E Diel, 1 Nëntor 2026

Thesaret e Kolonjës

Nëntoka e Kolonjës është një nga më të pasurat në juglindje të vendit, nga pikëpamja arkeologjike. Këtu janë gjetur që nga komplekset e furrave të pjekjes së baltës dhe deri te kuaj me krahë, ku për të parën herë në vendin tonë është shfaqur një pegas nga mitologjia. Një terakotë që simbolizon dominimin e femrës dhe të pushtetit të saj, me një modelim tepër të veçantë, dhe që ka tërhequr edhe interesin e studiuesve vendas dhe të huaj që e kanë konsideruar si të rrallë, e ka origjinën nga nëntoka e kësaj zone, atje ku për vite të tëra arkeologët u janë rikthyer kërkimeve të munguara në kohën e pasluftës. Në zonën e Kolonjës, në një shtrirje kohore prej 40 vjetësh, janë bërë zbulime të shumta nga ku kanë dalë edhe objekte të rralla jo vetëm për vendin tonë, por edhe më gjerë në sferën ballkanike dhe atë evropiane. Këtu janë shfaqur për të parën herë elementë të përpunimit të qeramikës dhe kthimit të saj në art, por edhe elementë të tregtisë me vendet e tjera dhe të importit të objekteve të ndryshme me origjinë mikenase. Kolonja ka qenë një vend i pazbuluar më parë në këndvështrimin arkeologjik. Para çlirimit, siç tregon një nga arkeologët dhe studiuesit e vjetër, Skënder Aliu, nuk kishte njohuri me përmbajtje apo të dhëna për arkeologjinë në këtë territor. Viti 1967 shënoi edhe fillimin e punimeve të para me interes arkeologjik, ku hap pas hapi u hodh dritë mbi vendbanime të shumta në numër, të ndërtuara pranë lumenjve dhe pellgjeve ujore, apo në pika të cilat kontrollonin vendkalimet, mbi botën e banorëve të hershëm, punën e tyre dhe botëkuptimin për jetën e vdekjen e kështu me radhë. Kështu, nga nisja e gërmimeve të shumta në zonën e pashkelur më parë nga arkeologët, u zbuluan edhe furra të vendbanimeve neolitike në Kamnik. Sipas arkeologëve, Kamniku është një nga territoret nga ku janë zbuluar shumë objekte me vlera të rralla. Në këtë zonë u gjetën 12 furra, një kompleks në të cilin ka pasur edhe enë antropomorfe. Një nga terakotat prej balte ka qenë ajo e bustit të një gruaje. "Terakota që është vlerësuar si e rrallë i përket kohës kur sundonte pushteti i gruas. Ajo dominonte në atë periudhë kur i kanë kushtuar edhe një objekt të tillë. Kjo terakotë është konsideruar si një nga dukuritë më të bukura në artin prehistorik të Evropës Juglindore. Madje edhe sot vlerësohet si një kombinim i artit primitiv dhe atij modern për nga mënyra se si është dizajnuar. Terakota bust femre daton nga fundi i mijëvjeçarit të 4 para erës sonë dhe ruhet si një nga objektet më me vlerë në muzeun arkeologjik të Korçës", thotë profesor Skënder Aliu. Ai tregon se si nisën vite më parë kërkimet, ndërsa në 40 vjet i është kushtuar vëmendje zonës së Kolonjës, për të cilën ka bërë edhe studime të shumta dhe botime. Elementë të tjerë që kanë qenë të rrallë për zonën e Kolonjës, siç tregon Skënder Aliu, janë edhe një pegas, kali me krahë, që është i vetmi në vendin tonë, por edhe enë prej balte të cilat nga forma janë të vetmet në vend. Nga nëntoka e Kolonjës janë gjetur enë me tri qafa. Edhe pse këto nuk kanë qenë si objekte tryezash, ku mund të hidhej uji, mendohet se kishin të bënin më tepër me kultin. Nga ana tjetër, objekte me forma të veçanta janë edhe vazokambanat. Ato quhen kështu pasi vihen kokëposhtë. Vazokëmbanat kanë formën e vazove, por ndryshe nga sot, kur gryka e hapur qëndron lart dhe baza e një vazoje është e sheshtë, këto janë quajtur të tilla, pasi kanë sipër dy sfera dhe vendoseshin me grykën poshtë si kambanë. "Vazokambanat që janë të parat zbulime të këtij lloji kanë sipër dy sfera. Këto janë objekte unikale dhe mendohet se kanë lidhje me kultin edhe duhet të kenë qenë në një altar. Këto janë gjetur në Kamnik dhe janë unikale madje në botë. Sferat që kanë në dy anë vazokambanat krijojnë konceptimin e banorëve të hershëm për dy botët, atë njerëzore dhe atë pas vdekjes", thotë Aliu. Po në Kamnik janë gjetur edhe elementët e parë të lidhjeve me vendet e tjera. Mes objekteve të shumta janë zbuluar edhe enë të cilat ndryshojnë nga përbërja, format dhe mënyra e dizajnimit të tyre nga enët e zonës. Kjo tregon se ato janë enë që kanë ardhur nga importi. "Në periudhën e neolitit në Kamnik është zbuluar se banorët kanë pasur lidhje të ngushta me zona të qytetëruara. Këtu janë gjetur vazo dhe enë të ngjashme me ato të zonës së Diminit, që tregon se banorët kanë pasur lidhje gjatë kësaj periudhe me vendet e tjera. Enët ndryshojnë nga ato të prodhimit vendas të zonës nga dekori, brumi dhe forma. Krahas kësaj, po në zonën e Kamnikut janë zbuluar edhe fortifikimet e para në Shqipëri. Këtu është zbuluar një fortifikim që i përket periudhës së neolitit. Për të parën herë nga veglat është gjetur një daltë. Banorët e zonës së Kolonjës kishin aktivitet kryesor jo vetëm bujqësinë, por gjithashtu merreshin me zejtari. Ata mund të themi se kanë qenë artistë të vërtetë të përpunimit të qeramikës", thotë Skënder Aliu. Në hartën arkeologjike të Kolonjës janë hapur edhe gjashtë varreza të mëdha tumulare. E para varrezë e tillë e periudhës së bronzit është zbuluar në vitin 1973, gjatë gërmimeve arkeologjike në fshatin Prodan. Kjo pasoi kërkimet e mëtejshme në zonën e Kolonjës, ku më pas u zbulua varreza më e madhe, ajo e Rehovës. Më interesantja mbetet tuma e Rehovës, një monument në fushë që i përket prehistorisë, me përmasa të mëdha dhe e para e këtij lloji në Ballkan. Ajo është ngritur mbi një varr qendror, me muranë, me unazë shiritore. Brenda kësaj unaze ka qenë i vendosur varri qendror. Gjatë gërmimeve në këtë vend është gjetur një enë e importuar nga Mikena, që daton nga gjysma e dytë e shekullit të 15 para Krishtit. Në këtë varrezë tumulare kanë qenë 300 varre dhe janë zbuluar 700 objekte të ndryshme. Brenda një varri kishte pafta floriri mikene, gjilpëra me kokë disku, me origjinë nga Evropa Qendrore dhe rruaza të importuara. Krahas këtyre varrezave, të tilla janë zbuluar në fshatrat Shtikë, Psar, Luaras dhe Borovë, nga ku kanë dalë edhe enët e para të kultit, vazot me tri qafa e të lidhura me një dorezë. Vetëm në tumën e Luarasit u gjetën 500 objekte dhe 200 varre. Kultura ilire, siç tregon arkeologu Aliu, është zhvilluar, përsosur dhe kultivuar në nivele të larta gjatë epokës së hekurit. Kolonja ka qenë një nga zonat kryesore ku është përsosur më tej kultura ilire në këtë periudhë. "Gjatë kësaj periudhe ndodhin ndryshime të thella ekonomike dhe sociale. Banorët tashmë nuk merreshin vetëm me bujqësinë, me zejtarinë e përpunimin e qeramikës dhe metaleve, por vendosnin kontakte dhe marrëdhënie me Maqedoninë dhe Thesalinë. Nga gërmimet tumulare janë gjetur mijëra objekte hekuri, argjendi, floriri, qelibari, kocke, fibula me origjinë mikene, prodhime të objekteve në vend. Për herë të parë në këtë epokë zbulohet prania e një përkrenareje arkaike, më e vjetra e këtij lloji në Ballkan, me origjinë korintike. Kjo është zbuluar në Borovë, në një varrezë. Po në Borovë janë gjetur disa skeptra, shkopinj sundimtarë, që tregojnë se në fillim të shekullit të 6-të në Kolonjë ka lindur aristokracia ushtarake. Kjo shënon edhe fillimin e periudhës protourbane. Elementët dhe objektet e zbuluara tregojnë se në këtë vend ka pasur një organizim ushtarak. Jo vetëm në varrezat tumulare të Borovës, por edhe më tej, në varrezat e tjera, janë gjetur me shumicë maja heshtash prej hekuri, shpata që tregojnë se ka pasur armë të vetëmbrojtjes por edhe një kompleks të një ushtrie këmbësorësh. "Shtika është një tjetër fshat i pasur me vlera arkeologjike. Nën një pllakë u zbulua për herë të parë një varr monumental i gdhendur në gur. Varri gjatë kërkimeve është gjetur i boshatisur, pasi ka qenë në një vend të dukshëm. Ky quhet Guri i Sënduqit. Një i tillë është gjetur edhe në Leskovik dhe quhet varri i Krajlit. Krahas urave, varrezave tumulare, kalave të shumta dhe mijëra objekteve, në zonën e Kolonjës mësohet se është gjetur edhe një thesar. Kjo ka ndodhur në vitin 1990, në fshati Hollm dhe njihet si thesari i Hollmit. Përballë një kulle, në një pjesë kodrinore buzë rrugës nacionale, ndërsa mendohej se aty mund të kishte ekzistencë të një varreze tumulare, në majë të pjesës së ngritur kodrinore u zbulua edhe thesari. Aty ishin vendosur dhe fshehur monedha të Eginës, ishull afër Athinës. Monedhat me figura ishin të futura në një enë metalike. Në kodrën e thesarit në Hollm janë nxjerrë 480 monedha. Më pas, në afërsi të fshati Hollm u zbulua edhe kali i vetëm pegas me karakter mitologjik në vendin tonë. Gjurmët më të vjetra të lashtësisë në Kolonjë kanë ardhur nga Luarasi. Gjatë kontrolleve dhe inspektimeve për interes të arkeologjisë në vitin 1980 u zbuluan gjurmë të një banese të vjetër, materiale guri, kocke dhe qeramike, kategori të ndryshme enësh prej qeramike me sipërfaqe me lustër me ngjyrë të murrme dhe të zezë, si dhe motive plastike të zbukurimit. Për nga banesat e shumta të prehistorisë, objektet që janë nxjerrë nga nëntoka e pasur me objekte që u përkasin periudhave të ndryshme, Kolonja mbahet si një nga vendet më të pasura në juglindje të vendit. Ajo ka tërhequr shpesh interesin e arkeologëve të ndryshëm, ndërsa është bërë edhe objekt për të thithur edhe studiues të huaj në këtë zonë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›