E Diel, 1 Nëntor 2026

Dorëhiqen gjykatësit e bandës së Lushnjës

Trupi gjykues i procesit ndaj anëtarëve të bandës së Lushnjës ka paraqitur dorëheqjen nga kjo çështje, për shkak se një pjesë e këtyre gjykatësve ka qenë në trupin gjykues që dha vendimin ndaj Enver Boriçit, një tjetër anëtari të kësaj bande, që u gjykua më vete. Për këtë arsye, seanca e djeshme e këtij procesi u shty. Dorëheqja ndodhet tashmë në tryezën e kryetarit të Gjykatës së Krimeve të Rënda, Sandër Simoni. Burime të sigurta pranë këtij të fundit thanë dje për "Shqip" se kryetari është duke shqyrtuar dosjen përkatëse dhe do të shprehet shumë shpejt për këtë çështje. Të njëjtat burime konfirmuan se Simoni ka qenë në pritje të vendimit lidhur me kërkesën e bërë nga pala mbrojtëse për përjashtimin e trupit gjykues. Por gjykatësit duket se zgjodhën një tjetër rrugë për të eliminuar këtë problem që ka dalë gjatë gjykimit të çështjes.

Në ditët e fundit të vitit të kaluar, gjatë seancës më të fundit të procesit ndaj të pandehurve Arben Boriçi, Ilir Stergu, Afrim Hoxha, Erion Cici, Arjan Aliço, Jorgo Muzaka (Agur Musaku) dhe Rexhep Gina, avokatët mbrojtës kanë kërkuar largimin e trupit gjykues të drejtuar nga gjyqtarja Ilirjana Olldashi. Sipas mbrojtjes, arsyeja e kësaj kërkese mbështetej në faktin se disa anëtarë të trupit gjykues kishin marrë pjesë në gjykimin dhe dënimin e Enver Boriçit, një tjetër person i akuzuar si anëtar i kësaj bande. Por anëtarët e trupit gjykues zgjodhën një tjetër formë më etike për të eliminuar këtë problem procedural. Ata kanë paraqitur dorëheqjen dhe tashmë i takon kryetarit të gjykatës që të vendosë për këtë çështje. Sipas burimeve zyrtare nga Gjykata e Krimeve të Rënda në kryeqytet, menjëherë pasi të shpallë vendimin e tij për pranimin e dorëheqjes së anëtarëve të trupit gjykues, Simonit do t‘i duhet të kontrollojë edhe një herë të gjithë gjyqtarët e kësaj gjykate, për të parë nëse ndonjëri prej tyre nuk ka pasur më parë çështje që lidhen me anëtarët e kësaj bande.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›