E Diel, 1 Nëntor 2026

Bushi, asist në humbjen e Apollon

Alban Bushi vazhdon të shfaqë një formë të admirueshme me skuadrën e Apollon Kallamarias. Pas golit të shënuar në minutat e fundit gjatë ndeshjes së javës së kaluar me Arisin, Bushi ka qenë përsëri protagonist në takimin e djeshëm kundër Panioniosit. Këtë radhë, sulmuesi shqiptar nuk ka gjetur vetë rrugën e rrjetës, por ka dhënë asistin për golin e avantazhit të skuadrës së tij në minutën e 54-t të takimit. Fatkeqësisht, ky gol nuk e ka ndihmuar Apollon Kallamarian të marrë një rezultat pozitiv në këtë sfidë, pasi Panionios ka përmbysur gjithçka në minutat e mbetura të takimit, duke arritur të shënojë golin e fitores 2-1 gjatë shtesës. Bushi vazhdon të jetë një prej elementëve më të spikatur të kësaj skuadre, që synon të mbijetojë në Superligën greke. Sulmuesi shqiptar ka arritur të shënojë gola të rëndësishëm për këtë skuadër dhe cilësohet si një element i pazëvendësueshëm në formacionin titullar.

Ndërkohë, një tjetër "veteran" kuqezi, Igli Tare, po kalon një formë të shkëlqyer gjatë ndeshjeve të para të këtij viti. Sulmuesi kaloi thuajse një vit në pankinë, pa u aktivizuar, por tashmë ka gjetur hapësirat e tij te Lacio. Edhe dje, në ndeshjen e përfunduar 0-0 ndaj Torinos, ai është futur në fushë në minutën e 80-të, për të ndihmuar skuadrën jo vetëm në sulm, por edhe në mbrojtje. Bardhekaltërit kanë bërë të ditur se Tare tashmë cilësohet i pashitshëm, pasi e shohin si një element të rëndësishëm që mund të ndihmojë ekipin drejt objektivit të sigurimit të një vendi në Kupat e Evropës gjatë sezonit të ardhshëm. Sipas mediave italiane, Lotito është takuar edhe me menaxherin e sulmuesit, për të cilin po bëhet gati një rinovim njëvjeçar i kontratës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›