Balla: Pakt kombëtar për heqjen e vizave me BE-në
Partia Socialiste propozon një pakt kombëtar për të hequr barrierat me "Shengen"-in dhe për ta çuar Shqipërinë drejt një regjimi pa viza. Prioritet kryesor i këtij plani do të jetë përafrimi i standardeve me "Shengen"-in ndërkombëtar, ku përfshihen ndryshimi i strukturës së policisë kufitare, kartat e identitetit dhe pasaportat biometrike me elementë të lartë sigurie. Deputeti i PS-së, Taulant Balla, ka kërkuar që në Ministrinë e Punëve të Jashtme të ngrihet Qendra Kombëtare e Vizave, e cila do të jetë struktura përgjegjëse për miratimin përfundimtar të lëshimit të vizave dhe të administrimit të sistemit elektronik të të dhënave si kusht i domosdoshëm në drejtim të përafrimit me standardet e "Shengen"-it. Plani Kombëtar i Veprimit drejt një regjimi pa viza me BE-në përcakton detyrat kryesore që duhet të përmbushen në fushat e lidhura ngushtë me politikën e vizave. Mbi bazën e implementimit të Planit të Veprimit, institucionet shqiptare duhet të raportojnë me nismën e vet çdo muaj në Komisionin Evropian dhe vendet anëtare të BE-së apo me ambasadorët e akredituar në Tiranë në lidhje me progresin e arritur. Sipas këtij plani, "Shqipëria brenda vitit 2008 duhet të përafrojë regjimin e vizave me listën pozitive dhe negative të ‘Shengen‘-it, si dhe modelin e elementët e sigurisë së vizave". Pika të tjera të Plan Veprimit të PS-së për një regjim pa viza janë dhe miratimi i një ligji për të huajt, marrja e masave kufizuese për parandalimin e emigracionit ilegal dhe përmirësimi i procedurave për dhënien e nënshtetësisë për të huajt.