E Diel, 1 Nëntor 2026

Centurioni i betejës së Velos

Të njëqindtët. Si centurion i formacioneve luftarake romake. Ky vargan i shqetë, ndoshta do vijojë ta shqetësojë turmën nën idenë e sulmit. Por në fakt - përderisa udhërrëfyesi shfaqet si poet - kjo shpurë centurioni përfaqëson anën tjetër të medaljes antike: mundin për të shpurë ca qytetërim dhe për të shporrur rehatinë atavike.

…Sërish ndeshje, përsëri gjetje. Këtë herë poezi narrative, që rrëfejnë ç‘kanë përreth dhe përbrenda, përmes piktoricitetit. Ndeshje me veten dhe maraz metafizik; kumte të mirë apo fatkeq, endur e tëra në mirazh piktorik. Objekte dhe gjurmë ankestrale: gurë, përrenj, zogj e drurë, të dalë në pah si për të na shpallur ogure maati që vijnë prej mijëra vjetësh, prej dijeve të parathëna para farës njerëzore e të pakohshme. Pastaj ngulme qëndrese, kujtime e shkulme harrese. Dhe s‘mund të mos ndihet edhe ngërçi i vargut, ndërprerja, asinkronia aritmike që e bën organike dhe të vërtetë, si rrahjet e zemrës kur përcjell emocionin e fortë. Se një qenie e ndërprerë vizaton edhe me linja të ndërprera dhe vargëzon si belbëzim primordial që do të thotë të vërtetën.

Sapo ma ka dhuruar librin, me dedikimin: "Për miqësinë tonë…" 11.01.2008, ndaj jam ende pothuaj te titujt dhe te grafika e Velos në kopertinën e zezë. Nën jehonën fonetike të recitimit të poezive mes miqsh, gjatë prezantimit me librin. Me ato ese në miniaturë si paradigma të arkitekturës së dhimbjes. Nga ato që cysin për të shkruar mbi to. Diçka, që më shumë se sa vetë poezia, ta bie si urdhër në vesh empatia. Se nuk ka nevojë të kesh njohur mirë Senën për të ndjerë poezinë e Velos kushtuar vendlindjes. Lypset vetëm ndjenja. Për më tej të ndihmojnë edhe Mone, Pisaro e Renuar. Nuk lypset të kesh parë mansardë Parisi, ku Maksi i ngjizte poezi e vizatime mirënjohjes. Lypset veç të kesh parë e ndjerë mirënjohje. Mandej të ndih papafingoja e Balzakut, ku i ka rënur koka komedisë njerëzore. Po aq edhe metafora e papafingos së munguar të Bodlerit, që i dha poezisë vargun e brengës: "Doja të kisha një papafingo për ta pavdekësuar me mendime sublime". Pastaj mansarda e Pikasos, e zgjedhur në rrugën "Shën-Augustin", në shenjë mirënjohjeje dhe në honor të Balzakut. Aty ku skicoi dhe kopertinën e librit të gjeniut të romanit. Mund të mos e kisha parë as mansardën e mikut tim Maks, këtu në Tiranë, për të shquar sesi kur ai vizaton a shkruan, shpesh reciton edhe brengën e Bodlerit. E mund ta ketë thënë edhe pa e ditur që poeti e pat kënduar kohë përpara. Ndaj edhe pa e lexuar të tërën, e njoh poezinë e tij, se ia njoh ca poetikën, paksa peshën e barrës dhe krojet ku mbush ujë. Këtë gurgullimë të dijes së urtë e të gjithëkohshme ndjej që rrjedh poshtë kopertinës së centurionit me 100 poezi, si nën një urë që tash e kam përpara. Me ta lexuar do më shfaqet edhe si një imazh peizazhi piktorik.

Nuk do doja më tepër. Dakord që poeti i vërtetë quhet Migjen apo Bodler, por dhe një i vërtetë, i paepur në vërtetësinë të tij, është poet.

A nuk ka prej dëshpërimi migjenian apeli i pareshtur i Velos: pak punë, or mik, or vëlla! Pak masë në shkatërrim, pak stil, pak njerëzi, pak fakt e vërtetësi! Dhe masa mërzitet pa masë se nuk ia honeps dot, si çdo të urti, thirrjen e përsëritur për sensin e masës. Turma ofshan pak a shumë kështu: na lini të jetojmë siç jemi mësuar! E thoshte Hygoi që ç‘nuk i zunë sytë. Përfshirë dhe xixëllimat e gijotinës, ama në Francën e tij ngjarja, sidoqoftë, ia behte veshur me dinjitet, ideal dhe sublimitet. Aty, në Parisin ku Maksi lindi sa për të mbetur peng i mirazhit të arkitekturës dhe arteve të vendlindjes. Shumë kanë parë dhe sytë e tij! Aq sa duket sikur janë parë të gjitha ose asgjë. E tëra për hiçgjë: pa sens, pa burrëri, pa besim, pa vërtetësi… Se ku ka më absurditet e njëherësh plot kuptim, se sa skena "idilike" që ai më rrëfeu për festën e një viti të ri në burgun mes maleve kryelartë, llamburitjen e dritave shumëngjyrëshe ndër telat me gjemba, që rrethonin e ndanin terrin dhe obskurantizmin në dy anë. Dhe sikur kjo të mos mjaftonte: fatalisht festive skuqja e borës. Nga breshëria mbi kurmin njerëzor teksa donte të kapërcente sinoret e ndëshkimit… për të festuar vitin e ri në shtëpi.

I dënuar për përhumbjen e tij në vegim dhe për fajin e shpalljes së vetmisë artistike e intelektuale, dosja Velo është inkuizicioni i paprecedent mbi artistin - mbi 200 vepra të shkrumbuara. Ashtu si brenga bodleriane, apo pikëllimi migjenian, edhe një poezi e Velos s‘ka sesi të vlejë sa vajtojca e tij.

Herezia e Velos (në vijim): ndjenja për të saktën. Motoja: puna. Arma: vërtetësia. Synimi: krijimi e korrigjimi. Metoda: korrektësia e ndershmëria. Tipari: tepria e këtyre. Haraçi (në vijim): kërkimi i qiqrave në hell.

"J‘aime trop mon pays pour etre nacionaliste", tha Kamy, që ta kuptonin se pikërisht nga dashuria për vendin s‘mund të ishte patetik ndaj tij, ngase e donte edhe më të mirë. Dhe mbetet një kredo intelektuali që të mban të lidhur si kordon kërthize me artin e qytetërimin. Dhe mbetet gjithmonë Maks Velo - vegimi pa përhumbje. Edhe fëminor si artisti, edhe i ashpër si ndëshkimi. Mes ëndrrës dhe zhgjëndrrës. Pa pranuar ofiqe, për t‘u bërë fiq-fiqe iluzioni për të dëshpëruarit pseudo - intelektualë. Gjëja më e rrezikshme për intelektualin -pati vënë re Cvajg- është mungesa e qëndresës. "Paçim e dhënçim të gjithë si Maksi…", ka lënë të shkruar kryeqytetasi i Tiranës në një ekspozitë të Velos, në librin e përshtypjeve që mban galeria. Urim i hapur e me etikë qytetare i pushtetit ndaj artistit. Ndoshta dhe artistit me pushtet, ndaj pushtetit të vetes. Se mund të lexohet edhe kështu: Më ktheni artin, t‘ju jap pushtetin shpërblim! E kjo është temë për një tjetër ese me paradigma dhimbjesh. Nga ato ku referencat janë shumë, duke e nisur nga Fausti. Se krijimi, edhe në art, përmban sakrifikimin. Por le ta mbyllim me poezinë, me gjininë ku kurbani dëshiron fjalën. 100 poezi - 100 ngjarje. Se çdo poezi, e vockël apo e madhe, lindur në Spaç apo në spacio, është një krijesë që bëhet qenia që do lindë një botë, për të rilindur çdo ditë edhe poetin e saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›