I kërkuari në SHBA dënohet me 16 vjet burg në Shqipëri
Të akuzuarit si anëtarë të grupit kriminal të njohur me emrin "Kompas", janë shpallur fajtorë dhe gjykata i ka dënuar me afro 57 vjet burg të gjithë së bashku. Dje, në Gjykatën e Krimeve të Rënda, në një seancë maratonë, e cila ka nisur me dëgjimin e konkluzioneve përfundimtare të mbrojtjes, trupi gjykues ka dhënë edhe vendimin përfundimtar për këtë çështje, duke i dënuar të gjithë të akuzuarit, kryesisht sipas kërkesës që kishte bërë akuza gjatë paraqitjes së pretencës së saj. Ata u shpallën fajtorë për akuzën e "trafikimit të lëndëve narkotike në kuadër të organizatës kriminale".
Megjithëse është deklaruar gjatë gjithë procesit i pafajshëm, Arjan Selimi, i akuzuari si drejtues i grupit kriminal të njohur me emrin "Kompas", është shpallur fajtor dhe është dënuar me 16 vjet heqje lirie. Në fillim të seancës, avokati i Selimit kishte kërkuar pafajësi ose pushim të çështjes penale ndaj klientit të tij. Gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare të mbrojtjes, avokatët deklaruan se akuzat ndaj klientëve të tyre për "trafikim ndërkombëtar të lëndëve narkotike" nuk ishin provuar nga ana e prokurorisë dhe për këtë kërkuan pafajësi. Gjykata nuk humbi kohë për të shtyrë seancën e dhënies së vendimit për një ditë tjetër. Megjithëse kishin kaluar oraret normale të zhvillimit të seancave, trupi gjykues pas një pushimi është rikthyer në sallë, duke dhënë edhe vendimin përfundimtar në bazë të të cilit të gjithë të pandehurit u shpallën fajtorë.
Gjykata dënoi Arjan Selimin me 16 vjet burg, Petraq Avramin me 10 vjet burg, Kujtim Popoçin me 15 vjet burg, Arjan Xhemalin (Shabani) me 16 vjet burg, Blenard Fejzullaun me 6 vjet e 6 muaj burg, Fatmir Kuçin me 6 vjet e 6 muaj burg dhe Muhamet Fejzullaun me 5 vjet e 6 muaj burg. Vendimi, i cili ka qenë krejtësisht i kundërt me kërkesën e mbrojtjes, ka shkaktuar reagimin e kësaj të fundit, e cila është dukur e pakënaqur. Sipas avokatëve mbrojtës, ata do ta apelojnë vendimin në Gjykatën e Apelit, duke shpresuar se do të marrin një tjetër përgjigje nga kjo gjykatë.
Anëtarët e grupit të njohur me emrin "Kompas" janë arrestuar më 21 qershor të vitit 2004, pas një operacioni të përbashkët të policisë shqiptare dhe Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Gjatë procesit hetimor, prokurorët e çështjes kishin paraqitur përpara gjykatës si prova të pakundërshtueshme një numër të madh bisedash telefonike, të cilat ishin regjistruar në vendin fqinj dhe gjatë të cilave, sipas akuzës, flitej për trafik droge nga Shqipëria në Itali. Prokurorët thanë se Selimi fliste me anëtarët e tjerë të grupit të tij kriminal, duke dhënë porosi për organizimin e lëvizjeve të drogës. Ndërkaq, Selimi ka qenë i kërkuar nga drejtësia e SHBA për akuzën e trafikut të lëndëve narkotike, por gjykatat shqiptare e kanë rrëzuar këtë kërkesë, për shkak të çështjes që ishte duke u gjykuar në Gjykatën e Krimeve të Rënda dhe që përfundoi dje.