të punojnë në mënyrë paqësore dhe me përgjegjshmëri gjatë periudhës që ata do të venë në zbatim zgjidhjen e statusit.
"Nënsekretari i Shtetit, Bërns, ka biseduar në telefon si me
Presidentin Fatmir Sejdiu, ashtu dhe me Kryeministrin Hashim Thaçi dhe i ka uruar për formimin e qeverisë së koalicionit", ritheksoi në konferencën për shtyp zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Tom Kasej. Ai tha se nënsekretari Bërns njëkohësisht ka përshëndetur edhe deklarimet e tyre për një Kosovë gjithëpërfshirëse, në të cilën, si pakica serbe, ashtu edhe të tjerat, janë të mirëpritura. Bërns edhe njëherë ka theksuar zotimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të ndihmuar udhëheqjen e re të Kosovës të përballojë sfidat e shumta të së ardhmes. "Shtetet e Bashkuara besojnë se zbatimi me shpejtësi i "planit Ahtisari", përfshirë rekomandimet e tij për pavarësi të mbikëqyrur dhe për mbrojtjen e pakicave, do të nxisë stabilitet rajonal, duke i krijuar mundësi si Serbisë, ashtu edhe Kosovës, të ecin përpara në rrugën drejt një bashkëpunimi më të madh me NATO-n dhe Bashkimin Evropian", theksohet në deklaratën e Departamentit të Shtetit. "Nënsekretari Bërns i ka siguruar udhëheqësit e Kosovës për mbështetjen e Uashingtonit dhe për zgjidhjen sa më të shpejtë të statusit final të Kosovës", tha zëdhënësi Kasej. Robert Hunter, këshilltar i organizatës Rand, i cili ka qenë ambasador i Shteteve të Bashkuara në NATO dhe Bashkimin Evropian gjatë administratës së Presidentit Klinton nga mesi i viteve 1990, deklaroi se nuk do të ketë reagim të Moskës. "Rusia nuk futet në luftë për Kosovën. Nuk do ta ndryshojë në thelb qëndrimin e saj lidhur me bashkëpunimin me amerikanët dhe evropianët. Por për të pasur një siguri konstruktive evropiane, në marrëdhëniet konstruktive me rusët, në shumë nga pikat e nxehta të botës, ia vlen të krijohet një kuadër më i gjerë për të diskutuar këto çështje. Megjithatë kjo nuk do të thotë që t‘u themi kosovarëve që nëse Rusia nuk është dakord me atë që do të bëjë Kosova, ata të tërhiqen nga ajo që duan të bëjnë".