E Diel, 1 Nëntor 2026

NATO, Shefer vlerëson reformat në Shqipëri

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jap de Hop Shefer, tha se tre vendet e kartës së Adriatikut, Shqipëria, Maqedonia dhe Kroacia, kanë shënuar përparime të dukshme në reforma, çka do t‘i kualifikonte për anëtarësim. Për sa u përket ftesave, ato nuk jepen automatikisht, është shprehur Shefer. Sipas tij, këto vende duhet të vazhdojnë punën dhe duhet ta bëjnë procesin e reformave të pakthyeshëm. Aleanca i merr vendimet me konsensusin e të gjitha shteteve anëtare, prandaj zyrtarët e lartë janë të rezervuar në dhënien e deklaratave. Nga ana tjetër, zv/ndihmëssekretari i shtetit amerikan për Çështjet Evropiane, Volker, tha për Zërin e Amerikës se përparimi i bërë nga të tria vendet kandidate ka qenë i shkëlqyer, duke shprehur mbështetjen për anëtarësimin e tyre në NATO, veçanërisht pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Volker pret emërimin nga Senati për të marrë detyrën e ambasadorit të SHBA-së në NATO. Lidhur me zgjerimin e Aleancës në takimin e Bukureshtit, Presidenti amerikan ka theksuar se "shpresa jonë është se vendet që kanë aplikuar për t‘iu bashkangjitur NATO-s, do të vazhdojnë që t‘i përmbushin detyrimet e parapara në Planin e Veprimit për Anëtarësi. Do ta analizojmë përparimin e bërë prej tre vendeve, përpara se të votojmë për zgjerimin". Shqipëria, prej disa vitesh, po punon intensivisht për realizimin e reformave në vend me qëllim marrjen e ftesës në NATO. Këto shpresa janë shtuar më shumë kur Samiti i radhës së Aleancës do të jetë në prill të këtij viti, në Bukuresht. Politika shqiptare ka ulur tonet e debatit dhe po bashkëpunon për realizimin e reformave kryesore, siç është ajo në drejtësi dhe reforma zgjedhore. Puna për realizimin e këtyre reformave, sipas qeverisë shqiptare, është vënë në shina të drejta, por sesa do të realizohen ato para mbledhjes së Samitit të Bukureshtit, kjo mbetet për t‘u parë. Aktualisht vendi ynë po aspiron për anëtarësimin në NATO dhe në BE. Detyrat e shtëpisë për të plotësuar janë të shumta, ndërkohë që të gjithë janë të ndërgjegjshëm se nuk janë realizuar të gjitha. Por a do të na pranojnë ndërkombëtarët në gjirin e tyre me këto detyra që kemi realizuar deri më tani? Kjo do të zbulohet vetëm në prill, ndërkohë që ndërkombëtarët deri më tani nuk na kanë dhënë shpresa të shumta, por as nuk na i kanë prerë ato.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›