Bukëpjekësit dibranë nuk e rrisin çmimin: Popullsia është e varfër
Dibra, ku bëjnë pjesë rrethet, Dibër, Bulqizë dhe Mat, është një ndër rajonet më të varfra të vendit, edhe pse resurset për mirëqenie të rreth 150 mijë banorëve të saj nuk mungojnë. Është pikërisht kjo varfëri ekstreme e këtij rajoni, që i ka detyruar prodhuesit e bukës në qytetet Peshkopi, Bulqizë, Klos, Maqellarë dhe Burrel, që të mos e ndryshojnë për momentin çmimin e bukës, siç ka ndodhur në qytete të tjera të vendit.
Aktualisht, buka masive në furrat e këtyre qyteteve vazhdon të shitet me 70 lekë të reja, si edhe më parë. Shoqata e Prodhuesve të Bukës ka vendosur që të mos e rrisë për momentin çmimin e bukës, edhe pse një gjë të tillë ata e përballojnë me mjaft vështirësi dhe fitim minimal. Kjo, për faktin se situata në të cilën ndodhen prodhuesit e bukës, kur çmimi i miellit, vajit dhe lëndës djegëse, që kushtëzojnë këtë prodhim, kanë njohur vetëm rritje, po i çon furrtarët drejt falimentimit të plotë të tyre.
I pyetur nga gazeta "Shqip" për ruajtjen e çmimit të bukës, njëri nga prodhuesit e bukës në qytetin e Bulqizës, Hamza Sula, tha se në mbledhjen e Shoqatës së Prodhuesve të Bukës, u vendos që për momentin të ruhet çmimi i bukës, duke marrë parasysh varfërinë e tejskajshme të banorëve të këtij rajoni.
Por, nëse nuk do të ndërhyhet nga qeveria për të ndikuar në uljen sadopak të kostos së prodhimit të bukës, atëherë rritja do të jetë e pashmangshme. "Me rritjen e çmimit të miellit, që tashmë blihet me shumicë me 6100 lekë për kuintal, nga 6000 që ishte ditë më parë dhe të vajit që nga 100 lekë për litër është bërë 220 lekë, pa llogaritur këtu transportin nga Tirana në Dibër, marzhi i fitimit për ne ka rënë ndjeshëm, duke e bërë situatën e mosndryshimit të çmimit të bukës, të papërballueshme nga ana jonë", sqaron Hamza Sula. Sipas tij, kostoja reale e bukës ka shkuar në 60 deri në 65 lekë të reja, duke e çuar fitimin e bukëpjekësve në rreth 5 lekë për çdo bukë.
Ndërkohë, banorët shprehen të kënaqur për ruajtjen e çmimit të shitjes së bukës, për të cilën falënderojnë prodhuesit e saj dhe kërkojnë që buka të shitet nga vetë këto furra të prodhimit, duke eliminuar kështu rritjen spekulative nga pikat ambulante të shitjes.
Megjithatë, familjet e këtyre qyteteve kanë gjetur edhe një mundësi tjetër për t‘u ruajtur nga rritja e mundshme e çmimit të bukës, atë të blerjes së miellit dhe gatimin e bukës në shtëpi, pasi kështu kostoja del më me leverdi se sa blerja e bukës me çmime më të rritura se 70 lekë.