E Diel, 1 Nëntor 2026

Të presësh dënimin me vdekje në Afganistan

Çështja e studentit 23-vjeçar, që guxoi të shkarkonte nga interneti një raport për abuzimin me të drejtat e grave, tashmë ka tërhequr vëmendjen e mediave të të gjithë botës. Falë këmbënguljes së gazetarëve të britanikes "The Independent" për t‘i marrë një intervistë me të brenda burgut, arriti t‘i rrëfejë gjithë botës përvojën e tmerrshme. Me një zë të ulët, të ndrojtur e të lodhur tha: "Gjykatësit kishin vendosur ç‘dënim do më jepnin përpara se unë të shfaqesha në sallën e gjykatës. Nga mënyra si më flisnin, si më shihnin, mësova se i drejtoheshin një njeriu tashmë të dënuar. Doja t‘u thosha se kjo është e gabuar, se duhej të më dëgjonin edhe mua, por nuk m‘u dha asnjë lloj shansi për t‘u shpjeguar".

Për studentin Kambakshi, dëgjimi prej katër minutash u pasua nga katër muaj burgim, në një qeli 10 me 12 metra bashkë me 34 të tjerë - vrasës, vjedhës dhe terroristë - dhe me frikën e ekzekutimin që nuk iu largua as edhe për një ditë të vetme. Fati i tij u duk i shkruar në çastin kur senati afgan miratoi një mocion, të propozuar nga Sibghatullkah Mojedeid, një ndër aleatët më të rëndësishëm të Presidentit Hamid Karzai, që e konfirmonte dënimin me vdekje, megjithëse u tërhoq më pas në sajë të presioneve të brendshme dhe protestave ndërkombëtare.

Gazetari i britanikes "The Independent" foli me studentin në burgun e Balkhut, nën sytë vigjilentë të gardianëve të veshur me uniforma të epokës sovjetike. Në burg, brenda një hapësire të llogaritur fillimisht për 200 të burgosur tani numërohen 200 syresh, në kushte për të cilat edhe vetë autoritetet afgane pranojnë se janë të "papranueshme". Të burgosurit, mes të cilëve numërohen edhe 22 gra, shumica të dënuara për ikje nga burrat apo tradhti bashkëshortore, i shtyjnë ditët me dëshpërimin e njerëzve të bërë pre e një sistemi absurd burokratik pa asnjë lloj shansi për rishikime të dënimeve.

Që nga çasti kur "The Independent" foli për herë të parë mbi çështjen e studentit Kambakshi, figura të rëndësishme si sekretarja e shtetit amerikan, Kondolesa Rais, apo sekretari i punëve të jashtme të Britanisë, Deivid Miliband, kanë ndërhyrë te Hamid Karzai në mënyrë që ky të rrëzojë vendimin për dënimin e 23-vjeçarit me vdekje. Gjithashtu, një peticion i përpiluar me nismën e kësaj gazete ku kërkohet drejtësi për studentin deri tani është firmosur nga 90 mijë njerëz.

Jashtë qelisë, Kambakshi duket i zbehtë dhe i lodhur. Kohë më parë qe sulmuar nga të burgosur të tjerë, të cilët shtyheshin nga një prej rojeve që e quante studentin heretik, por javët e fundit duket sikur gjërat janë qetësuar disi. "I jam shumë mirënjohës gazetës ‘The Independent‘ për gjithçka ka bërë dhe në mënyrë të veçantë që e treguan këtë rast në sytë e gjithë botës. Tani edhe shokët e mi të qelisë e dinë që nuk kam bërë asgjë të tmerrshme për të merituar gjithë këtë, madje kanë filluar të më mbështesin. Edhe disa prej rojeve kanë nisur të më trajtojnë me mirësjellje", thotë. "Ka ende nga ata ekstremistë që ende vazhdojnë të më shajnë e të më fyejnë, por janë nga ata që nuk ndërrojnë kurrë mendje".

Telashet e studentit nisën në mesin e tetorit të shkuar, pasi shkarkoi nga interneti disa materiale mbi islamin dhe mbi të drejtat e grave nga një sit iranian. Fillimisht ishte marrë në pyetje nga disa mësues të fesë në universitetin ku studionte për Gazetari.

"Më thanë që disa studentë të tjerë u kishin treguar se e kisha shkruar vetë atë artikull. Sigurisht që e mohova këtë, gjithashtu u kërkova të më tregonin cilët qenë këta studentë, por nuk m‘i thoshin emrat e tyre. Ia kanë përsëritur shpesh akuzat, por pa treguar kurrë emrat e studentëve. Nuk mund të them se vërtet kanë qenë studentët që u kanë thënë të tilla gjëra..." Zëri i tij ulet teksa një nga gardianët afrohet edhe më shumë për të dëgjuar. Jo të gjithë besojnë te pafajësia e studentit.

Më 27 tetor u arrestua në zyrat e Jahan-e-Nau, një gazetë për të cilën punon paralelisht me studimet në universitet. "Ishte ora dhjetë e mëngjesit. Më thanë se një prej drejtuesve të NDS (shërbimet e fshehta afgane) donte të më shihte. Më shoqëruan në një rajon policie dhe më lanë të prisja deri në orën tre kur më komunikuan masën e arrestit. Kur i kundërshtova më thanë se këtë e bënin për të më shpëtuar jetën, ndryshe mund të përfundoja i vrarë".

Tregon se iu lejuan takimet me familjarët gjatë javëve që pasuan arrestimin, por nuk iu dha asnjë shans të kontaktonte ndonjë avokat. "Familja ime u shqetësua tej mase. Im atë trembej shumë. E pashë të plakej brenda pak muajsh, megjithëse unë i them që të bëhet i fortë".

Më 6 dhjetor doli përpara gjyqit në Mazar, ku iu lexuan akuzat për blasfemi dhe shkelje të tjera të ligjit islamik. Por pas kësaj, procedurat vazhduan pa asnjë provë që të vërtetonte akuzat.

Seanca e dytë, më 12 janar të këtij viti, u anulua ngaqë studenti u sëmur. U shfaq përpara gjykatësve në seancën tjetër, më 22 janar, ku iu caktua një datë në të cilën do dëgjonte verdiktin. "Normalisht seancat zgjasin disa orë. Mua më shoqëruan në sallën e gjyqit vetëm pak minuta përpara se të shkonte ora katër, kur mbyllen gjykimet. Përpara kisha tre gjykatës dhe një prokuror i cili paraqiti disa pika të çështjes. Pas kësaj një prej gjykatësve më tha se isha gjykuar fajtor dhe se isha i dënuar me vdekje. U përpoqa të flas, por më trajtuan si kriminel dhe nuk më lanë të thosha asnjë fjalë. Veç dhanë urdhër që të më kthenin në burg".

"Isha i tronditur thellësisht. Vetëm orë më pas nisa të bëja llogari për sa kohë kishte zgjatur seanca. Fillimisht më dukej se kishte zgjatur vetëm tri minuta, por më pas u mendova më gjatë dhe në fakt ishin katër minuta. Kaq qe e gjitha. Që atë ditë kam qenë në qeli. Shpresoj vetëm që mund të arrijmë diçka në Gjykatën e Apelit. Shpresoj se gjatë gjyqit të apelit në Kabul do më lejojnë të flas. Shpresoj se atje dikush do ma vërë veshin".

Pas zhurmës që ka bërë kjo çështje në mediat ndërkombëtare, Gjykata e Lartë e Afganistanit ka bërë me dije se apeli do të zhvillohet në Kabul, larg gjykatës lokale të Mazarit dhe se seancat do të jenë të hapura. Një gjyqtar i lartë afgan ka thënë gjithashtu se studenti kësaj here do ketë mundësinë të mbështetet te ndihma e një avokati.

"Shpresoja se po të më jepej mundësia të shprehesha, gjykatësit do shihnin se nuk kam bërë asgjë të keqe. Kam dëgjuar se Presidenti Karzai është interesuar personalisht për çështjen. Ai ka mundësi ta zgjidhë këtë çështje, por nuk e di sa presion i bëhet nga njerëzit që e rrethojnë".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›