E Diel, 1 Nëntor 2026

ZMQ: Reforma zgjedhore po anashkalon financimin e partive

Financimi i partive politike gjatë fushatave zgjedhore vazhdon që të mbetet një burim dhe mbartës kryesor i korrupsionit në vend, ndaj kjo çështje nuk duhet anashkaluar në debatin për reformën zgjedhore, është shprehur dje drejtori i Zyrës për Mbrojtjen e Qytetarëve, Aldo Shala, në një debat për reformën elektorale. Sipas tij, çështja po anashkalon problematikën e financimit të partive politike. Në këto kushte, ka theksuar përfaqësuesi i ZMQ-së, diskutimi i çfarëdolloj sistemi bëhet nul dhe nuk mund të ketë kurrë në Shqipëri një qeverisje të lirë e të ndershme, të orientuar drejt zhvillimit të kapaciteteve reale, nëse nuk do të bëhen transparentë mekanizmat financiarë dhe ekonomikë që mbështesin zhvillimin e fushatave elektorale. "Për sa kohë këto financime do të xhirojnë në kanale të padeklaruara, ato do të synojnë dhe do të blejnë çdo gjë, votën e lirë, komisionerët e çdo niveli dhe vetë sistemin. Ndaj në këto kushte, është tepër i ngutshëm diskutimi i një mekanizmi transparent të financimit të partive politike, si bartës i korrupsionit në vend", ka theksuar drejtori i ZMQ-së, Shala. Para pak ditësh, kreu i shtetit, Bamir Topi, kërkoi ndërhyrje në legjislacion për të forcuar transparencën e financimit të partive politike. Sipas tij, është e kotë që të bëjmë koment, në shumë raste ndihet, në shumë raste merret informacion, në shumë raste është pjesë e debatit publik, pikërisht teprimi me financimin e fushatave elektorale, qofshin këto në zgjedhjet e përgjithshme politike, qofshin ato në zgjedhjet e pushtetit vendor, qofshin ato në zgjedhjet e pjesshme për një komunë të caktuar. "Qoftë nga përvoja individuale, qoftë nga përvoja bashkëkohore, njerëzit që kanë reputacion publik, nuk kanë nevojë për financime, nuk kanë nevojë që të abuzohet në këtë linjë", u shpreh Topi. Duke këmbëngulur se fushatat elektorale kanë nevojë për financa, të cilat janë ligjore, për financa të cilat janë transparente.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›