E Diel, 1 Nëntor 2026

Bush: Irani, rrezik për njerëzimin

Teherani armatos hezbollahët, financon Al Kaedën dhe programi i tij bërthamor përbën një rrezik për tërë komunitetin. Shkurt, Irani kërcënon sigurinë botërore. I ashpër Presidenti Xhorxh Bush në fjalën e tij, në Abu Dhabi, kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe, në përfundim të udhëtimit të tij në Izrael e Lindjen e Mesme. Vazhdon pra, madje bëhet akoma më e ashpër, kryqëzata e Uashingtonit kundër Teheranit. Fjalimi i Bushit sulmon drejtpërsëdrejti qeverinë e Ahmadinexhadit dhe individualizon qartësisht tek Irani "rrezikun e ri për njerëzimin". Fjalimi i tij përhapet shpejt në rajon dhe është e lehtë të parashikohet se këto fjalë do të kenë shpejt efekte diplomatike në nivel ndërkombëtar. Në një farë mënyre, në fakt, Teherani duhet t‘u përgjigjet këtyre akuzave. Fjalimi i Presidentit Bush pritej prej kohësh nga liderët botërorë dhe në veçanti nga vendet e Gjirit Persik dhe Lindjes së Mesme, për të kuptuar se cilat do të jenë hapat e radhës së Uashingtonit në politikën e jashtme. Dhe Bush nuk ka zhgënjyer askënd, por ka përdorur fjalë të qarta dhe të prera për Izraelin dhe Palestinën, për Irakun dhe Iranin. "Do të ndihmojmë Izraelin dhe Palestinën të jetojnë në paqe", ka thënë Presidenti amerikan. "Ka ardhur momenti t‘i shohim izraelitët dhe palestinezët të jetojnë së bashku, në paqe, në Tokën e Shenjtë", ka shtuar ai. Para se të mbërrinte në Gji, Bush në fakt ka kaluar tri ditë mes Jerusalemit dhe Tel Avivit, duke u takuar si me liderin izraelit, Ehud Olmert, ashtu edhe me atë palestinez, Mahmoud Abas. Vendeve arabe, ndërkohë, Xhorxh Bush u ka kërkuar të mbështesin përpjekjet për paqe mes Izraelit dhe palestinezëve. Një akord paqeje "duhet të bazohet mbi sigurinë e kufijve për Izraelin dhe një shtet të pavarur, sovran dhe me vazhdimësi territoriale për palestinezët". Por, Irani është "fiksimi" i vërtetë i shefit të Shtëpisë së Bardhë. Sulmi frontal kundër Teheranit ishte përgatitur që një ditë më parë, kur duke folur në Kuvajt, Bush kishte thënë: "Teherani të ndalë sulmet". Ndërsa dje mbërriti edhe paralajmërimi përfundimtar: "Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët arabë duhet të përballen të bashkuar me kërcënimin iranian, para se të jetë shumë vonë". Analistët e Uashingtonit nuk kanë dyshime, kanë mbushur faqe të tëra raportesh dhe kanë frymëzuar gjithashtu fjalimin e Presidentit: "Teherani financon terroristët, dëmton paqen në Liban, kërcënon vendet fqinje, u dërgon armë talebanëve, sfidon Kombet e Bashkuara dhe destabilizon tërë rajonin, duke refuzuar të tregohet i hapur mbi programin e tij bërthamor. Veprimet e Iranit kërcënojnë sigurinë e kombeve e ky vend është mbështetësi më i madh i terrorizmit". Më pas, Bush u është drejtuar iranianëve, duke bërë kështu një ndërhyrje politike shumë fine, duke ndarë pra qeverinë nga populli, duke sulmuar të parën e duke inkurajuar të dytën. "Qeveria juaj është një kërcënim, por ju, populli iranian, nuk jeni të tillë. Ju uroj më shumë demokraci, më shumë liri dhe një hapje më të madhe ndaj komunitetit ndërkombëtar. Ju iranianët nuk keni miq më të mirë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndërkohë, Presidenti amerikan, Xhorxh Bush, u është drejtuar të gjithë qytetarëve të Lindjes së Mesme, që luftojnë kundër terrorizmit, duke u thënë se ekstremistët kanë "shtrembëruar islamin". Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe i gjithë Perëndimi janë pra "miq" të popullit arab, që duhet të luftojë Al Kaedën dhe terrorizmin, po aq sa i lufton vetë Perëndimi. "Ne ju themi se jemi miqtë tuaj dhe ju urojmë që shpejt të bëheni vende demokratike. Liria është një e drejta juaj, objektivi juaj, qëllimi final. E pra, Zoti ju bekoftë!", përfundoi Presidenti Bush. Para se të mbërrinte në Emiratet e Bashkuara Arabe, Bush ka bërë një ndalesë në Bahrejn. Atje ai ka ngrënë mëngjes me pjesëtarët e flotës së pestë amerikane dhe ka biseduar me komandantët e tyre. Bush filloi turin e tij në Izrael dhe territoret palestineze për të vazhduar më pas me Kuvajtin, Bahrejnin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Ndalesat e radhës: Arabia Saudite dhe Egjipti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›