Bush, presion OPEK-ut: Të ulet çmimi i naftës
Nafta është shumë e shtrenjtë. Presidenti amerikan, Xhorxh Bush, dhe ai francez, Nikolas Sarkozi, janë në sintoni të plotë edhe për çështje "përvëluese", si çmimi i arit të zi. Gjatë vizitës në Riad, në Arabinë Saudite, etapë e parafundit e turit të tij, Bush ka konfirmuar shqetësimet e shprehura dhe nga kolegu i tij i Elizeut dhe ka folur për një iniciativë të vendeve prodhuese të naftës, që mund të reduktonte kostot. Arabia Saudite është prodhuesi më i madh në botë i naftës dhe zotëron rezervat më të mëdha të hidrokarbureve të zbuluara ndonjëherë. SHBA, sipas pjesës më të madhe të ekspertëve, rrezikon të përfshihet nga kriza pas një periudhe rritjeje. Mes shkaqeve, përveç turbullirës financiare të shkaktuar nga kriza e pronave të paluajtshme, është edhe rritja e pandalshme e lëndëve të para dhe burimeve energjetike. Bush shpreson që OPEK të rrisë prodhimin, në një kohë kur një fuçi nafte e ka kapërcyer kufirin e 100 dollarëve.