E Diel, 1 Nëntor 2026

Pavaresia nga kerkesa per pavaresi

Kanë mbetur edhe pak ditë deri te deklarata e pavarësisë së Kosovës, me çka i jepet fund vuajtjes shekullore të popullit shqiptar në Kosovë, dhe fillimit të një jete e ardhmërie të re. Por si do të ndërtohet kjo jetë dhe ardhmëri e re, dhe sa do të jetë ajo e ndryshme nga okupimi serb?

Jeta e re...

Nuk do të ketë më kontrolle të papritura të policisë serbe, keqtrajtime, përdhunime dhe vrasje, duke ndjekur terroristë e separatistë shqiptarë, të burgosur politikë... Këtë fakt sikur nuk mund ta them me siguri. Sidoqoftë, kjo do të jetë pjesë e jetës së re kosovare...

Jetë e re kosovare do të jetë edhe shqiptari që duhet të falë, por jo edhe të harrojë, se komshiu i tij e keqtrajtoi, i zuri vendin e punës kur atë e larguan nga puna, vetëm se ishte shqiptar, i përdhunoi edhe motrën së bashku me gruan, dhe vrau gjithçka që ishte shqiptare dhe e seksit mashkullor.

Pjesë e kësaj jete duhet të jetë edhe qytetari, që nuk duhet t‘i pengojë, sepse ai voton dhe zgjedh të përzgjedhurin e popullit, ndërsa pakica serbe i ka 20 vende të garantuara, jo se kemi të bëjmë me ekstrakomunitet, por se periudha e tranzicionit dhe Plani i Ahtisarit ka menduar për pavarësinë e Kosovës dhe serbët, që nuk pushojnë së proklamuari për Kosovën si "djep i Serbisë".

Ndoshta sot është e lehtë t‘u japësh kosovarëve pavarësinë, por jo edhe t‘i bindësh zyrtarët serbë në Beograd, që ta pranojnë një fakt të tillë. Kjo është jeta e re kosovare, me shtet të ri, me serbë që nuk i pranojnë në Beograd dhe me ata që bashkëjetojnë në Kosovë.

Jeta e re në Kosovë do të ketë edhe shumë më shumë serbë të punësuar dhe shqiptarë të zhgënjyer nga ky fakt. Shqiptarët duhet ta kenë këtë parasysh, e pse jo, edhe shumë më shumë fëmijë serbë me bursa, si ekstrakomunitet, të cilit kosovarët duhet t‘i bëjnë dhe ca ditë shërbime. Madje, të gjithë e kanë thënë se nuk do të ketë më keqtrajtime nga serbët, por askush nuk ka garantuar që kjo nuk mund t‘u vijë dhe nga shqiptarët.

Jeta e re do të ketë edhe një bord të qytetit të Mitrovicës, në të cilin mund të jenë edhe Rojet e Urës. Ata shqiptarë që nuk kaluan dot në pjesën veriore, dhe tashmë mund të jenë në një bord me ata që i ndaluan për të shkuar në shtëpitë e tyre, duhet ta kenë të qartë se jeta e re ka shumë sfida, dhe njëra ndër to është edhe mbyllja e syve. Jo siç bënin piratët, vetëm me njërin, por me të dy sytë hapur, duhet të mos shohësh atë që e ke përballë, normalisht nëse nuk është shqipfolës, pa i kujtuar ç‘ka qenë, por jo edhe duke i harruar të kaluarën. Vetëm se tani ke edhe një mundësi: Të mos i lësh të bëjnë atë që bënin deri në shkurt 2008. Dhe këtë askush nuk ta ndalon dot. Por, mos harro: Edhe jeta e re ka një kufi, mos e ceno lirinë e tjetrit, edhe nëse nuk e parashikon Plani i Ahtisarit, sepse është e shenjtë...

Ndërsa e ardhmja...

Nuk duhet harruar se dhjetëra mijëra të vrarë dhe mbi një milionë të zhvendosur nga shtëpitë e tyre, ishte çmimi i pavarësisë. Pra, pavarësia nuk ka nevojë më të kërkohet, por duhet të fillohet me ndërtimin e së ardhmes që nuk bëhet, nëse harrohet e kaluara, që në këtë rast është mjaft e hidhur.

Të vrarët, të paktën do të kujtohen nga të afërmit e tyre, ndërsa zhvendosja edhe sot mund të thuhet se u harrua. 800 mijë kosovarë, që u detyruan të ecin në këmbë qindra kilometra, dhe përfunduan në Kukës e në të gjitha qytetet e Shqipërisë, nuk mund ta ndërtojnë të ardhmen, nëse e kanë harruar kaq shpejt të shkuarën. Ishte e dhimbshme dhe e trishtueshme. Fëmijët që e përjetuan, tashmë janë të moshës madhore, dhe nuk duan ta kujtojnë, sepse nuk është punuar në sensibilizimin e kësaj të shkuare të dhimbshme e, për çudi dhe shumë të afërt. Ndërsa ata që kanë lindur tashmë shkojnë në shkollë, dhe askund nuk mund ta lexojnë se bashkëmoshatarët e tyre kanë ecur në këmbë 500 kilometra, aq sa edhe autobusi do të lodhej.

Dëbimi i 800 mijë kosovarëve në Shqipëri është një gjenocid i regjimit të Millosheviçit, që duhet kujtuar, është pjesë e historisë që bindi botën perëndimore se aty po shkelen të drejtat e njeriut dhe duhet vepruar ushtarakisht. Me qindra kilometra, nën tytën e automatikut, dhe mbi asfaltin e minuar, familjet shqiptare të Kosovës kanë përjetuar edhe një mrekulli të përballuar nga qyteti i Kukësit dhe qytetarët e varfër të Shqipërisë. Edhe pse e gjithë pjesa e botës humane ishte ngritur në këmbë për ta ndihmuar këtë popull, ishte dora dhe çatia shqiptare që i shpëtoi këta njerëz të pastrehë, të cilët dora magjike e Millosheviçit i kishte hedhur në rrugë.

Mikpritja shqiptare u mundua t‘i shërojë ata nga gjithë ato tmerre që panë e përjetuan. Vlora, Korça, Pogradeci, Elbasani, Tirana, Lezha, Shkodra dhe të gjitha vendet e Shqipërisë ku kishte edhe vetëm një shtëpi, hapën portat. Mikpritja u ofrua, kjo nuk harrohet dhe ardhmja do të krijohet.

Qindra mijëra vetë ishin nisur dhe drejt Maqedonisë, ku vëllezërit e tyre shqiptarë i pritën dhe strehuan, duke u ofruar gjithë ngrohtësinë familjare që kishin, në mënyrë që ata të harrojnë komshiun e tyre serb, që i vrau gjithë meshkujt e familjes, u dogji shtëpinë dhe plaçkiti gjithçka që kishin krijuar me dekada të tëra. Rrëfimet ishin tronditëse. Edhe aty ku nuk pikonte gjak, Shkup, Gostivar, Tetovë, Kumanovë e çdo shtëpi ku flitej shqip, kishte edhe një ngrohtësi të tillë. Nuk është e domosdoshme të kthehet koka, por nuk duhet harruar e shkuara, në mënyrë që të ndërtohet e ardhmja.

E po kjo e ardhme nuk mund të ndërtohet edhe pa ndihmën e vëllezërve shqiptarë, që e rrethojnë Kosovën në të gjitha anët. Nga njëra janë vëllezërit nga Shqipëria, të cilët e kanë ndihmuar dhe do ta ndihmojnë. Model i tolerancës fetare dhe etnike është pikërisht ky shtet shqiptar, i cili mund të shërbejë edhe si model për Planin e Ahtisarit, se si mund të bashkëjetojnë shqiptarët me serbët, boshnjakët, maqedonasit, grekët, turqit e shumë pakica të tjera. Kanë sakrifikuar një pjesë të madhe të buxhetit për t‘u afruar përmes një rruge moderne. Janë shqiptarët e Maqedonisë, të cilët duhen ndihmuar dhe që kanë ndihmuar kosovarët në çdo moment. E njëjta gjë vlen edhe për ata në Mal të Zi. Janë edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës, të cilët nuk duhen përmendur vetëm atëherë kur përmendet ndarja e Kosovës. Shteti i tyre amë, jo vetëm për shkaqe gjeografike, por edhe për shkak të së kaluarës, do të jetë Kosova, ajo do t‘i arsimojë dhe edukojë brezat që kjo pjesë e banuar me shqiptarë duhet t‘i ketë, por që nuk ka mundësi, si për shkak të të drejtave të kufizuara, ashtu edhe për shkak të situatës ekonomiko-sociale...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›