E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbi njeriun jeshil

Krijimtarinë në prozë të Moikom Zeqos e kam ndjekur me kujdes në vite, që në fillim të viteve ‘70 të shekullit të kaluar. Tregimet e kësaj periudhe, si "Gruaja e burrit me potkoj" ose "Tregim për Heminguejn" janë parabola shprehëse, të përafërta me skicat, por plot ngjeshje figurative të brendshme. Ato janë përjetime konkrete, por që burojnë natyrshëm simbolikë dhe kod kuptimesh ngacmuese. Këto tregime të shkurtra paralajmërojnë edhe prozën e gjatë të Moikomit, që shpërthen më vonë, si librat "Kështu foli Mona Liza", "Mes Laokontit dhe Krishtit", "Syri i tretë" dhe sidomos "Grishja e Florimontit". Për këtë vepër të fundit Dritëro Agolli ka shkruar: "...Florimonti i Moikomit është një prozë e madhe e nivelit të Umberto Ekos". Proza e shkurtër, për mendimin tim, e arrin kulmin e saj në librin e veçantë "Fjalëkryqet e Babilonisë" (2002). Këtu origjinaliteti dhe profili krijues i Moikomit janë tipologjikë. Ndërfutja e miteve, por edhe e estetikës në trillin krijues të Moikomit, është bërë edhe në shtratin e ironisë dhe të paradoksit. Kjo është e rëndësishme. Kjo duket sidomos në prozat "Vrasje me shah", "Trillet e kohës" dhe sidomos në tregimin "Njeriu jeshil". Në këto tregime përzihen kohërat dhe personazhet në hapësira të ndryshme, ndërthuren subjektet në mënyrë tërheqëse dhe të çuditshme. Proza e shkurtër e Moikomit është vetvetiu diçka që tërheq vëmendjen e lexuesit dhe studiuesve, është edhe ftesë për debat. Kështu, pas 40 vjetëve krijimtarie shumëformëshe, cilësore dhe të pandërprerë, poeti, shkrimtari dhe studiuesi i njohur Moikom Zeqo shfaqet me përmbledhjen e tregimeve të zgjedhura, që në llojin e vet është unike në prozën moderne shqipe të dekadës së fundit. Një prozë energjike, pretenduese, që vjen nga poezia, që ndal flatrat vetëm për pak kohë (brendapërbrenda krijimtarisë së Moikom Zeqos), pasi poezia e rëndësishme e autorit ka nevojë jetike për peshën e rëndë të ngjarjeve, fakteve jetësore dhe zhbirimin e mendimit filozofik, në alternimin e gjinive dhe zhanreve letrare të ndryshme. Proza e shkurtër e Moikomit është e veçantë dhe konceptuale, si dhe ngërthen tërë artin e tij të ndërlikuar. Letërsia për të është para së gjithash perceptim. Në universin e tij krijues konceptualiteti i prozës është një simbiozë e poezive me prozën e diturinë e shumërrafshme me përvojat krijuese. Por, jo vetëm kaq, proza e Moikomit është një meditim në kohë dhe në hapësirë, ku ndërlidhen, ngjizen, subjektet reale dhe imagjinare, personazhe të njohur të miteve, historisë dhe artet, si dhe të tjerë (anonimë), që kanë kaluar në heshtje mbi koren e kësaj toke. Mjeshtër i vërtetë, kapricioz i rrëfimit dhe i përshkrimeve me një gjuhë ritmike, që rrjedh lirshëm, pa pengesa artificiale, si një ujëvarë e vrullshme. Zeqo modelon botën e tij, të shpalosur me ambicie dhe humanizëm. Subjektet e tij janë reale dhe trancedentale, janë tregime të shpirtit, përrallore, ekzistenciale dhe mistike. Sigurisht, proza e tij është një prozë që nuk ngjan me prozat e kolegëve prozatorë, është një prozë e ngjashme me vetveten, mund të përafrohet me stilin vetiranik dhe erudit të Borgesit dhe me gjetjen befasuese, fabulare të Dino Buxatit. Zeqo i rrotullon botët dhe ngjarjet në një vërtitje kaledoiskopike, vetë stili i tij është kaledoiskopik. Në këtë libër, me tregime të shkruara që nga vitit 1970, Zeqo na impresionon me nuancat dhe autopsinë analizuese të prozës me elementë mistikë. Mistika për Zeqon nuk është botëkuptimi, por para së gjithash metafora. Autori e tjetërson në një natyrë tjetër rrëfimin klasik, bën një simbiozë të arteve të ligjërimit dhe teknikëve të shkrimit. Përvojat e tij, të poetit, arkeologut, piktorit, personalitetit shoqëror etj., përbëjnë profilin e tij të spikatur si pak personalitete të kulturës kombëtare. Moikomi është një prozator i fuqishëm, një prijës i modernitetit letrar, ai e njeh sekretin e universalitetit të subjekteve. Ky libër pasuron opusin e prozës së shkurtër. Moikom Zeqo është një nga talentet më të shquar të artit modern, bashkëkohor i fjalës shqipe në tërësi dhe meriton të studiohet dhe të vlerësohet më shumë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›