E Diel, 1 Nëntor 2026

Gara për Shtëpinë e Bardhë, 2008, zgjedhjet më të shtrenjta në histori

Se si do të rrjedhë gara për Shtëpinë e Bardhë, nuk dihet. Por në anën tjetër, një gjë është e sigurt. Këto të sivjetshmet do të jenë zgjedhjet më të kushtueshme në histori. Deri më 4 nëntor do të jenë harxhuar të paktën 1 miliard dollarë nga kjo fushatë. Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Michael Bloomberg, njoftoi se ishte gati të shpenzonte vetëm ai 1 miliard dollarë, gjithnjë nëse do të vendoste të hynte në garë. Kostoja e fushatës presidenciale të 2004-ës, që konsiderohet edhe si më e ekzagjeruara, arriti shumën e 693 milionë dollarëve. Ndërkohë, para 20 vjetësh, në ‘88-ën, zgjedhjet presidenciale amerikane kushtuan 59 milionë dollarë, ndërsa në 1860-ën, Abraham Linkolni shpenzoi jo më shumë se 100000 dollarë përpara se të zgjidhej President. Kandidatët demokratë dhe republikanë së bashku i kanë dyfishuar përpjekjet për të mbushur arkat me afrimin e afateve të ardhshme e veçanërisht "super të martës" së 5 shkurtit, kur zgjedhjet do të zhvillohen në rreth 20 shtete, ndër të cilat Nju Jorku dhe Kalifornia. Një pasqyrë e të gjitha shpenzimeve të fushatës do të botohet vetëm më 31 janar nga Komisioni Zgjedhor Federal, por sipas ekipit të fushatë së demokrates Hillari Klinton, senatorja e Nju Jorkut mund të ketë grumbulluar një shumë të përgjithshme prej 115 milionë dollarësh në 2007, 24 milionë nga të cilat gjatë tremujorit të fundit. Barak Obama, rivali i saj më serioz, mund të ketë mbledhur 103 milionë dollarë në 2007, 22.5 milionë nga të cilat gjatë tremujorit të fundit. Klinton dhe Obama kanë grumbulluar disa miliona të tjera shtesë pas zgjedhjeve në Ajoua dhe Nju Hempshajër. Por, nëse ekipet e fushatës së kandidatëve pranojmë me kënaqësi të rrëfehen se sa para janë futur në arkë, në të kundërt ata ngurrojnë të flasin kur është fjala për të saktësuar se sa para disponojnë realisht kandidatët. Ekipi i kandidatit republikan, Rudolf Xhuliani, njoftoi së fundmi se ish-kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, që ka mbetur prapa sipas sondazheve, disponon aktualisht 12,7 milionë dollarë, nga të cilat vetëm 7 milionë dollarë për të financuar fushatën e zgjedhjeve paraprake. Xhuliani, që i ka varur të gjitha shpresat në Florida, ku eliminatoret do të zhvillohen më 29 janar, kishte një buxhet mbi 47 milionë dollarë në fund të tremujorit të tretë të 2007-ës. Ish-guvernatori i Masaçusetsit, Mit Romnei, një biznesmen i pasur mormon, ka nxjerrë tashmë 17 milionë nga xhepi i tij për të financuar fushatën e tij, dhe në fillim të javës së kaluar tha se kishte marrë sërish nga pasuria e tij personale për të financuar fushatën në Miçigan. Romnei është pa dyshim kandidati që ka shpenzuar më shumë para. Sipas llogarive mbi fushatën e tij, deri më 30 shtator 2007, duket se ai ka shpenzuar mesatarisht 100 mijë dollarë në ditë gjatë nëntë muajve të parë të 2007-ës. Suksesi i Majk Hakëbi në Ajoua dhe i Xhon MekKejn në Nju Hempshajër tregon megjithatë se paratë nuk mjaftojnë për të fituar zgjedhjet. Vetëm para gjashtë muajsh fushata e MekKejnit vlerësohej si në agoni dhe ish-pastori baptist kishte mbledhur pak më shumë se 2 milionë dollarë. Por suksesi sjell suksesin dhe ai mblodhi plot 8 milionë dollarë, ndërsa kuota e tij vetëm rritej nëpër sondazhe.

Presidencialet amerikane

Zgjedhjet paraprake mbërrijnë në Miçigan

Është radha e Miçiganit. Zgjedhjet primare në Shtetet e Bashkuara zhvendosen tani në një tjetër shtet, por vetëm në kampin republikan priten me interes rezultatet. Për demokratët është në garë vetëm Hillari Klinton, pasi si Barak Obama, ashtu si dhe Xhon Eduards, kanë tërhequr emrat e tyre nga listat, sepse partia ka vendosur të ndalojë dërgimin në konventën kombëtare të delegatëve të Miçiganit, për shkak se kanë zhvilluar zgjedhjet në janar para kohës së planifikuar. Për republikanët, lufta zhvillohet mes Xhon MekKeinit dhe Mitt Romneit. Sipas sondazheve të fundit, ish-guvernatori i Masaçusets, që pas dy humbjeve radhazi nuk mund t‘i lejojë vetes humbjen në shtetin ku ka lindur dhe ku babai i tij ka qenë guvernator, kryeson me 28 për qind të mbështetjes, por ndiqet së afërmi nga senatori i Arizonës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›