Kompensimi i bukës nga qeveria, dyshime për skemën
Megjithëse Kryeministri Berisha u shpreh një ditë më parë se qeveria do të kompensojë rritjen e çmimit të bukës, duket se skema për këtë nuk ekziston. Ministria e Financave nuk premton për një skemë të qartë, që do të fillojë të aplikohet shpejt. Burime zyrtare nga kjo ministri thanë se ata kanë menduar, që kompensimin ta bëjnë përmes rritjes së pagës, por vetëm pasi të jetë përllogaritur efekti i rritjes së çmimeve në të ardhurat e një familjeje dhe inflacioni. Këto të dhëna do të shërbejnë për Financat që të vendosin më pas se sa do të jetë masa e kompensimit. Por një tregues tjetër, që do të paracaktojë masën e kompensimin, për shkak të rritjes së çmimeve të produkteve të konsumit e veçanërisht bukës, është efekti financiar që ai do të sjellë në total në buxhetin e shtetit. Ministria e Financave po shikon si rrugën më të mirë për kompensimin rritjen e pagës më shumë se kishte parashikuar këtë vit, duke përfshirë në rritje edhe efektin e çmimeve. Por, ministria ende nuk mund të thotë se kur do të ndodhë kjo rritje pagash dhe sa do të jetë ajo në masë.