E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrau gruan shtatzënë, burg përjetë burrit

Gjykata e Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Fier ka dënuar me burgim të përjetshëm Pajtim Durajn, i akuzuar për vrasjen e gruas shtatzënë me dy binjakë. Vendimi është dhënë mesditën e djeshme nga një trup gjykues i drejtuar nga kryetari i Gjykatës së Fierit, Andi Civici, dhe me anëtarë Adelina Zarka dhe Roland Hysi. Seanca e fundit gjyqësore është zhvilluar në mungesë të të akuzuarit, i cili është përfaqësuar nga avokatja Rita Hasa. Duraj nuk ka dashur që të shkojë në seancën e fundit gjyqësore dhe në disa të tjera vetëm për të mos t‘u përballur me të afërmit e gruas që vrau në muajin e tetë të shtatzënisë. Prokurori Çlirim Sinaj ka kërkuar dënimin maksimal dhe pavarësisht kundërshtimit të mbrojtjes, trupi gjykues e ka konsideruar të mbështetur në prova dhe fakte kërkesën e prokurorit, duke vendosur dënimin me burgim të përjetshëm, që do ta vuajë në një burg të sigurisë së lartë. Ngjarja e rëndë, për të cilën u dënua maksimalisht shtetasi Pajtim Duraj, ka ndodhur mbrëmjen e 8 marsit të vitit të shkuar. Matilda Haxhia është qëlluar me armë zjarri automatik në një banesë, në fshatin Çlirim të Komunës Qendër të Rrethit Fier. Ajo ka gjetur vdekjen si pasojë e plagëve të marra, ndërsa ishte shtatzënë në muajin e tetë me dy binjakë. Pas kësaj policia shpalli në kërkim Pajtim Durajn, pasi në bazë të dëshmive dhe provave të mbledhura, ai u konsiderua autor i krimit. Pajtimi u arrestua një ditë më pas, së bashku me armën e krimit. Prokuroria e Fierit e akuzoi atë për tri vepra penale: atë të vrasjes në rrethana cilësuese të gruas shtatzënë, të mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe të prishjes së qetësisë publike. Nga hetimet rezultoi se Pajtim Duraj dhe Matilda Haxhiu ishin njohur në vitin 2005 dhe më pas ishin fejuar me njëri-tjetrin. Ata kishin jetuar së bashku në shtëpinë e dajës së të pandehurit, në fshatin Fermë Çlirim. Në vitin 2006, çifti kishte vendosur të emigronte, pasi Pajtimi ishte i papunë. Babai i Matildës siguroi një kredi në bankë dhe këto para ia dha dhëndrit për të siguruar viza dhe udhëtimin për në Itali. Dy të rinjtë arritën njëri pas tjetrit të siguronin viza "shengen" në konsullatën greke të Gjirokastrës dhe në dhjetor 2006 u bashkuan në Padova të Italisë, ku jetonte motra e të pandehurit. Aty nisën edhe problemet për çiftin e ri. Për shkak të debateve të shumta, Matilda u kthye në Shqipëri vetëm dy muaj pas emigrimit, në shkurt 2007. Pajtimi u kthye në mars, vetëm një javë përpara krimit. Më 8 mars, ai shkoi i armatosur në shtëpinë ku rrinte gruaja shtatzënë dhe në debat e sipër, shtiu mbi të me armën e zjarrit, duke e lënë të vdekur në vend. Të nesërmen, i rrethuar nga policia, Pajtim Duraj u dorëzua. Dje, rreth një vit pas krimit, ai mori dënimin maksimal nga Gjykata e Fierit.

Fyeu prokurorin, prangoset motra e të dënuarit

Vendimi për dënimin maksimal të Pajtim Durajt është kundërshtuar nga familjarë të të pandehurit. Motra e tij, Brunilda Duraj, e pranishme në sallën e gjyqit, ka fyer dhe kërcënuar prokurorin Çlirim Sinaj në përfundim të seancës dhe reagimi i togës së shoqërimit ka qenë i menjëhershëm. Me një vendim të marrë aty për aty nga ana e trupit gjykues, Brunilda Duraj, është vënë në pranga dhe është shoqëruar për në Komisariatin e Policisë së Fierit. Prokuroria ka ngritur ndaj saj akuzën për fyerje. Tw afërmit e të dënuarit, kanë deklaruar gjatw seancave gjyqësore se ai ka tentuar disa here te vetëvritet në burg. Familjarët e Pajtim Durajt thanë se ai ishte penduar për krimin që kreu. Në pothuaj 80 për qind të seancave gjyqësore, ai nuk ka marrë pjesë, vetëm për faktin se nuk donte të përballej me ish-vjehrrin dhe familjarët e tjerë të Matildës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›