E Diel, 1 Nëntor 2026

Edgar Çani feston me gol rinovimin deri në vitin 2012

Edgar Çani e ka festuar në mënyrën më të mirë rinovimin e kontratës me Peskarën. Sulmuesi i talentuar shqiptar ka shënuar golin e tretë në fitoren 3-0 që skuadra e tij arriti me Sanxhenovezen, ndeshje e vlefshme për javën e 20-të të Serisë C. Në minutën e 90-të, ai ka shfrytëzuar hapësirën e paraqitur dhe ka realizuar golin e tretë personal në këtë sezon. Kjo fitore ishte shumë e rëndësishme për skuadrën, e cila pretendon të futet në zonën "play-off", por mbi të gjitha ka konfirmuar kualitetin e Çanit. Vetëm pak orë përpara ndeshjes, 18-vjeçari ka pranuar të qëndrojë me klubin ku është formuar si futbollist deri në 30 qershor 2012. ky vendim është përshëndetur edhe nga presidenti i Peskarës, Xherardo Solia: "Jemi të kënaqur për zgjedhjen e bërë nga futbollisti. Në këtë mënyrë, Çani vendosi të bëhet pjesë e një projekti të rëndësishëm dhe mendoj se në skuadrën tonë ai ka shansin që të tregojë kualitetin e tij dhe të rritet si profesionist". Duke vendosur të qëndrojë me Peskarën, shqiptari ka "injoruar" interesimin e dy skuadrave të mëdha në Itali, si Interi, Sampdoria e Palermo. "Pavarësisht interesimit, për të cilin kanë folur edhe mediat, nga skuadra të rëndësishme si Interi, por edhe nga skuadra të huaja, Edgari vendosi të vazhdojë qëndrimin dhe të punojë së bashku me ne për projektin që kemi". Mjaft i kënaqur është shprehur edhe vetë Çani: "Jam i sigurt se kam bërë zgjedhjen e duhur. Falënderoj klubin, prindërit dhe menaxherët e mi, të cilët më kanë udhëhequr drejt këtij vendimi". Persona pranë Peskarës e kanë cilësuar sulmuesin e talentuar si "Kristian Vieri i ri". Ndërkohë, lojtari pritet të bëhet pjesë e kombëtares Shpresa të drejtuar nga trajneri Bushati, për miqësoren e 6 shkurtit kundër Maqedonisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›