Prodhuesit e bukës nuk tërhiqen: Çmimi sërish 120 lekë për kilogram
Shpresat për uljen e çmimit të bukës pas masave të fundit të ndërmarra nga qeveria janë shuar shumë shpejt. Prodhuesit e bukës deklarojnë se nuk do t‘i ulin çmimet, edhe pas masave të fundit të ndërmarra nga qeveria për të bllokuar të gjitha subjektet e prodhimit të bukës pa licencë, por edhe për moslejimin e tregtimit të këtij produkti në dyqanet ushqimore. Kjo deklaratë e prodhueseve ka ardhur menjëherë pas një takimi që ata kanë pasur në Ministrinë e Bujqësisë me drejtues të këtij institucioni. "Me këto vendime qeveria ka ndihmuar në stabilizimin e çmimeve në këto nivele që janë, pasi çmimi i grurit në bursa vazhdon të rritet", thotë Arian Qato, nënkryetar i Shoqatës së Prodhuesve të Bukës. Pak ditë më parë, Këshilli i Agrobiznesit, në bashkëpunim me vetë prodhuesit e bukës, llogariten se gati 10 lekë e kostos së një buke vinin si pasojë e tregtimit të këtij produkti në shumë pika. Po kështu, vetë prodhuesit kërkuan me forcë heqjen e furrave të palicencuara, të cilat, sipas tyre, i konkurronin në mënyrë të padrejtë. Por, edhe pasi qeveria vendosi të ndalojë tregtimin e bukës jashtë ambienteve të licencuara dhe premtoi se do të mbyllë të gjitha furrat e palicencuara, prodhuesit nuk do t‘i ulin çmimet. KASSH kishte përllogaritur pak kohë më parë se kostoja e prodhimit të një buke standard prej 800 gramësh ishte vetëm 56 lekë. Por prodhuesit e hedhin poshtë këtë dhe pretendojnë se kostoja aktuale e prodhimit të një buke është 83 lekë. Me këtë ata argumentojnë se nuk mund ta ulin çmimin.
Monopol
Prodhuesit e bukës shpesh kanë qenë shumë agresivë. Në shumë raste ata kanë kërcënuar publikisht se do të rrisin çmimin e bukës, deklarata këto, që për shkak të rëndësisë së veçantë që ka ky produkt, gjithmonë janë marrë seriozisht nga qeveria. Në të shumtën e rasteve autoritetet ia kanë dalë të mos e lejojnë rritjen e çmimit, duke u ofruar prodhuesve të bukës një sërë lehtësirash. Por gjatë këtij viti prodhuesit e rritën çmimin e bukës me më shumë se 70, duke e thyer qeverinë në dy raste. Dy vendimet e Ministrisë së Bujqësisë për të i japin monopolin prodhuesve të bukës të kontrollojnë të gjitha hallkat e tregut nga prodhimi e deri te shpërndarja, te konsumatori final. Kjo u jep atyre më shumë pozita në përcaktimin e çmimeve. Këto vendime janë kundërshtuar nga industrialistët, të cilët i konsiderojnë ato në kundërshtim të plotë me logjikën e tregut të lirë. "Qeveria po ecën kundër rrymës, pasi në vend që të hapë më tej tregun, me këto masa e mbyll atë", thotë Gjergj Buxhuku, administrator i Konfindustrias.
Lehtësira të tjera
Por, pasi qeveria i ka plotësuar dy kërkesat e tyre për të bllokuar furrat informate, si dhe për të mos lejuar shitjen e bukës në asnjë pikë tjetër tregtimi veç furrave dhe dyqaneve specifike, "furrtarët" kanë vijuar me kërkesa të tjera. "Këshilli Kombëtar i Shoqatës së Prodhuesve të Bukës, duke analizuar me përgjegjësi situatën e vështirë që po kalojnë prodhuesit e bukës, kërkon ndërhyrjen e shtetit në këto drejtime: Të hiqet TVSH-ja për miellin, të përdoren lehtësi fiskale dhe favorizuese për prodhuesit e bukës, si dhe të shikohet mundësia e kompensimit të energjisë elektrike, naftës, gazit dhe druve për prodhuesit e bukës", thuhet në deklaratën për shtyp të Shoqatës e Prodhuesve të Bukës.