Humori vlonjat shpotit rëndë politikën
Estrada profesioniste e qytetit të Vlorës ka hapur siparin e saj me shfaqen e premierës, "Premtimet, thesi me hime", në kinoteatrin "Petro Marko", mbrëmjen e djeshme. Premiera kishte në vetvete elementin muzikor, parodi ndërthurur me skeçe, si dhe futjen e elementëve koreografikë, që kanë qenë dominues në këtë shfaqje të parë të kësaj estrade për vitin 2008. Në premierë janë trajtuar probleme aktuale të politikës, të premtimeve nëpër fushata, politikës së punësimit, e cila është kthyer në monopol të tyre, si dhe probleme të tjera aktuale të qytetarëve shqiptarë, të trajtuara bukur nga satira dhe humori i aktorëve të trupës profesioniste të qytetit të Vlorës. Peshën më të madhe të kësaj premiere e ka mbajtur treshja e parodistëve: Hamo, Likaj dhe Agalliu. Premiera u realizua nga regjisori Qirjako Sava, muzika Artur Dhamo, skenografia Agron Jakupi, libreti Fon Ilia dhe Gafur Shameti. Premiera do të shfaqet dhe për disa ditë rresht në sallën e teatrit "Petro Marko".