E Hënë, 2 Nëntor 2026

"Ethet", e diela e dytë shton emocionet dhe spektaklin

U zhvillua mbrëmë e diela e dytë e Etheve me një konkurrim tejet emocional mes 9 konkurrentëve. Ata interpretuan hite të njohura italiane, si dhe të muzikës së lehtë shqiptare në vite e asaj botërore. Juria përballë dha vlerësimet e saj, duke përbërë dhe një ndër boshtet e spektaklit me mënyrën se si të gjithë anëtarët e saj, japin mendime mbi interpretimin e konkurrentëve. Risi e kësaj jurie është prania në të e muzikantit dhe regjisorit të "Top Channel", Bojken Lako, që ashtu si dhe kolegët e tij, ka treguar një përgatitje të jashtëzakonshme profesionale në gjykimin e cilësisë së interpretimit. Edhe mbrëmë, salla e mbushur përplot e Teatrit të Operës dhe Baletit, ishte shenjë e një pune gjigante në të gjitha parametrat artistikë e televizivë. "Ethet" kanë bërë një rrugëtim të gjatë disamujor, të nisur nga audicionet nëpër qytetet kryesore të vendit, si dhe në Prishtinë. Është llogaritur që 7 mijë konkurrentë të jenë paraqitur para jurisë, duke testuar talentin, ku siç kuptohet 6 mijë e 9 qind e 9 dhjetë prej tyre kanë provuar shijen e hidhur të skualifikimit. Më pas, audicionet e njëpasnjëshme deri tek ai në të ftohtin e dhjetorit në mes të stadiumit "Qemal Stafa" dhe te salla e Teatrit të Operës, por pa spektatorë, shtrydhën deri në 10 numrin e konkurrentëve. Tashmë janë 8 pas eliminimit të dy konkurrentëve në dy të diela. Ata që do të vijojnë konkurrimin, sa vijnë e bëhen më të njohur për publikun. Ky është dhe një nga aspektet më magjike të "Etheve", si dhe thelbësori e ashti i këtij lloj spektakli; që nga një anonimitet absolut, i çon të talentuarit në një famë absolute. E në këtë rrugëtim ndodh mrekullia e shndërrimit nga një profan, por me pak talent, në një profesionist, ku talenti është zëvendësuar me një punë kolosale. Sigurisht, kjo nuk është e panjohur në jetët njerëzore. Dhe është madje e zakonshme në kuadër vitesh. Ndërsa në rastin e "Etheve", e veçanta dhe e rralla është se ky shndërrim ndodh në disa muaj. Dhe, publiku ka rastin ta shohë këtë mrekulli në 9 javë, çdo të diel në mbrëmje në "Top Channel".

Emrat e 10 konkurrentëve të "Etheve"

(Vetvetiu në 9 javë do të mësohen përmendësh nga çdo shqiptar)

Marjela Billa - Tiranë

Xhensila Myrtezai - Tiranë

Kejsi Tola - Tiranë

Himena Ymeri - Tiranë

Fatlum Zeka - Prishtinë

Evin Thana - Prizren

Dorina Xërxa - Gjakovë

Dorina Garuci - Shkodër

Rezarta Smaja - Shkodër

Simona Karafili - Kavajë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›