E Diel, 1 Nëntor 2026

Çmimi, braktisen furrat e bukës

Klientë të pikave të shitjes me shumicë të miellit janë tani jo vetëm ata që e kanë biznes prodhimin e bukës, por edhe dhjetëra familjarë. Pas përhapjes së lajmit se një radhë furrash buke po përgatiten ta rrisin çmimin e bukës, është parë se qytetarët e Sarandës i janë afruar origjinës së tyre fshatare. Ata kanë ditë që kërkojnë pikat e shumicës për të marrë thasë mielli. Jo për biznes, por për mbijetesë. Familje të tëra blejnë thasë me miell dhe kanë vënë në punë furrat familjare. Na thonë se e bëjnë këtë jo për t‘i pasur në shtëpi, në pritje të një "sahati të lig", me të cilin nënkuptojnë krizën e vërtetë të urisë, por se kanë vendosur të vënë në tavolinën familjare bukë të bërë vetë, e cila u shijon më shumë dhe u kushton më pak. Janë edhe disa tregtarë mielli në qytetin e Sarandës, që e pohojnë këtë lëvizje të qytetarëve drejt tyre. Ismeti është njëri prej tyre, i cili na thotë se ka dy cilësi mielli. Ai i ardhur nga Kallabaka e Greqisë është me rreze më të mirë, por si bizneset edhe familjarët tërheqin më shumë atë që vjen nga Fieri. "Njerëzit me ekonomi të dobët, thotë ai, preferojnë miellin e vendit, pasi një thes 47 kg kushton 2600 lekë". Ndërkaq, mësojmë se shitja e bukës ka filluar të shënojë rënie, sidomos në disa nga dyqanet e lagjeve të periferisë së Sarandës. Shkaku është i lidhur me faktin që buka ka nisur të gatuhet dhe të "sigurohet" në mënyrë artizanale nga vetë familjet që kanë shpejtuar të mos i kapë kriza e bukës që po troket. Në bllokun e banesave të ngritura në afërsi të varrezave publike të Sarandës, që i përkasin lagjes Nr. 4 të qytetit, shtëpive të cilat kanë muaj që e gatuajnë dhe e pjekin bukën vetë, u janë shtuar edhe katër të tjera këto ditë. Duke qenë njerëz praktikë, e duke shfrytëzuar terrenin, që i bën banorë të qytetit pa hequr dorë nga privilegjet e fshatit, në avllitë e këtyre shtëpive çdo paradite digjen furrat e pjekjes. Në radhë të parë në to pjekin bukën e mbrujtur nga duart e tyre, duke i hedhur tavat në grykën e furrave personale në avlli të shtëpisë. Kjo ndodh edhe në një shtëpi trekatëshe të ngritur në zemër të këtij blloku banesash. "O do të marr ilaçet me ato 50 mijë lekë që më ka zënë pensioni, o bukën", na thotë një zonjë shtëpie, që e gjejmë duke hedhur bukën e mbrujtur e të ardhur në grykën e furrës, që më shumë i ngjan një oxhaku. Na thonë se gjithnjë e më tepër pjesëtarë të familjeve të këtushme, me origjinë fshatare, prej disa ditësh bukën e marrin miell dhe e gatuajnë duke e pjekur po vetë, në kushte shtëpie, kështu si kjo pensioniste që ka lënë fshatin e ka zbritur në buzë të detit, në Limjon të Sarandës.

Nga ana tjetër, disa tregtarë nuk kanë pritur 15 shkurtin për ta bërë rritjen e çmimit, duke e shitur 1 kg bukë me 1 euro. Por kjo nuk është bërë si me komandë nga të gjithë, pasi ka prodhues si Sovjet Mehmeti, që e kanë mbajtur ende të paluajtur çmimin e bukës, në nivelin e zakonshëm të 100 lekëve për kg. Edhe në njësinë tregtare, ku janë Ziso Zhuli e Teuta Bllaca, çmimi i dukshëm i bukës nuk është rritur. Por disa blerës na thanë se rritja është e fshehtë, pasi nuk ndodh që forma e bukës të peshojë ndonjëherë 1 kg, por 800 deri 850 gramë.

Fenomeni

Frikë nga shtrenjtimi, nis magazinimi i ushqimeve

Frika nga shtrenjtimi i mëtejshëm i produkteve ushqimore ka detyruar shumë njerëz të blejnë e të magazinojnë nëpër banesa sasi të mëdha mielli, vaji, sheqeri, orizi e makaronash. Dje, një varg dyqanesh në qytetin e Sarandës ishin plot me blerës të shtresës së mesme, të cilët blinin artikuj të përdorimit të përditshëm, përtej nevojave ditore. "Trembemi se mos ka rritje të re çmimesh dhe i marrim t‘i kemi gjendje", tha Rajmonda, një banore e lagjes Nr. 4 në Sarandë, e cila punon në sektorin shtetëror. Fenomeni është përhapur edhe përtej Sarandës dhe njerëzit që kanë mundësi financiare, kanë nisur të magazinojnë ushqimet, njësoj si në fillim të viteve ‘90, kur Kryeministri provizor, Ylli Bufi, deklaronte se vendi kishte vetëm 6 ditë bukë. E njëjta situatë është përsëritur edhe në fundin e vitit 1996 dhe në fillimin e 1997-ës, për shkak të krizës së piramidave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›