E Diel, 1 Nëntor 2026

Certifikimi, standardet shiten nga biznesi

Drejtoria e Përgjithshme e Standardeve ka autorizuar grupimin e bizneseve prodhuese që të kenë të drejtën e shitjes së standardeve ndërkombëtare te sipërmarrjet shqiptare. Për këtë, Konfindustria nënshkroi me Drejtorinë i Përgjithshme të standardeve dhe marrëveshjen përkatëse. "Marrëveshja ka për qëllim zbatimin e rregullave, sipas shembullit të vendeve të zhvilluara industriale të BE, SHBA, etj., dhe përmban marrjen përsipër nga Konfindustria të Shitësit/Shpërndarësit Zyrtar të DPS, me kushte financiare lehtësuese të standardeve ndërkombëtare në fuqi për bizneset në territorin e Republikës së Shqipërisë. Sipas drejtuesve të Konfindustria-s, kjo marrëveshje është e një rëndësie të veçantë dhe është domosdoshmëri për industritë në veçanti dhe biznesin shqiptar në përgjithësi, në kushtet kur Shqipëria ka nënshkruar MSA me Bashkimin Evropian dhe si rrjedhim konkurrenca në tregun e brendshëm dhe eksporte ndërmjet prodhimeve dhe shërbimeve vendore me të huajt është mjaft e fortë. Zbatimi i marrëveshjes nga industritë shqiptare shkon pikërisht në drejtim të rritjes së kërkuar të cilësisë së prodhimeve dhe shërbimeve vendore të të gjithë sektorëve të ekonomisë, si kusht bazë i eliminimit të barrierave teknike, me anë të të cilave BE dhe vendet e tjera të zhvilluara ndalojnë "de facto" eksportet shqiptare në tregjet e tyre edhe pas nënshkrimit të MSA. Pavarësisht përmirësimeve të bëra gjatë tri viteve të fundit, numri i bizneseve shqiptare, që janë të certifikuara në bazë të standardeve ndërkombëtare, mbetet shumë i vogël, gati 55 të tilla. Kjo është edhe një nga shkaqet që pengon rritjen e eksporteve shqiptare, pasi hyrja në tregjet e Bashkimit Evropian pa standarde është e pamundur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›