E Diel, 1 Nëntor 2026

Vizat, Berisha fton Gruevskin në Tiranë: Hajde të bisedojmë

Incidenti i vizave mes Tiranës dhe Shkupit pritet të zgjidhet në mesin e muajit të ardhshëm në një takim të nivelit të lartë mes Kryeministrit shqiptar, Sali Berisha, dhe homologut të tij maqedonas, Nikolla Gruevski. Një zyrtar i lartë i qeverisë maqedonase ka bërë të ditur dje se kreu i qeverisë së Maqedonisë ka një ftesë zyrtare nga Berisha për të vizituar Tiranën dhe është zgjedhur muaji shkurt si koha e përshtatshme e kësaj vizite. Këshilltari i Gruevskit theksoi se "Çështja e aplikimit të vizave për shtetasit shqiptarë, bashkëpunimi mes dy vendeve, integrimet euroatlantike, si dhe Kosova do të jenë disa nga temat kryesore të axhendës së bisedimeve Berisha-Gruevski". Sipas kabinetit të Kryeministrit të Maqedonisë, vizita e planifikuar e Kryeministrit maqedonas është parashikuar të realizohet në mesin e muajit shkurt. Para vizitës në Tiranë, Kryeministri Gruevski më 23 janar do të qëndrojë për vizitë zyrtare në selinë e NATO-s në Bruksel, ku do të zhvillojë takime me sekretarin e Përgjithshëm, Jap de Hop Shefer, dhe me zyrtarë të lartë të NATO-s. Lajmi që mbërriti dje nga Shkupi, ka nxjerrë në pah kontaktet e vazhdueshme zyrtare të nivelit të lartë mes Tiranës dhe Shkupit dhe nuk përjashtohet një bisedë telefonike mes Kryeministrit shqiptar dhe homologut të tij maqedonas, kur dihen marrëdhëniet e mira mes dy zyrtarëve. Gjatë një vizite të zhvilluar dje në Shkup, Ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, deklaroi se Shqipëria nuk do të vendosë asnjë barrierë ndaj shtetasve maqedonas për të vizituar vendin tonë.

Reagimi

Ndërkaq, Ministria e Jashtme shqiptare ka reaguar dje pas akuzave të Shkupit, e cila fajësonte Tiranën për çështjen e vizave. Ministria e Jashtme ka reaguar 24 orë pas deklaratës së zyrtarëve maqedonas, pikërisht pas publikimit në "Shqip" të akuzave në fjalë. Ministria e Punëve të Jashtme theksoi se, në përputhje me parimet e fqinjësisë së mirë, qeveria shqiptare ka synuar dhe synon lehtësimin e procedurave, zgjerimin e hapësirave të komunikimit deri në liberalizim të plotë të qarkullimit. "Në këtë këndvështrim, vendimi i qeverisë shqiptare, nr. 545, datë 9.08.2006, për heqjen e vizave për të gjithë shtetasit maqedonas, shkon pikërisht në këtë drejtim, duke e vendosur Maqedoninë në radhën e atyre vendeve me të cilat Republika e Shqipërisë aplikon një regjim tërësisht të liberalizuar qarkullimi. Ky vendim jo vetëm që nuk ka dëmtuar qytetarët e Maqedonisë, por, përkundrazi, përbën një zgjerim të hapësirave vepruese të marrëveshjes dypalëshe për regjimin e vizave nënshkruar në vitin 1997. Kjo marrëveshje është në fuqi, pasi nuk është shfuqizuar nga asnjëra palë", thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme shqiptare. Sipas saj, në këtë frymë, Kuvendi i Shqipërisë, më 9.07.2007, mori edhe vendimin e uljes në 1 euro të tarifës hyrëse në pikat tokësore e ujore të kalimit kufitar, e vlefshme edhe për të gjithë qytetarët e Maqedonisë, pa dallime. Ministria e Punëve të Jashtme është e angazhuar për vazhdimin e konsultimeve dypalëshe me synimin e vetëm për të përmirësuar cilësisht qarkullimin e deritanishëm. "Vendet tona janë tërësisht të përfshira në proceset integruese euroatlantike dhe mbajnë parasysh detyrimet e tyre në këtë kuadër. Por, asnjëherë dhe në asnjë rrethanë kjo nuk duhet të lejohet të shkaktojë ngushtimin e hapësirave komunikuese dypalëshe, shtrimin artificial të barrierave apo rikthim në masa që i përkasin së shkuarës", thuhet në deklaratë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›